Rama: Partneritet strategjik mes shqiptarëve dhe turqve

527
Sigal

Kryeministrat e Shqipërisë, Turqisë dhe Kosovës inaugurojnë së bashku terminalin e aeroportit të Prishtinës

 Flamujt e Kosovës, të Turqisë dhe të Shqipërisë u valëvitën dje  përgjatë gjithë ditës në shtetin kosovar ku u mblodhën 3 kryeministra të 3 shteteve, Hashim Thaci, Taip Erdogan dhe Edi Rama. Ceremonia e inaugurimit të terminalit të ri në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” i mblodhi dje bashkë në shtetin kosovar, kryeministrat e Shqipërisë, Kosovës dhe Turqisë, të cilët përcollën bashkërisht mesazhe paqeje dhe bashkëpunimi. Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri shqiptar Edi Rama theksoi rëndësinë e partneritetit strategjik Shqipëri-Kosovë-Turqi, për të mirën e popullit shqiptar dhe atij turk. Duke shprehur mirënjohje për kryeministrin turk, për përkushtimin dhe mbështetjen e tij ndaj shqiptarëve, Kryeministri Rama tha se, zoti Erdogan është një mik dhe vëlla i pandarë në festa e vështirësi. “Kryeministri Erdogan është miku dhe vëllai ynë i pandarë në ditë me diell arritjesh të bukura si kjo e sotmja, por dhe në kohë të vrenjtura kur miqtë e vërtetë dallohen mbi të tjerët. Askush nuk do ta harrojë përkushtimin dhe mbështetjen e tij të paçmuar për pavarësinë e Kosovës”,- deklaroi Rama. Kryeministri Rama theksoi se, kjo ceremoni është një rast kuptimplotë për të qenë krenar dhe mirënjohës për Kosovën dhe për tu krenuar gjithashtu me Kryeministrin Hashim Thaçi. Sipas shefit të qeverisë shqiptare, “Aeroporti i Prishtinës nuk mund të kishte një emër më të goditur, se sa atë të njeriut që i dha krahë ëndrrës së Kosovës së lirë e të pavarur”. “Adem Jashari është emri i krenarisë së këtij vendi dhe nga sot Kosova e re do të presë me krenari legjitime në këtë portë të qiellit të saj të lirë miqtë e vet që shtohen dita ditës. Urime me gjithë zemër të gjithëve për këtë vepër të shkëlqyer që afirmon ambicien e Kosovës, ky shtet që është vetëm 5 vjeç, por që ka renduar dhe ka kapur shumë nga koha e humbur, duke u bërë shembull admirues për rajonin. Monumenti i gjallë i kujtimit të Adem Jasharit dhe monumenti i mikpritjes së Kosovës së lirë për të gjithë miqtë dhe vizitorët e vet”,- u shpreh kryeministri shqiptar Rama në  Kosovë.

Kryeministrat së bashku vizitojnë Prizrenin.

Kryeministrat Hashim Thaçi, Edi Rama dhe Recep Tayyip Erdogan qëndruan në Prizren iu drejtuan qytetarëve të mbledhur në sheshin “Shatërvan”.  Kryeministri turk theksoi marrëdhëniet miqësore dhe tepër të ngushta mes Turqisë dhe Kosovës duke sjellë krahasime dhe me historinë. “Kosova për në turqit është si atdheu ynë i dytë. Ju sjell përshëndetjet e mia dhe të gjithë turqve. Jemi aq afër njëri-tjetrit sa dhe himni kombëtar. Pra ne njerëzit e këtij rajoni të kaluarën e kemi ndërtuar së bashku, atëherë ashtu si gjyshi e stërgjyshat tanë me shpresën tek Allahu të ndërtojmë bashkë të ardhmen tonë. Për shekuj me radhë kemi jetuar në vëllazëri dhe unitet në këto toka”.

Rama: Dy popuj vëllezër mundohen të ndërtojnë së bashku ardhmërinë e tyre

“Ky është qyteti ku kulturat dhe besimet janë jo vetëm në harmoni shpirtërisht, por dhe ku objektet e kultit janë shumë pranë dhe në harmoni fizikisht. Prizreni qëndron bashkë, i pa ndarë dhe i pandashëm, njësoj si Kosova që qëndron bashkë e pandarë dhe e pandashme. Qëndron bashkë si një pasuri, që pikërisht pse është kështu me objekte dhe kultura që jetojnë në harmoni përbën një vlerë, që e bën Prizrenin një nga pasuritë më të çmuara të historisë dhe të ardhmes së Ballkanit. Dhe besoj se nuk ka sfond më të bukur, sesa historia e këtij qyteti dhe nuk ka vend më të bukur sesa sheshi i këtij qyteti, për të qenë së bashku si përfaqësues të Kosovës, të Turqisë dhe të Shqipërisë, si tre kryeministra, të tre vendeve, ku dy popuj vëllezër mundohen të ndërtojnë së bashku ardhmërinë e tyre. Unë besoj që edhe mikpritja e jashtëzakonshme, që qyteti i ofroi mikut dhe vëllait tonë të shtrenjtë, Kryeministrit Erdogn është shprehje e të shkuarës, e të sotmes, dhe e të nesërmes së një miqësie, që vetëm mund të forcohet”, – theksoi Rama gjatë fjalës së tij në Prizren.