Rama: Deri në fund të 2015 synojmë rritjen e Ekonomisë 3%”

490
TIRANË- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka dalë sot para gazetarëve për një bashkëbisedim, mbi punën e qeverisë në vitin e dytë të drejtimit të vendit. Rama e quajti pasqyrë të gjerë për qeverisjene e 300 ditëve të dyta. Duke nisur me ekonominë, Kreu i ekzekutivit tha se qysh në 3-mujorin e parë të qeverisjes u thye trendi negativ dhe filloi kthesa pozitive, çka konfirmohet edhe në 3 mujorin e parë të vitit 2015.
“Pasqyrë e gjerë e atyre fakteve dhe shifrave besoj krijojnë një pamje kuptimplotë për qeverisjen e 300 ditëve të dyta pas 300 ditëve të para që ishin vendimtare për të përcaktuar kthesën e domosdoshme dhe për të piketuar drejtimin e duhur.
Së pari po nis me ekonominë, duke kujtuar se qysh në 3-mujorin e parë të qeverisjes u thye trendi negativ dhe pas një sërë 3-mujorësh paraardhës në rënie filloi kthesa pozitive dhe faktikisht gjatë vitit 2014 që pasoi 3-mujorin e parë të qeverisjes, ekonomia vazhdoi në rrugën e qëndrueshme të kthesës, duke ruajtur trendin e qëndrueshëm pozitiv dhe duke qëndruar në harmoni me parashikimet qysh me nënshkrimin e programit me FMN. Viti 2014 u mbyll me një rritje 2.12%. Është inkurajuese që 3-mujori i parë i 2015 shënon vazhdimësinë e trendit të rritjes, dhe u mbyll me një shifër të kënaqshme. 2.82 % kundrejt 3 mujorit të parë të 2014-ës, është një shifër mjaft domethënëse”, deklaroi kryeministri Edi Rama.
Ai tha se ndikim në këtë rritje pati shlyerja e borxheve ndaj sipërmarrjeve. Rama u shpreh se shlyerja e borxheve ishte një proces transparent dhe me zero ankesa për korrupsion. Kryeministri shtoi gjithashtu se larja e borxheve solli zinxhir edhe efekte të tjera pozitive, pasi sipërmarrjet shlyen detyrimet e prapambetura tatimore dhe kreditë.
“Shlyerja e 350 mln dollarë detyrime të prapambetura dhe mbërritja sot në 641 mln dollarë kanë patur një impakt të drejtpërdrejt në konsolidimin e trendit të rritjes ekonomike. Kjo ishte një procedurë transparente dhe e drejtë. Ndërkohë shumë pretendime të cilat mund të kenë qenë edhe të bazuara de fakto por jo de jure nuk janë marrë parasysh. Plus kësaj, ky ka qenë një proces me ankesa për korrupsion zero. Pasi metoda e përdorur duyke i shlyer të gjithë detyrimet mbi bazën e një radhe jo të përcaktuar nga qeveria, por të përcaktuar nga koha e borxheve, ka garantuar që procesi të jetë tërësisht i pakontestueshëm. Nga ana tjetër, një pjesë e fondeve të siguruara nga shlyerja e borxhit janë përdorur nga sipërmarrjet për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura tatimore. Një pjesë e këtyre fondeve janë përdorur nga sipërmarrjet edhe për të shkyer kreditë. Në këtë kontekst, ky operacion ka pasur rolin e vetë në parandalimin e rritjes së kredive të këqija dhe në një masë të caktuar edhe në uljen e tyre. Kur erdhëm ne kreditë e këqija në shifra alarmante. Në dhjetor të 2014 u ulëm nën 23% dhe në maj të 2015-ës jemi nëen 22%”, u shpreh Rama.
Rama: Borxhi është ruajtur në nivelin 69.9%
Kryeministri Rama është ndalur tek situata financiare në vend, duke u shprehur se borxhi është ruajtur në nivel të qëndrueshëm në 69.9 %. Ndërkaq, Rama tha se qeveria e tij ka njohur dhe shlyer borxhet ndaj kontraktorëve.
“Ka një rritje të konsiderueshme të depozitave në bankat tregtare. Tjetër hap i rëndësishëm në kapërcimin e një situate kaosi në llogaritë e shtetit është mbajtja e qëndrueshme e borxhit të jashtëm. Për 6-mujorin e parë të këtij vitit, treguesi i borxhit është 69.9 %. E them këtë për të gjithë ata që i bien zurnave të fryra kur flasin për borxhin. Mos harrojmë që janë shlyer shumë borxhe të prapambetura. Ne bëmë legalizimin e një borxhi që qeveria nuk mund të mos ua njihte apo shlyente të gjithë kontraktorëve për punët apo shërbimet e kryera. Falë strategjisë së menaxhimit të financave publike i hapët rrugë përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë së përdorimit të fondeve publike. Kjo strategji është vlerësuar maksimalisht nga partnerët. Jemi drejt përfundimit të analize të thelluar të të gjithë elementëve. Por e sigurtë është që jemi në kushtet e ndryshimit të modelit ekonomik”, tha Rama.
Më tej kreu i qeverisë është ndalur edhe tek problemi i papunësisë, duke u shprehur se masat e ndjekura deri më tani po fillojnë të japin rezultat.
