Qeveria u jep tokë falas privatëve, që “do të ndërtojnë” shkolla e spitale private

45

Kjo iniciativë  në arsim dhe shëndetësi, është favorizim i pandershëm i monopoleve

Me vendimin e fundit  të qeverisë, privatëve që investojnë në ndërtimin e shkollave private dhe të spitaleve private, do t’ju jepet tokë falas. Që të justifikojnë  këtë  logjikë qeveritare, shpjegimin e dhanë në… nxitjen e investimeve. Gjithsesi, çdo logjikë tjetër është jashtë çdo normaliteti juridik, ekonomik e shoqëror. Mirëpo, është absurde, që qeveria të favorizojë  deri në këtë shkallë iniciativën private në arsim dhe shëndetësi, duke u dhënë tokë falas, për më tepër, nuk përcaktohet sipërfaqja.  Do t’u japë sipërfaqe të pakufizuar? Kur, ndërkohë, qeveria po shkurton fondet e saj, pikërisht, në arsimin dhe shëndetësinë.  A ka projekte shteti që të ndërtojë shkolla dhe spitale publike, për të cilat ka kaq shumë nevojë popullsia?  Mos dëshiron  shteti, që me vendime të tilla, të rrënojë plotësisht arsimin dhe shëndetësinë publike? Dhënia e tokës falas privatëve të investojnë në ndërtimin e objekteve në arsim dhe shëndetësi, është një favor i pandershëm, i shtrirë në dy hapësira të konkurrencës së pabarabartë, që përpiqet shteti të favorizojë pandershmërisht.  Së pari, vetë shteti, me të tilla iniciativa të papara dhe të padëgjuara, në asnjë vend tjetër, dërmon shëndoshjen e arsimit dhe shëndetësisë publike, duke treguar qartazi, se prioritet i saj është iniciativa private. Po, në këto kushte të rënda ekonomike, sa për qind e popullit mundet të përballojë arsimin dhe shëndetësinë private?  Siç duket, kjo anë sociale nuk i intereson fare kësaj qeverie. Dhe, në planin e dytë, të konkurrencës së pandershme edhe në vetë sektorin privat. Së pari, lind pyetja: Cilët do të jenë ata që do të favorizohen nga kjo iniciativë e qeverisë? Sigurisht, të paktë. Atëherë, duke qenë selektive, e lehtë është që të mendosh, se, kësisoj,  qeveria do të ndihmojë ato  subjekte biznesi, edhe në arsim edhe në shëndetësi, që janë mbështetës të saj. Ose, që të vendosë konkurrencën e lirë e të ndershme, mos vallë, qeveria, duhet të shpërblejë  edhe ato subjekte biznesi, që deri tani e kanë blerë tokën? T’i nxisë këto subjekte që mund të shesin objektet e tyre dhe-në bazë të vendimit qeveritar- të përfitojnë tokën falas? Po përse ky vendim nuk mund të shtrihet edhe në favor të investimeve të biznesit edhe në fusha të tjera?  Përse të jetë qeveria ajo që të përcaktojë arsimin dhe shëndetësinë si prioritet i investimit (të saj) privat? Dhe cila është logjika ligjore, që qeveria, pikërisht, në arsim dhe shëndetësi, u krijon këtë privilegj, dhënien e tokës falas, investitorëve privatë? Rastësisht, një nga vendimet e fundit të qeverisë, ishte edhe urdhri për Ministrinë e Financave që të  ekzekutojë  vendimet e vitit 2010 të  Gjykatës së Strasburgut, në bazë të së cilave detyrohet  shteti shqiptar të dëmshpërblejë qytetarët shqiptarë për moszbatimin e kompensimit të pronave.   Këto ditë po kjo Gjykatë Ndërkombëtare gjobiti Shqipërinë me 3 milionë të tjerë, për moszbatimin e vendimeve të saj për kompensim të ish-pronarëve të tokave. Si ka mundësi, që, njëkohësisht, kjo qeveri të japë toka shtetërore falas, disa privatëve që do të ndërtojnë shkollë e spital privat, kur, ndërkohë, nuk ka mundësi, as financiare dhe as fizike, që të kompensojë me tokë ish-pronarët? Cilën tokë, shtetërore do të japë falas shteti privatëve, kur nuk ka mundësi të bëjë kompensimin fizik të ish-pronarëve të tokave? Cilën tokë shtetërore do të falë privatëve kjo qeveri, kur pronarët e vërtetë  të pronës shtetërore, nuk është shteti, por të gjithë shtetasit?