Qeveria publikon përfundimet e dialogut të Nivelit të Lartë, Shqipëri-BE

438
Sigal

Komisioneri Fule: Shqipëria duhet të vazhdojë të japë rezultate konkrete lidhur me, reformën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe asaj gjyqësore

Qeveria zbardh vendimet e marra gjatë dialogut të nivelit të lartë BE-Shqipëri. Sipas njoftimit takimi përshëndeti Rezolutën e Parlamentit mbi integrimin në BE të votuar njëzëri në nëntor 2013, çka demonstroi ekzistencën e konsensusit politik. Sipas qeverisë zbatimi i angazhimeve të ndërmarra nëpërmjet kësaj rezolute janë thelbësore.

Përfundime të përbashkëta

1. Kryeministri Edi Rama dhe Komisioneri Stefan Fule drejtuan takimin e dytë të Dialogut të Nivelit të Lartë (DNL) mbi Përparësitë Kyçe mes Shqipërisë dhe Komisionit Evropian më 6 mars 2014. Seanca plenare përfshiu pjesëmarrjen e ministrave të qeverisë, si dhe një pjesëmarrje të zgjeruar të opozitës.

2. Takimi përshëndeti Rezolutën e Parlamentit mbi integrimin në BE të votuar njëzëri në nëntor 2013, çka demonstroi ekzistencën e konsensusit politik. Zbatimi i angazhimeve të ndërmarra nëpërmjet kësaj rezolute është thelbësor.

3. Takimi i dytë i DNL zhvillohet pas Këshillit të dhjetorit 2013 që “mirëpriti miratimin me konsensus ndërpartiak nga Shqipëria të masave përkatëse kyçe për reformën e gjyqësorit, administratës publike dhe reformën parlamentare, si dhe kryerjen me sukses të zgjedhjeve parlamentare në qershor”.

4. Takimi vendosi se, është thelbësore që, Shqipëria të vazhdojë përpjekjet për reforma dhe të vazhdojë të paraqesë prova të rezultateve të arritura, duke u fokusuar te shteti i së drejtës, përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Lidhur me funksionimin e institucioneve të pavarura të vendit ai theksoi se, si opozita ashtu dhe qeveria duhet të tregojnë tani përmbajtje dhe të garantojnë respektimin e plotë të legjislacionit të zbatueshëm dhe parimeve të tij.

5. Komisioneri Fule përshëndeti projektin e Udhërrëfyesit për 5 Përparësitë Kyçe, si një dokument të strukturuar mirë me afate realiste. Ai theksoi rëndësinë e vëmendjes së veçantë gjatë muajve të ardhshëm për të garantuar zbatimin e tij të qëndrueshëm dhe në kohë, veçanërisht lidhur me masat afatshkurtra në fushën e shtetit ligjor, përfshirë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

6. Komisioneri Fule theksoi se, Komisioni është i gatshëm ta mbështesë Shqipërinë me ekspertizë dhe mbështetje financiare.

7. Kryeministri Rama konfirmoi angazhimin e qeverisë së tij për forcimin e mëtejshëm të progresit të madh të arritur në reformat që lidhen me BE-në, veçanërisht për vazhdimin e zbatimit të reformave në fushën e shtetit të së drejtës, përfshirë politikën kundër korrupsionit, reformën gjyqësore dhe luftën kundër krimit të organizuar.

8. Qeveria shqiptare konfirmoi angazhimin e saj për një dialog politik konstruktiv dhe të qëndrueshëm me opozitën, çka është jetike për qëndrueshmërinë e procesit të reformave. 9. Komisioneri Fule, përshëndeti angazhimet e qeverisë shqiptare për të garantuar zbatimin e qetë të Ligjit për Shërbimin Civil me po atë frymë dialogu dhe bashkëpunimi që çoi në miratimin e tij në maj 2013; për finalizimin e strategjisë kundër korrupsionit dhe hedhjen e hapave për zbatimin e saj lidhur me përmirësimin e efikasitetit të veprimit në këtë fushë; për angazhimin me Komisionin e Venecias lidhur me procesin e reformimit të sistemit gjyqësor dhe për garantimin e zbatimit të qetë të legjislacionit në këtë fushë; si dhe për intensifikimin e luftës kundër krimit të organizuar përmes veprimtarive specifike dhe bashkëpunimit të përforcuar mes organizmave të zbatimit të ligjit.

10. Qeveria mbetet e angazhuar ndaj përfshirjes së organizatave dhe grupeve të shoqërisë civile në procesin e reformave. Për këtë qëllim, Udhërrëfyesi për 5 Përparësitë Kyçe është ndarë me aktorët dhe organizatat e shoqërisë civile për komente dhe sugjerime.

11. Për t’u përgatitur për takimin tjetër të DNL të parashikuar në qershor 2014, u vendos që kontaktet në nivel pune të intensifikohen dhe të sigurohen raporte të rregullta mbi zbatimin e udhërrëfyesit nga pala shqiptare.

Konkluzionet Shqipëri-BE, Bregu: Pa praninë e opozitës dhe të njëanshme‏

 Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrimin deklaroi se, opozita është njohur vetëm sot me konkluzionet e dialogut Shqipëri-BE. Sipas Majlinda Bregut, konkluzionet e publikuara pa dijeninë e opozitës, nuk reflektojnë shqetësimet e saj për shkeljen e standardeve demokratike nga qeveria, për situatën e rëndë të kriminalitetit për shkarkimin e 5 mijë nëpunësve e zhbërjen e shumë arritjeve që po vënë në rrezik marrjen e statusit

Ish-ministrja e Integrimit, akuzon maxhorancën për atë që e cilëson si zerim të dialogut me opozitën, duke mos marrë në konsideratë mendimin ndryshe të PD-së në tryezën e Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri-BE. “Ne jemi njohur me këto konkluzione vetëm sot, nuk na janë bërë dje të ditura. Gjithëpërfshirje do të thotë përfshirje e mendimit ndryshe të paraqitur nga ne në tryezë, të cilat qeveria duhet t’i marrë në konsideratë nëse kërkon bashkëpunim. Sot në Shqipëri maxhoranca e ka zëruar dialogun politik, ky nuk është standard evropian, është diktat.”- deklaroi Bregu.