Rama teston ministrat dhe deputetët

Rama teston ministrat e deputetët, ja më të ndjekurit

Kryeministri zgjedh një mënyrë të veçantë për të mësuar interesin dhe mbështetjen e njerëzve të tij. Fitojnë Spiropali e Tahiri

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për të mësuar interesin dhe mbështetjen që kanë ministrat dhe deputetët e tij, të paktën mes përdoruesve të rrjeteve sociale. I dashuruar me “Facebook”-un, ku mbetet tejet aktiv, shefi i qeverisë duket se ka vendosur të bëjë një testim interesant. Për secilin folës në seancën e gjatë të diskutimit të programit të qeverisë në Kuvend, kryeministri ka bërë një postim të veçantë në faqen e tij zyrtare në “Facebook”. 

“Telegraf” analizoi dje në mesditë shikimet, reagimet dhe shpërndarjet e videove të postuara nga Rama gjatë seancës së të martës. Në testin e Ramës janë përfshirë 25 deputetë e ministra dhe rezultati ka qenë surprizues. Elisa Spiropali dhe Saimir Tahiri kanë fituar garën e shikueshmërisë në rrjetet sociale, gjatë diskutimit të programit të qeverisë. Mbi 110 mijë shikime ka pasur fjala e ish-drejtoreshës së Doganave, tashmë deputete e Partisë Socialiste, ndërsa ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka zënë vendin e dytë me mbi 106 mijë shikime. Spiropali ka folur për rreth 14 minuta, ndërsa Tahiri rreth 20 minuta, ku spikatën sulmet ndaj Lulzim Bashës, Fatmir Mediut dhe Koço Kokëdhimës. Saimir Tahiri mbeti jashtë qeverisë së re të Partisë Socialiste në mandatin e dytë, ndonëse ai udhëhoqi fushatën në Tiranë. Kryeministri Rama e ka justifikuar këtë vendim me nevojën e forcimit të aktivitetit parlamentar. Dominimi i Spiropalit e Tahirit është pasuar edhe me numrin e lartë të reagimeve dhe shpërndarjeve që kanë pasur videot e tyre në faqen zyrtare të Edi Ramës. Ish-shefja e doganave ka pasur 2.600 reagime dhe 94 shpërndarje të videos, ndërsa Tahiri ka shkaktuar 3.200 reagime dhe 129 shpërndarje. 

Ndërkohë, vetë fjala e Ramës, e mbajtur në mbyllje të debatit parlamentar për programin e qeverisë, ka marrë mbi 87 mijë shikime. Shefi i qeverisë ka folur gjatë orëve të vona të natës, megjithatë ka arritur të ketë vëmendje dhe interesim në rrjetet sociale, ku zakonisht kulmi i shikimeve regjistrohet rreth orës 21:00. Një ditë më parë, në fjalën prezantuese të sintezës së programit politik të qeverisë për mandatin e dytë, Rama ishte ndjekur nga 95 mijë përdorues të “Facebook”-ut. Dëshpërues në shifra kanë rezultuar deputetët Andrea Marto e Ermonela Felaj, ndërsa dy ministre të kabinetit qeveritar gjithashtu kanë zënë vendet e fundit në renditje. Sonila Qato dhe Mirela Kumbaro kanë rezultuar më pak të ndjekurat gjatë fjalimeve që kanë mbajtur në Kuvend. Për ministren e re të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes dhe ministren tashmë të vjetër të Kulturës vëmendja ka qenë respektivisht 21.096 shikime dhe 24.361 shikime. Ndonëse një emër surprizë në qeverinë “Rama 2”, zv/kryeministrja Senida Mesi ka patur rreth 44 mijë shikime, ndërsa ish-kryeministri dhe ministri i ri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, është ndjekur nga të paktën 55 mijë shikues në rrjetin social “Facebook”. 

Qeveria mori votëbesimin në Kuvend, pas një seance maratonë diskutimesh. Me 78 vota pro dhe 51 kundër, “Rama 2” u votua nga deputetët për mandatin e dytë të Partisë Socialiste në pushtet. 

