Rama i përgjigjet Blushit: Disa me të drejtë kanë kritika, por mos ngatërroni djallin me ujin e shenjtë

429
UPDATE/ Kryeministri Edi Rama prezantoi sot kandidatin e ASHE për Bashkinë Berat në garën e 21 qershorit, Petrit Sinajn.
Sigal

Sipas kryeministrit Rama me qeverisjen e shkuar Bashkia e Beratit ishte e bllokuar sa i takon financimeve të qeverisë dhe qyteti ishte i asfiksuar.

“Mirënjohje për gjithçka bëri Nasipi si kryetar bashkie duke punuar në kushte shumë të vështira. Berati u kthye në zonë të izoluar dhe bllokuar se iu pre rruga, u bë torturë e pashoqë për ata që udhëtonin nga Berati në Lushnje dhe Tiranë…Jo vetëm iu pre rruga, por iu bllokuan institucionet. Bashkia e Beratit ishte e marrë peng…Dikush në Tiranë e shikonte këtë territor si më armiqësorin, si zonën prej ku fryma e revoltës së keqqeverisjes së tij ishte më e fortë se diku tjetër…18 muaj më parë në Berat nuk vije dot, jemi në përfundim të rrugës që lidh Beratin me Lushnjen e më tej. Kemi një ambicie më të madhe se kaq…Rrugë turistike europiane për të ardhur në Berat”, tha Rama.

“Asnjë bashki në Shqipëri s’bën pa mbështetjen e qeverisë, ndoshta përveç asaj në Tiranë”, tha ai.

Rama premtoi se Berati brenda pak vitesh “do të nxjerrë të ardhura të mjaftueshme nga turizmi që ta bëjë bashkinë më të pasuren”. Por kryeministri tha se duhet koha e duhur dhe punë për të arritur këtë objektiv “se nga e thëna në të bërë duhet një det i tërë”.

Rama duke folur për kandidaturën e PD në Berat u shpreh: “Pa hyrë se kush është, edhe sikur të jetë ndonjë burrë i mirë, se mesa di s’është ndonjë far burri. Por ç’rëndësi ka kjo edhe sikur të ishte burrë i mirë. Ça doni të bëni më 21 qershor? Doni të votoni projektin e madh transformues? Apo t’i jepni oksigjen SHQUP-it?…Ata s’ju duan votën për punë, që ata t’i nxjerrin aty te sheshi që ka bërë Fadili të thonë na ka bllokuar Fadili…”.

Rama sulmoi Lulzim Bashën duke thënë se s’ka bërë asgjë për Tiranën. “Ai s’do mbahet mend fare. Se ishte edhe një Xhemal Tafaj, por ai të paktën i vuri ca drita në Tiranë…Brojka ndërtoi ca pallate, keq i ndërtoi, por i bëri. Po ky ça bëri? Zero.”, tha.

Sipas Ramës Sinaj është personi i duhur për të drejtuar Bashkinë e Beratit. “Kemi një kandidat 100% të përbashkët…Kemi një qeveri që është e vendosur t’i mbajë sytë nga Berati, për të shlyer një borxh të madh në rradhë të parë ndaj historisë që e rrënoi në 20 vjet…Edhe pse në rrethim e të bllokuar e të sakatuar nga një pushtet armiqësor në Tiranë gjithmonë votën e çuan në drejtimin e duhur. Tani që koha erdhi…të gjithë sëbashku votojmë Petritin. Të vazhdojmë punën e nisur me Fadilin”.

Rama tha se kryebashkiaku aktual i Beratit është shembull për t’u ndjekur, teksa iu përgjigj indirekt edhe kritikave për mënyrën e qeverisjes që vijnë nga rradhët e socialistëve.

