Rajoni i ankoruar në BE, është aspirata dhe garancia për paqe dhe prosperitet

221
Presidenti Meta merr pjesë në Samitin e Krerëve të Shteteve të Procesit të Brdo-Brijunit
Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë dje në Samitin e Krerëve të Shteteve të Procesit të Brdo-Brijunit: Kroacisë, Sllovenisë, Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës, i cili po zhvillohet aktualisht në Shkup të Maqedonisë. Në këtë Samit marrin pjesë si të ftuar të posaçëm Presidenti i Këshillit Evropian, zoti Donald Tusk dhe Kryeministri i Bullgarisë, zoti Boyko Borisov.
Meta: Kemi kthim mbrapa tek retorikat dhe veprimet provokuese
Presidenti i Republikës, Ilir Meta duke folur në Samitin e Krerëve të Shteteve të Procesit të Brdo-Brijunit, që u zhvillua në Shkup të Maqedonisë theksoi se, fatkeqësisht, në muajt e fundit kemi parë kthim mbrapa tek retorikat dhe veprimet provokuese, të cilat sidoqoftë kanë qenë të izoluara. Kreu i Shtetit shprehu mbështetjen e ambicies për integrimin në NATO për të gjitha vendet e rajonit që e aspirojnë dhe nënvizoi se anëtarësimi i Shqipërisë në Aleancën Transatlantike nuk është kundër ndonjë vendi tjetër në rajon, por për të forcuar arkitekturën e sigurisë së rajonit, që ende është i paqëndrueshëm. Gjithashtu, Presidenti Meta shprehu shqetësimin për presionin e intensifikuar nga aktorë jashtë rajonit që shoqërohet me retorikë kundra NATO-s dhe BE-së dhe që synon të destabilizojë rajonin. Presidenti Meta bëri thirrje për një vëmendje dhe angazhim më të madh e të koordinuar të BE dhe NATO-s, në funksion të një perspektive të qartë evropiane, si dhe për një mbështetje efektive politike, ekonomike dhe financiare për ta realizuar këtë perspektivë një një kohë sa më të shkurtër. Duke u ndalur tek procesi i integrimit evropian, Presidenti Meta theksoi se integrimi i rajonit në BE nuk është vetëm një ambicie e përbashkët, por garantuesi më i mirë i paqes, stabiliteti dhe prosperitetit, në interes të rajonit, por dhe në interesin më të mirë të vetë Bashkimit Evropian. Në fund të Samitit, Krerët e Shteteve të Procesit të Brdo-Brijunit të pranishëm miratuan një deklaratë të përbashkët, ku theksuan nevojën e një sinergjie më të madhe në iniciativat rajonale dhe mekanizmat për të ndërtuar një rajon gjithëpërfshirës. Ata i bënë thirrje gjithashtu BE-së për të vijuar mbështetjen për zhvillimin e integrimit ekonomik ndër-rajonal në mënyrë që të rrisë interesin e tregut rajonal dhe vijuar me rritjen ekonomike. Samiti i ardhshëm i Procesit të Brdo-Brijunit do të organizohet nga Presidenti Meta në Shqipëri, gjatë vitit 2019.
Retorika anti NATO dhe Anti BE si nxitëse të konflikteve ndërnacionale
E kemi theksuar në të gjitha rastet që bashkëpunim rajonal është përmirësuar në mënyrë drastike dhe kemi parë rezultate në shumë fusha. Kemi përdorur çdo rast për t’u angazhuar në dialog të drejtpërdrejtë, megjithëse jo gjithmonë kemi rënë dakord. Kemi bërë të mundur që përmes ambicies së përbashkët për integrimin evropian të krijojmë një klimë më të mirë të besimit reciprok dhe mirëkuptimit, kyç kjo për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit tonë. Por, fatkeqësisht në muajt e fundit janë kthyer në vëmendjen tonë retorika provokuese e veprime shumë të rrezikshme, të cilat fatmirësisht kanë mbetur të izoluara. Gjithashtu, anëtarësimi ynë në Aleancën Transatlantike nuk është drejtuar kundra ndonjë vendi apo rajoni tjetër, por për të forcuar sigurinë e arkitekturës së sigurisë në një rajon ende të brishtë. Disa presione që vijnë nga jashtë rajonit tonë janë të shoqëruara me retorikë anti NATO dhe anti BE, si dhe si nxitëse të konflikteve dhe ndarjesh etnike, duke kërkuar që ta destabilizojnë rajonin. Besoj fort se vendet tona nuk duhet të bien pre e këtyre lloj lojërash, të cilat nuk kanë fitues, por vetëm humbës. Në këtë situatë, bëj thirrje për një vëmendje dhe angazhim të përbashkët nga BE dhe NATO, që rajoni të ketë një perspektivë të qartë evropiane, si dhe një mbështetje efektive politike, ekonomike e financiare, që do ta realizonte në kohën më të shkurtër të mundshme këtë perspektivë.
Shqipëria do të vijojë të jetë një mbështetëse e fuqishme e politikës së dyerve të hapura të NATO-s për rajonin tonë
Gjithashtu, përgëzoj angazhimin e Presidentëve Thaçi dhe Vuçiç, për vijimin e dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, duke përfshirë dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani. Dëshiroj të shpreh mbështetjen e plotë të Shqipërisë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, si një arritje strategjike për Maqedoninë, por edhe për rajonin. Shqipëria do të vijojë të jetë një mbështetëse e fuqishme e politikës së dyerve të hapura të NATO-s për rajonin tonë. Dëshiroj të ndalem tek procesi i integrimit evropian. Të gjithë biem dakord, që strategjia e zgjerimit të Komisionit Evropian rikonfirmoi një perspektivë të qartë evropiane për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor. Sikurse pohoi edhe Presidenti i Komisionit Evropian Juncker, dhe sot Presidenti i Këshillit, miku ynë Donald Tusk, një rajon i ankoruar në BE, është jo vetëm aspirata jonë e përbashkët, por është edhe garancia më e sigurt për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin tonë. Ky është interesi më i mirë i këtij rajoni, dhe ky është interesi më i mirë për Bashkimin Evropian. Vendi im dhe Maqedonia fqinje morën së fundmi një rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave të anëtarësimit nga Komisioni Evropian. Vendimi i Këshillit të qershorit do të jetë me rëndësi strategjike për secilin prej proceseve tona, por edhe për rajonin në tërësi. Të tillë e konsideroj edhe një vendim të merituar për liberalizimin e vizave me Kosovën, qytetarët e së cilës mbeten të vetmit të privuar nga kjo e drejtë në rajon.