Raporti: Shqipëria, një regjim hibrid

417
Demokracia në Shqipëri nuk pati ndonjë përparim gjatë vitit 2017, pasi “çdo hap përpara, u zhvlerësua nga një hap pas”, sipas organizatës “Freedom House”. Shqipëria është në kategorinë e vendeve me demokraci në tranzicion ose regjim hibrid, ndonëse ka shënuar një ngritje të lehtë në pikët e përgjithshme, falë zgjedhjeve të fundit që u zhvilluan të qeta. Në kapitullin për Shqipërinë të raportit të përvitshëm të organizatës “Freedom House” “Vendet në Tranizicion”, thuhet se përparimi në rënien e kultivimit të kanabisit, u zbeh nga dyshimet se ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ishte i lidhur me një rrjet shqiptaro-italian të trafikut të drogës. Raporti kritikoi zgjedhjen e Metës si president, ndërsa deklaroi se arritjet në luftën kundër korrupsionit u zbehën edhe nga “zgjedhja me një shumicë të thjeshtë në parlamentin e Shqipërisë të Prokurores së Përkohshme më 18 dhjetor, gjë që minoi seriozisht besueshmërinë dhe pavarësinë e institucionit”, thuhet në raport. Sipas tij, zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit shënuan përparim, pasi ofruan garanci të gjera për opozitën. Falë këtij përmirësimi, rezultati i përgjithshëm i indeksit të demokracisë u përmirësua në 4.11 nga 4.14 që ishte një vit më parë. Sipas “Freedom House” numri 1 përfaqëson nivelin më të lartë të demokracisë dhe numri 7 më të ulëtin. “Fushata zgjedhore, si dhe numërimi i votave në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 kishte shumë më pak probleme sesa në zgjedhjet e kaluara. Për këtë arsye, asnjë nga partitë kryesore nuk i kundërshtoi rezultatet e zgjedhjeve”, thotë raporti. Por zgjedhjeve u parapriu një bllokim politik mes opozitës dhe qeverisë gjatë katër muajve të parë të vitit 2017 “që e vuri të gjithë procesin zgjedhor në rrezik”. Në raport thuhet se qeverisja demokratike në Shqipëri, u karakterizua nga ngecja në vend për shkak të polarizimit të thellë mes partisë kryesore opozitare, Partia Demokratike dhe Partisë Socialiste në pushtet, si edhe nga prirjet autoritare në vitin 2017. Bojkotimi i parlamentit nga Partia Demokratike gjatë katër muajve të parë të 2017-ës, e frenoi reformën e kodit zgjedhor që ishte rekomanduar nga OSBE/ODIHR-i. Po ashtu rrezikoi ta hidhte të gjithë procesin zgjedhor në kaos, pasi PD-ja refuzoi të emëronte përfaqësuesit e vet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe i regjistroi kandidatët e vet, shumë pas afateve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor. “Marrëveshja e majit mes PS-së dhe PD-së, që i dha fund bojkotit, megjithëse u hapi rrugë zgjedhjeve të qeta, e sforcoi sistemin zgjedhor, pasi logjika politike iu imponua Kodit Zgjedhor”, thuhet në raport. “Freedom House” thotë se në vitin 2017 pati një farë përparimi kundër korrupsionit dhe ryshfeteve, veçanërisht në radhët e policisë, si edhe në luftën kundër drogës, që u vu re në reduktimin e kultivimit të kanabisit. Por përparimi në rënien e kultivimit të kanabisit, thuhet në raport, u zbeh nga njoftimet e agjencive italiane të rendit, se ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ishte i lidhur me një rrjet shqiptaro-italian të trafikut të drogës. “Me gjithë këto njoftime, shumica socialiste në parlamentin e Shqipërisë votoi kundër kërkesës së prokurorëve për t’i hequr Tahirit imunitetin parlamentar, që ai të mund të arrestohej”. Në raport thuhet se kultivimi i kanabisit ra në mënyrë drastike në Shqipëri, pjesërisht falë ndërhyrjes së policisë shqiptare. “Ndërsa zyrtarët e qeverisë ia atribuan këtë strategjisë së tyre kundër kanabisit, analistët e pavarur argumentuan se mbiprodhimi gjatë tre viteve të mëparshme, krijoi rezerva të pa shitura të kanabisit që e shkurajoi kultivimin e mëtejshëm në vitin 2017”, thuhet në raport. Përparimi i bërë në vitin 2017 për të ulur korrupsionin në nivele të ulëta, thuhet në raportin e Freedom House, u zbeh nga humbja e terrenit në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta dhe kapjes së shtetit. Raporti flet për strategjitë e miratuara kundër korrupsionit nga qeveria, përfshirë reformën në drejtësi që ka sy synim vetingun mes gjykatësve dhe prokurorëve në gjithë nivelet. Më 13 shtator, parlamenti miratoi qeverinë e dytë të udhëhequr nga Edi Rama, që përbëhej pothuajse plotësisht nga besnikë të tij. Kjo, shkaktoi frikë mes analistëve politikë se Rama mund të qeveriste me grusht të hekurt, duke pasur parasysh shumicën e tij prej 74 vendesh dhe kontrollin e tij të fortë mbi ekzekutivin. Raporti thotë se një numër ngjarjesh në vitin 2017 duket se i konfirmuan shqetësime të tilla, përfshirë amendamentet e propozuara për ligjin e taksave që i jepnin autoritet të pashembullt (qeverisë) për të përcaktuar nivelet e taksave për biznese të ndryshme si edhe përdorimi i shumicës së thjeshtë për të zgjedhur Prokuroren e Përgjithshme të përkohshme. “Në fakt, vendimi i Ramës për të zgjedhur në mënyrë të njëanshme Prokuroren e re të Përgjithshme të përkohshme me një shumicë të thjeshtë në parlamentin shqiptar në dhjetor, duke shpërfillur kundërshtimet e ashpra të dy partive kryesore opozitare, shfaqi një hap të parë shqetësues në këtë trajektore”, thotë raporti. Sipas “Freedom House”, 2018-a paraqet mundësi për përmirësimin e qeverisjes në Shqipëri, por edhe rrezikun e autoritarizmit. Me një shumicë të gjerë, Partia Socialiste në pushtet dhe kryeministri i saj kanë një shans të vërtetë për të kryer reforma të rëndësishme, që kanë mundësinë të ulin korrupsionin në sistemin gjyqësor dhe ryshfetete në administratën publike, dhe njëkohësisht të përmirësojnë qeverisjen e mirë. Nga ana tjetër, kontrolli i plotë që ka kryeministri Rama mbi Partinë Socialiste dhe shumica e konsiderueshme që ai ka në parlament, e kombinuar me një kontroll të fortë mbi ekzekutivin, mund t’u hapë rrugën prirjeve autoritare që mund t’i vendosin institucionet shtetërore nën kontrollin e kryeministrit.
Sigal