Rama në Berlin, për negociatat apo si tregtar pikturash?

616
Sigal

Qeveria dhe Partia Socialiste kanë më shumë se dy javë që reklamojnë vizitën e kryeministrit në Gjermani. Sipas PS-së, kreu i qeverisë do të nisë një fushatë takimesh me politikanë të njohur gjermanë për të marrë çeljen e negociatave, më 18 tetor. Kryeministri ndodhej sot në Berlin. Takoi kancelaren Merkel dhe kreun e Bundestagut, por pa marrë asnjë mbështetje të fortë për çeljen e negociatave. Angela Merkel deklaroi se qëndrimi i saj për Shqipërinë do të varet nga ajo që do të vendosë Bundestagu, në fund të muajit shtator. Pra, kancelarja e ka lënë në dorë të Parlamentit, siç është dhe normale në politikën gjermane. Por parlamenti përbëhet nga grupe e partive politike, ku vet deputetë e partisë së Merkel kanë shprehur rezerva për ecurinë e Shqipërisë dhe kanë vënë në pikëpyetje dhënien e miratimit në tetor.

Teksa të gjithë presin përgjigjen e Gjermanisë, prej së cilës varet dhe vota e shumë vendeve të tjera, Edi Rama duket se e ka marrë jo shumë seriozisht çështjen e negociatave. Një fakt që e dëshmon këtë është axhenda e kreut të qeverisë në Berlin. Takimet kryesore ishin sot, ndërsa kryeministri ka vendosur që të rrijë në Berlin për disa ditë dhe të merret me krijimtarinë e tij artistike.

Pas takimit me Merkel, Edi Rama ka vrapuar për në galerinë “Art Berlin Fair” ku do të prezantojë, më datën 15 shtator, librin e tij të ri. Në këtë ceremoni Edi Rama prezantohet vetëm si artist. Bashkë me të janë dhe artisti Anri Sala, si dhe  Martin Herbert, kritik arti. Aktiviteti moderohet nga Silke Hohmann. Nuk dihet sesi financohet aktiviteti i kreut të qeverisë në këtë galeri arti. Sipas informacionit që kanë në faqen zyrtare, hyrja në galeri është 36 euro për person.

Ndërkohë një tjetër faqe e shitjeve online news.artnet.com të veprave të artit, paraditen e sotme ka nxjerrë treg një vepër të kryeministrit Edi Rama. Bëhet fjalë për një pikturë në formatin A4, ku kryeministri ka zhargavitur gjatë takimeve me ambasadorin e Brazilit dhe disa takime të tjera. Kjo vepër arti kushton 3500 euro.

Nga axhenda në galeritë dhe muzetë e Berlinit duket se kreu i qeverisë ka më shumë punë si artist, sesa si politikan. Nuk kuptohet nëse Edi Rama ka shkuar në Gjermani për negociatat apo si tregtarë pikturash.

Piktura 3500 euro e kryeministrit në shitje

 

Njoftimi i galerisë “Art Berlin Fair” për prezantimin e librit të Edi Rama

 

Çmimi i hyrjes në galerinë “Art Berlin Fair”, më 15 shtator