Banka Botërore, menaxhimi i mirë i kontratave, hap drejt përdorimit efikas dhe transparent të burimeve

419
Sigal

Zyra e Prokurimit Rajonal e Bankës Botërore për Rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore dhe Zyra e Bankës Botërore në Tiranë, në bashkëpunim me Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit (ILO ) në Torino, organizoi një seminar rajonal tre-ditor për menaxhimin e kontratave. Qëllimi i seminarit ishte të jepte informacione dhe udhëzime të rëndësishme për menaxhimin e kontratës – nga fillimi deri në përfundim – për specialistët e agjencive zbatuese që punojnë për projektet e financuara nga Banka Botërore. Seminari u ndoq nga 50 specialistë dhe zyrtarë nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Kosova, IRJ e Maqedonisë dhe Serbia. Ekspertët e Bankës Botërore dhe ITC (ILO), prezantuan pikat kryesore të menaxhimit të kontratave, të lidhura me raste studimore, për çështje tipike, për çdo fazë dhe nga vende të ndryshme. Seminari ndihmoi shkëmbimin e njohurive dhe ideve, me qëllim përmirësimin e zbatimit dhe transparencës së kontratave. U theksua se, menaxhimi i kontratës është një pjesë integrale e procesit të prokurimit, që kërkon koordinimin dhe bashkëpunimin e të gjitha palëve të interesuara gjatë kohëzgjatjes së saj. Menaxhimi i mirë i kontratës, kontribuon në përdorimin efikas dhe transparent të burimeve për qëllimet e synuara dhe për rezultate më të shpejta të zhvillimit”. Drejtoresha e Zyrës së Bankës Botërore në Tiranë, Tahseen Sayed, u shpreh në fjalën e saj hyrëse se: “Mungesa e efikasitetit në fazën pas shpalljes së fituesit, mund të çojë në zgjatjen e kohës dhe rritjen e kostos, duke kompromentuar cilësinë dhe duke vonuar arritjen e rezultateve të projektit.”. Aktivitetet e ardhshme trajnuese rajonale do të vazhdojnë të nxisin shkëmbimin e fuqishëm të njohurive dhe përvojës ndërmjet vendeve të ndryshme.