“Fadili mund të thoshte unë kam kaq vite që kam investuar moralisht, fizikisht, familjarisht në një betejë të humbur e tani që erdhët ju do më hiqni? Fadili ka ardhur më ka takuar para se të vendosnim se kush do ishte, tha jam socialist dhe jam në dispozicion të çdo zgjedhje dhe vendimi të ASHE e qofsha në Bashki e qytetar i thjeshtë do mbështes me të gjitha forcat projektin e madh të ‘Rilindjes’. Shembull për ata që mund të jenë hatërmbetur me ndonjë gjë, e me të drejtë kanë kritika. Por mos të ngatërrojmë djallin me ujin e shenjtë. Më thoni një sektor ku nuk është marrë kthesa e duhur? Ku reformat s’kanë prekur thelbin e problemit? S’ka asnjë sektor. Këto refoma do të na japin ato rezultate që i kemi pritur 20 e ca vite…”, tha Rama, duke nënvizuar se reformat janë “ilaçe të pashmangshme”.

Rama premtoi në Berat investime dhe programe punësimi në 4 vitet e ardhshme.

“Janë ca që thonë s’na duhen gjëra të bukura, na duhet bukë. A keni parë ndonjë lagje në botë që të jetë e shëmtuar e me psillëk e të jetojnë mirë? Jo, se ato shkojnë të gjitha bashkë. Në 4 vitet e ardhsme do bëjmë sa ça s’është bërë në 45 vjet, këtu do jemi. Gjërat s’bëhen me shkop magjik e se i thotë qeveria, por bëhen të gjithë sëbashku”, tha Rama.

“Ajo që tha kryeministri do e implementojmë jo vetëm për Beratin, por edhe për të gjithë fshatrat. Shërbime cilësore siç bëmë në këto 18 muaj. Berati është kthyer në një kantier ndërtimi në këto 18 muaj e do vazhdojë kështu edhe në 4 vitet e ardhshme. Premtoj shërbime cilësore, shkolla, sistemin e vaditjes, kullimit…”, premtoi kandidati Sinaj në fjalën e tij.

Shërimi i plagëve të lëna nga qeverisja paraardhëse janë reformat, të cilat kreu i qeverisë i cilësoi si “ilaçe të pashmangshme” për Shqipërinë. Duke ironizuar qeverisjen e ish-kryeministrit Berisha, që siç Rama e ka theksuar vazhdimisht “nuk bëri reforma me qëllim mbajtjen e karriges së pushtetit”, shefi i mazhorancës bëri një batutë kur tha se: “Reformat janë ilaç dhe janë ilaçe të pashmangshme, nuk janë karamele. Me karamele e pamë se ku përfunduam”
Deklarata e kreut të qeverisë u bë nga qyteti i Beratit, ku u prezantua kandidati i Aleancës për Shqipërinë Evropiane për zgjedhjet e 1 Qershorit, Petrit Sinaj.
Rama theksoi se vetëm vizioni i qeverisë dhe mbështetja ndaj qytetit të Beratit mund t’i përkthejë bukuritë e tij në të ardhura. Po ashtu kryeministri vuri në dukje punën e bërë këto 18 muaj nga kryetari aktual Fadil Nasufi në qytet.
“Kemi bërë punë së bashku me Fadilin duke hequr plehrat. Kjo gjë do të sjellë shumë më tepër turistë dhe do të nxjerrë të ardhura duke e bërë Beratin një ndër bashkitë më të pasura në vend. Berati sot është pjesë e thesarit të trashëgimisë, por pa vizionin e një qeverie dhe mbështetjen e saj nuk do të mund të jetë e tillë”, – u shpreh Rama.
Edhe Sinaj në fjalën e tij u shpreh se “programi i qeverisjes lokale është që ato që shohim në qendrën e qytetit të Beratit t’i shohim në të gjithë lagjet dhe fshatrat e tij. Berati është kthyer në një kantier ndërtimi në këto 18 muaj prandaj ne duam t’i ofrojmë banorëve më tepër shkolla, qendra shëndetësore, kanale kulluese e gjithçka që për banorët”
Kreu i qeverisë kërkoi mbështetjen nga të gjithë qytetarët e Beratit duke theksuar se reformat janë në thelb të qeverisjes së majtë dhe se do të vazhdojnë të jenë të tilla me ndihmën e qytetarëve.