Gati lista me faturat e papaguara të 11 kompanive që kanë kryer punë publike

505
Sigal

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka gati faturat e kompanive që nuk janë paguar për punët publike të kryera, ashtu si edhe të shpronësimeve për interes publik. Janë 11 kompani me 23 fatura, pasi secili nga subjektet ka kryer më shumë se një shërbim. Por ministria e Transportit dhe Infrastrukturës bën të ditur se me pagesat do të procedohet pasi të bëhen verifikimet në terren për cilësinë e punimeve dhe zbatimin e kontratave. Për kompanitë që nuk kanë respektuar kontratat, sipas MTI-së do të ketë penalitete.

Kompanitë

Kompanitë të cilat janë listuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar janë: “Geci SHPK” me faturë të papaguar prej 25.5 milionë lekë, “AlbShpresa” me faturë të papaguar 51.5 milionë lekë, “Delia Grup” me 10 milionë lekë dhe “Erniku SHPK” me rreth 5 milionë lekë. Këto kompani kanë kryer punime për për mirëmbajtjen e rrugës Tiranë-Kukës dhe nuk janë paguar për mungesë fondesh. Pa u likuiduar kanë mbetur edhe disa kompani që kanë lidhur kontratën për ndërtimin e segmentit rrugor Levan-Vlorë, si “Todini Cons Generale” me 719.7 milionë lekë, kontratori “Alpine Bau GMBH” me 147.3 milionë lekë, “Ital Consult” me 3.2 milionë lekë. Edhe kompanitë që kanë kryer punime për ndërtimin e segmentit rrugor Sarandë-Konispol kanë fatura të pashlyera. Konkretisht kompania “Egnatia Odos SA”, detyrimi ndaj së cilës llogaritet rreth 6 milionë lekë.

Fatyra të pashlyera ka edhe ndaj kompanisë “Claudio Salini spa & Salvatore Mataresa” kontraktuar për ndërtimin e rrugës Shkodër-Hani i Hotit, me 34.2 milionë lekë. Edhe për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan rezulton të ketë pasur fatura të palikujduara.

Shuma e faturave

Në total shuma e faturave të papaguara ndaj këtyre subjekteve deri në 31 dhjetor 2013 është rreth 1 miliardë lekë, nga të cilat 945.7 milionë lekë janë kosto lokale dhe 57 milionë lekë TVSH. Faturat e shpronësimeve për punë publike do të jenë të parat në listë për tu shlyer. Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës llogarit 1.1 miliard lekë fatura ende të pashlyera nga viti 2008 për shpronësime. Sipas burimeve nga MTI-a menjëherë pas bërjes efektive të marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar, do të nisë shlyerja e faturave të shpronësimeve për interes publik, e më pas do të vijohet me faturat për kompanitë që kanë kryer punë publike. Burimet theksuan se, janë 25 Vendime të Këshillit të Ministrave të miratuara që nga janari i vitit 2008 dhe deri në 31 dhjetor të 2013-s për shpronësimet e banorëve që janë prekur nga ndërtimi i veprave publike e që presin radhën për të marrë paratë.