Ironia me fjalën e Lulzim Bashës
Kryeministri Edi Rama ka postuar në faqen e tij zyrtare në “Facebook” edhe fjalën e Lulzim Bashës, kryetar i Partisë Demokratike, në seancën parlamentare. Basha ka kritikuar programin dhe përbërjen e ekzekutivit dhe është ndjekur nga 61 mijë përdorues të “Facebook” në faqen e rivalit të tij politik. Ndërkohë që i njëjti fjalim në faqen zyrtare të Bashës ka pasur 42 mijë shikime. Kjo për arsye se kreu demokrat ka vetëm 582 mijë ndjekës në profilin zyrtar, ndërsa kryeministri Rama e ka kaluar tashmë shifrën 1.1 milionë ndjekës në këtë rrjet social. Gjithashtu, kufirin 1 milion ndjekës në “Facebook” e ka kaluar edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Ai vazhdon të mbetet tejet aktiv në rrjetet sociale, veçanërisht me ato që i cilëson si denoncime të ankesave që i vijnë nga qytetarët. 

Mungesa e Ballës në testim
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, nuk u përfshi në testin e kryeministrit për deputetët e tij. Në emër të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla vuri në dukje, se vullneti i shprehur i qytetarëve shqiptarë ka përcaktuar, që PS tashmë ta ketë sfidën me veten, duke rikonfirmuar gatishmërinë për një tryezë të hapur për çështjet e mëdha, ftesë e bërë dhe më parë në prezantimin e programit nga Kryeministri Rama. Balla kundërshtoi pretendimet e opozitës për procesin e parregullt zgjedhor. Në vijim të fjalës së tij, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, vuri në dukje cilësitë themelore, që do të jenë shtyllat e sjelljes së Partisë Socialiste si qeveri dhe grup parlamentar, duke theksuar ndër to forcimin e shtetit ligjor, zhvillimin ekonomik, punësimin dhe mirëqenien.

Folës Shikime Reagime Shpërndarje
1 - Edi Rama 95.574 4.400 211
2 - Ditmir Bushati 50.276 1.200 64
3 - Arben Ahmetaj 34.032 1.000 48
4 - Lindita Nikolla 30.646 1.200 52
5 - Pandeli Majko 55.726 1.700 70
6 - Bashkim Fino 37.487 1.100 25
7 - Ogerta Manastirliu 32.230 1.200 62
8 - Fatmir Xhafaj 39.615 1.200 35
9 - Senida Mesi 43.759 1.000 39
10 - Olta Xhaçka 45.111 1.200 38
11 - Damian Gjiknuri 25.528 815 66
12 - Elisa Spiropali 111.558 2.600 94
13 - Etilda Gjonaj 27.926 967 25
14 - Mirela Kumbaro 24.361 773 38
15 - Niko Peleshi 24.405 1.000 23
16 - Blendi Klosi 24.416 900 28
17 - Sonila Qato 21.096 682 16
18 - Blerina Gjylameti 31.764 831 45
19 - Saimir Tahiri 106.326 3.200 129
20 - Eduard Shalsi 27.657 819 35
21 - Evis Kushi 31.795 747 15 
22 - Ervin Bushati 22.284 663 24
23 - Eglantina Gjermeni 20.657 562 14
24 - Besnik Baraj 28.920 616 12
25 - Ermonela Felaj 19.409 570 25
26 - Andrea Marto 11.879 384 2

Kuvendi rimblidhet sot për komisionet
Kuvendi do të zhvillojë sot në orën 11:00 seancën plenare të radhës. Vendimi u mor në mbledhjen që kreu i Kuvendit Ruçi zhvilloi dje me krerët e grupeve parlamentare. Në seancën e së enjtes do të votohen kryetarët e Komisioneve dhe përbërja e tyre. Ndërkohë po të enjten pritet që Partia Socialiste të mbledhë kryesinë, për të përcaktuar emrat që do të drejtojnë 5 komisione parlamentare, nga 8 që janë gjithsej. Nga kampi i opozitës duket se ka një marrëveshje. Partia Demokratike do të drejtojë 2 nga 3 komisionet parlamentare që i takojnë opozitës, duke i lënë Lëvizjes Socialiste për Integrim, kryesimin e Komisionit të Shëndetësisë. Marrëveshja është arritur mbrëmjen e 12 shtatorit, gjatë diskutimeve maratonë për programin e qeverisë, ndërsa Petrit Vasili është propozuar si kryetar i komisionit parlamentar për Çështjet Sociale dhe Shëndetësisë. Ndërkohë Partia Demokratike ka propozuar për kryetar të komisionit të Medies Albana Vokshin dhe Genc Pollon si kryetar të komisionit të Integrimit. Përveç emrave të kryetarëve, Partia Socialiste do të diskutojë edhe ndarjen e deputetëve nëpër komisione.