“Referuar anketës së forcave të punës, krahasuar me tremujorin e parë të 2014 numri i të punësuarve është 10 % më i lartë, dhe kemi një rritje me 103 mijë persona. Sigurisht kjo nuk do të thotë se është zgjidhur problemi i papunësisë në vend, por na flet për efikasitetin e politikave të qeverisë. 100 mln dollarë i janë shtuar arkës së shtetit si shumë në dispozicion të pensioneve, si rezultat i rritjes së numrit të personave të nxjerrë nga skllavëria e punës në të zezë dhe të formalizuar” vijoi kryeministri Rama.
Rama: Jam krenarë për reformën e pensioneve 
Duke u ndalur tek reforma e pensioneve, Rama tha se qeveria që ai drejton ka bërë më shumë se çdo qeveri tjetër deri më tani, qoftë e majtë apo e djathtë.
“Reforma e pensioneve është një çështje me rëndësi për të cilën jemi krenarë që çka kemi arritur gjatë qeverisjes së deritanishme. Kemi rritur fondin për mbështetjen sociale. I dhamë fund tavanit që i mbante pensionistët nën 240 mijë lekë, dhe siguruar rritje reale pensionesh për të gjitha fashat sipas kontributeve të tyre. Vendosëm pensionin social. Ulëm moshën e daljes në pension për minatorët”, tha Rama.
Rama: 100 mijë lekë shtesë çdo muaj për mjekët që do të ushtrojnë profesionin në zona të tjera
Kryeministri Rama është ndalur në fjalën e tij edhe sa i takon reformës në shëndetësi dhe ofrimit të shërbimit cilësor ndaj qytetarëve. Rama tha se do të ketë pagesë shtesë për ata mjekë që do të ushtrojnë profesionin e tyre larg zonave të tyre të banimit.
“Është me rëndësi reforma në sistemin e shëndetësisë. Synohet modernizimi i shërbimeve ndaj qytetarëve. Po krijojmë një portal unik për shërbimet. Do të stimulohen ata mjekë që duan ta ushtrojnë ashtu si duhet profesionin e tyre. Kështu do të ketë një pagesë shtesë për 100 mijë lekësh çdo muaj për ata mjekë që do të ushtrojnë profesionin e tyre larg zonën së tyre të banimit, pra në një zonë tjetër”, tha Rama. <
Rama batuta me gazetarët: Qeveria do “rifreskohet” në gusht, e do rikthehet e freskët në punë. S’do ketë ndryshime
Kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë çdo mendim nëse do të ketë ndryshime në Qeveri. I pyetur nga gazetarët nëse do të ketë “rifreskim” të qeverisë, pra ndryshime në kabinet, kryeministri Rama ka zgjedhur t’i përgjigjet me humor, ndërsa më pas është ndalur konkretisht tek aksionet që parashikohen të nisin në shtator.
“Rifreskimin qeveria do ta bëjë gjatë muajve të gushtit. Çdo qeveritar do shkojë të freskohet në gusht e do vijë i freskët në punë. Nuk kemi ndërmend ndryshime në qeveri. Në shtator do të fillojmë një tjetër aksion të madh që do jetë i ngjashëm me atë të energjisë, territorit, mbylljes së universiteteve, etj. Sa i takon natyrës dhe ashpërsisë, do të jetë aksioni kundër informalitetit. Do të ketë masa kundër korrupsionit, punës në të zezë, evazionit, apo atyre shfaqjeve që kanë bërë që Shqipëria të jetë në këtë situatë që është sot”, tha Rama.
Rama: Në parlament s’ka njerëz me probleme me ligjin
“Në kushtet e sotme, në parlamentin e Shqipërisë, nuk ka njerëz të cilët kanë probleme me ligjin, por në kuptimin, s’ka që kanë rishtaz, s’janë futur në parlament njerëz që kanë pasur probleme të hapura me ligjin. Kam qenë i pari që kam kërkuar dëshmi penale. Gjykime të ndodhura shumë larg në të shkuarën apo edhe afër por përtej kufirit të dëshmisë penale, adresohen me ligj nëse duam ti adresojmë, dhe ne do i adresojmë me ligj. Kjo për mua është të përballesh me një fenomen që është i padëshirueshëm. Ndërsa këto luftërat që i ngjajnë formave inkuiziconale, dhe s’marrin parasysh kontekstin, janë të papranueshme…Këtu politika adreson fenomene, për këtë janë politikat. s’merr përsipër të përvëlojë njerëz.
Duke adresuar fenomenin ata që përfshihen në atë kuadër kanë kufizimin e tyre. Ata që janë dënuar edhe e kanë kryer dënimin në kushtet e Kushtetutës dhe ligjit ne Shqipëri dhe ne vendet e Evropës, janë persona të cilët kanë të drejtë të zgjedhin dhe të zgjidhen. Sikur PD të kishte pasur vizion, s’kanë ku ta gjejnë, dhe vullnet, ne do ta kishim bërë me kohë ligjin. Pritëm propozimet e tyre, na erdhën ca paçavure, …ne s’mundëm të shkonim pas atyre paçavureve, tani do shkojmë ne ta çojmë draftin dhe do ta miratojmë draftin me ose pa ata. Në zgjedhjet e ardhshme ky fenomen do jetë i përballuar, do jetë i shtritë edhe në administrata. ne nuk kemi kandiduar asnjë njeri me rekorde kriminale, se për mua rekorde kriminale janë ato që janë të gjykuara, qoftë edhe në shkallën e parë, ndalime, hetime, përpunime, këto janë pjesë e proceseve që nuk kanë vlerë nga pikëpamja e gjykimit”, tha Rama.
Sigal