Rama: Mos dëgjoni zhurmën e kënetave politike e mediatike

608
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Aktiviteti “Smile Albania”: Kryeministri: Jam i bindur se ky sezon do jetë surprizë për numrin e turistëve

“Zëri i Amerikës”, media më prestigjioze në Botë dhe zëri i lirë i Demokracisë, ka qenë përherë për shqiptarët, një zë i së vërtetës. Gjatë gjithë viteve të tranzicionit tonë politik, “Zëri Amerikës” ka kontribuar më shumë se cilado tjetër media për demokracinë shqiptare. Mirëpo, është e disata herë, që kryeministri Rama sulmon edhe “Zërin e Amerikës”, siç bën vazhdimisht, kur injoron e tall mediat dhe gazetarët në Shqipëri. Kryeministri Rama, mediat që e kritikojnë në Shqipëri i ka cilësuar vazhdimisht “Kazane”, “ Fekale mediatike”. Një ditë pasi “Zëri i Amerikës” publikoi një investigim në lidhje me inceneratorët e përpunimit të mbetjeve që do të ngrihen në Fier, ku thoshte se pronarët janë të panjohur dhe kompanitë janë të regjistruara në parajsa fiskale, kryeministri Edi Rama iu këshillon qytetarëve të mos dëgjojnë zhurmën ë kënetave politike e mediatike.

STATUSI I RAMËS

A ju kujtohet Sharra e maleve me plehra e zjarre, retë e helmeve mbi tërë zonën e Kombinatit dhe ujërat e helmuar prej degradimit nën diell e nën shi të mijëra tonelatave mbetje në mëshirën e fatit?! Shikojeni se si po fitohet beteja për Shqipërinë e pastër evropiane, mu në zemrën e vendit tonë, përmes një modeli të ri standardesh të Bashkimit Evropian mbledhjeje, përpunimi e prodhimi energjie nga mbetjet me zero impakt negativ për ajrin e shëndetin Dhe gjykojini vetë lumenjtë e baltës së shpifjeve e të akuzave, që vazhdojnë kundër nismave tona në këtë drejtim ku për çerekshekulli nuk u bë asgjë!

Kjo që shihni është një video e projektit, që tanimë po realizohet në Sharrë dhe jo thjesht një projekt në kompjuter. Duke ju garantuar se kështu do ta zhbëjmë mallkimin e plehrave, jo vetëm në Tiranë, Elbasan e Fier, po edhe së shpejti në Durrës e më tej në gjithë Shqipërinë, ju ftoj të gjithëve të mos dëgjoni zhurmën e kënetave politike e mediatike, ku gëlojnë njëmijë e një të zezat kundër këtyre projekteve kaq të dobishme për mjedisin e shëndetin, po thjesht t’u besoni syve tuaj dhe fakteve kokëforta të dobisë së jashtëzakonshme të këtyre nismave, për Shqipërinë e pastër Evropiane që duam për fëmijët tanë.

Vasili: Rama quan “Zërin e Amerikës” kënetë, por është zhytur në pisllëkun e koncesioneve

Kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili ka reaguar pas komenteve të kryeministrit Rama ku u kërkonte qytetarëve të mos dëgjojnë zhurmën e kënetave politike e mediatike, duke iu referuar investigimit të “Zërit të Amerikës” në lidhje me inceneratorët e përpunimit të mbetjeve që do të ngrihen në Fier. Vasili thotë “ Kryeministri u çmend përfundimisht, e quan “Zërin e Amerikës” kënetë. Kryeministri i zhytur në kënetën e padijes dhe pisllëkut të koncesioneve lëshoi një thagmë tjetër dhe quajti kënetë “Zërin e Amerikës”. Se ç’përfaqëson “Zëri i Amerikës” për shqiptarët është e tepërt që ta them unë. Por që “Zëri i Amerikës” ka qenë vigjilent dhe shembull i ndjeshmërisë shembullore kritike kundër cenimit të demokracisë dhe korrupsionit ky është një realitet i padiskutueshëm dhe pikërisht për këtë “Zëri i Amerikës” vazhdon të mbetet të jetë shembulli i standardit më të lartë të integritetit dhe soliditetit profesional dhe parimor. Kryeministri dëshmoi sërish e sërish një standard intelektual e politik mizerabël dhe të një profani, që nuk kupton asgjë dhe i duken armiq të gjithë sa herë që ia vënë në dukje këto. Unë do të vazhdoj ta dëgjoj me besim e shpresë “Zërin e Amerikës”, siç kam bërë për vite e vite të tëra, por nuk kam ndërmend të humb kohën fare me injorancën shumëkatëshe të kryeministrit shkollëpakët.”