Ministri Panariti takohet me homologun australian Bob Carr

464
Sigal

Pas shumë vitesh Shqipëria “zbulon” Australinë. Ka qenë ministri i jashtëm zyrtari i parë pas një periudhe të gjatë që shkel në Kambera në një vizitë zyrtare e para e një niveli të lartë. Dhe në takimin e parë që ministri i jashtëm Panariti pati me homologun Bob Carr deklaroi se, Australia, pavarësisht largësisë gjeografike, konsiderohet si një vend me të cilin ekziston një potencial i gjerë bashkëpunimi politik dhe ekonomik. Takimin kryediplomati e shfrytëzoi për të prezantuar potencialet e mëdha që ka Shqipëria të cilat mund të përdoren nga investitorët australianë. Ai ftoi komunitetin Australian të biznesit që të investojë disa sektorë të ekonomisë shqiptare të cilat qeveria shqiptare i konsideron prioritare duke ofruar edhe lehtësirat e nevojshme, siç janë sektori i energjetikës, minierave, infrastrukturës dhe turizmit, Përballë kësaj kërkese senatori  Carr garantoi për vullnetin e qeverisë për të zgjeruar projektet dhe investimet australiane në shumë sektorë të ekonomisë shqiptare si dhe për të nxitur fluksin e shkëmbimeve tregtare. Të dy bashkëbiseduesit theksuan angazhimin e përbashkët për të forcuar bashkëpunimin shumëpalësh në kuadrin e organizatave ndërkombëtare, përfshirë NATO-n dhe OSBE-në. Në kuadër të kësaj vizite 2 ditore, Ministri i Punëve të Jashtme, u prit nga Presidenti i Senatit Australian Z. John Hogg. Të dy bashkëbiseduesit e vlerësuan si shumë të rëndësishëm rritjen e dialogut ndërparlamentar mes të dy vendeve duke shtruar nevojën e vendosjes së kontakteve ndërmjet grupeve dhe komisioneve parlamentare. Presidenti i Senatit Hogg, vlerësoi reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në kuadrin e integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe rolin e Shqipërisë si faktor stabiliteti në rajon e më gjerë.