Emërimet nepotike dhe pazaret e ministrave, nga qendra në bazë

1146
Sigal

Protestat/ Babëzia e kompanive të naftës, dhunohen varret e fshatrave të Vlorës. Ministria dhe prefektura heshtin!

Emërimet nepotike në administratë kanë bërë që, qindra, mijëra votues të Majtë, Rilindës dhe Integrues, të ndihen të zhgënjyer përditë e më shumë. Ndoshta një pjesë e mirë e tyre e shohin shpresën tek liderët e këtyre forcave. Ministrat dhe drejtuesit e tjerë të ministrive, agjencive, drejtorive të përgjithshme, kanë si kriter emërimi ose injorancën, e cila në rastin konkret, i pëlqen shefit të dikasterit ose e blejnë postin. Kjo e fundit, po zë më shumë vend dhe faktet janë kokëfortë dhe të pakundërshtueshme. Ndryshe, nuk ka se si të ndodhë që, shumica e posteve janë zënë nga njerëz të implikuar në trafiqe brenda dhe jashtë vendit. Shpërndarës droge, prostituta të skeduara, figurojnë në vende, të cilat në dukje duken të parëndësishme, por që në të vërtetë, janë vendet, ku përpilohen dhe mbahen dosjet e krimit dhe shitblerjeve me interesa të mëdha ekonomiko-financiare. Jo rrallë, faktet dhe bisedat konfidenciale tregojnë se, në këtë post ka ardhur shoqja që ka suportin apo mbështetjen e “x” ministri apo “y” drejtori.  Pjesa tjetër, më e madhja e administratës, është e zënë nga njerëz brenda familjes. Ministrat që kanë monopolizuar drejtoritë kyçe dhe e thënë troç me para kesh, apo xhiro ditore të garantuar. Duhet thënë që, shumica janë injorantë dhe batakçinj të paskrupullt. Rastet janë skandaloze dhe të panumërta, ku ministrat e PS-së dhe LSI-së janë në akord të plotë dhe është shumë e vështirë t’i dallosh se pjellë e kujt janë. Gjatë këtyre muajve, ne kemi trajtuar gjerësisht rastet konkrete të emërimeve nepotike në Vlorë, Peshkopi, Elbasan, Korçë, Durrës, etj..  “Evolucionit i duheshin miliona vjet që të ulnin nga pema majmunin në tokë dhe ta bënin njeri. Këta të PD-së na e ngjitën njeriun në mesin e pemës, ndërsa, socialistët po e ngjisin në majën e saj. Është mbushur pema nepotike plotë e përlotë, sa dhe vetë majmunët i kanë zili pasardhësit e tyre, që e quajnë veten njerëz me pushtet”. Dje, një nga përfaqësuesit e Komunës Vllahinë, i hedhur në grevë për shpimet pa kriter dhe marrëzinë e kompanisë së naftës ‘STRIM”, na tha se, babëzia e tyre nuk po pyet as për eshtrat e të parëve. Pavarësisht justifikimit, ata kanë për detyrë të pyesin punëtorët vendalinj dhe kryeplakun se çfarë të veçantash kanë zonat, ku po kryhen shpime. Por, “STRIM”, nuk merr punëtorë vendalinj dhe që janë pronarë të tokës. Kryeplakut i ka dhënë linjën e autobusëve që sjell punëtorët, ndërsa me Kryekomunarin, përfaqësues i PS-së, kanë makineri të përbashkëta dhe marrëveshje tek ndërtimi. “Punëtorët e Fshatit Mërtiraj, janë ngritur në protesta, të cilat do të vazhdojnë fuqimisht pasi tre kërkesat tona si: Asistenca për të pushuarit, punësimi dhe prona, nuk po gjejnë zgjidhje. I kemi dërguar mesazh Kryeministrit Rama dhe na ka marrë menjëherë në telefon, duke na premtuar zgjidhjen e çështjes nga nëpunësit e linjës. Por, çuditërisht, ende dhe sot e kësaj dite nuk jemi takuar as me Prefektin dhe as ministrin e linjës që mbulon energjetikën dhe naftën. Kemi dërguar përfaqësues dhe kemi bërë peticione, por askush nuk na qas tek dera e institucioneve. E harruan shpejt votën dhe premtimet”,-shprehet një prej punëtorëve të pushuar nga puna, Gani Muho, i rritur jetim dhe me njëmijë e një halle. “Në rast se, nuk na kthejnë përgjigje brenda javës, ne do protestojmë para Ministrisë dhe institucioneve të tjera. Shteti hesht! Kryetari i fshatit Mërtiraj, Kryekomunari i Vllahinës, Prefekti dhe Ministria e Energjetikës, po ashtu. Me sa duket, janë korruptuar dhe s’kanë kurajë të kërkojnë llogari e të mbrojnë interesat e qindra fshatarëve. I bëjmë thirrje Ministrisë së Energjetikës dhe prefekturës, të heqin dorë nga pazaret me “STRIM”. Në të kundër, shpresa jonë janë bllokimi i rrugëve dhe drejtësia, pasi askush nuk mund të shfrytëzojë pronën e të parëve tanë”, vazhdon më tej ai. Por, pema nepotike që ka përfshirë Vlorën ka bërë që, me dhjetëra qytetarë t’i drejtohen Kryeministrit, Edi Rama dhe deputetit të zonës.  Qytetarët  pyesin se, kush e emëroi drejtuesin e ALUIZNI-t, po të CEZ-it, po të Qendrës së Formimit Profesional, e të tjera emërime në nivel të parë dhe të dytë?… Si ka mundësi, pyesin në Vlorë, që njerëz pa asnjë përvojë e pa asnjë shkëlqim profesional, të emërohen në institucione që s’kanë asnjë lidhje me misionin e tyre dhe që ju duhet për herë të parë, të firmosin si drejtorë e shefa?! Nga u gjet drejtori, Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Vlorë? Deputeti dhe Kryeministri Rama, nga ana e tij ka bërë që të  rivendoset drejtësia në vend. Aq e vërtetë është kjo, saqë emisarët që merren me këto punë, dridhen kur kontaktojnë me njerëzit e prekur nga padrejtësia. Largimi i Drejtorit të TEC-it dhe emërimi i një inxhinieri model dhe kontribuues në fitore, ka bërë që Vlora të shpresojë ende tek Rilindja. Por, “me një lule nuk vjen pranvera” dhe se, shumë emërime të kryera mbajnë erën e korrupsionit. Ndryshe, nuk kuptohet që, kreu i PD-së në Vranisht, emërohet Shef i Bujqësisë në Vlorë. Ku janë deputetët e tjerë, përse heshtin dhe nuk e vënë në dijeni kreun e partisë? Si ka mundësi që ata që digjnin makinat e socialistëve deri dje dhe rrihnin barbarisht socialistët, sot kanë zaptuar pikat kyçe dhe luajnë me dy porta? Ka edhe të tjera, përsa i përket emërimeve në CEZ, në arsim, hipoteka, port, etj., dhe që ne do i bëjmë prezent çdo ditë. Njerëzit flasin se, PS-ja po vazhdon me të njëjtat metoda korruptive, ku e la PD-ja. E rëndësishme është që, drejtësia të vihet në vend sa nuk është vonë, në të kundërt, fundi do jetë edhe më tragjik se ai i demokratëve më 23 qershor.