Qeveria lehtëson nga taksat Lojërat e Fatit, shqiptarët shpenzuan në 2017 në kazino 78 milionë euro

609
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Parlamenti miraton ligjin për kazinotë, Braçe propozon (për populizëm!) shtetëzimin e tyre ose vetting për pronarët

Biznesi i Lojërave të Fatit, pas operacionit policore “Marrëzia e Fatit” të 2014-s po lulëzon aq sa nga 928 biznese, sot kemi 4.200 pika të Lojërave të Fatit, ndërkohë që 45 biznese të tjera po mbyllen çdo ditë, për shkak të barrës fiskale, që është gjithnjë e më progresive ndaj tyre. Aktualisht në Shqipëri ka një pikë basti për çdo 720 banorë, kur dikur raporti ishte 1 pikë për 2580 banorë. Bazuar në xhirot e deklaruara të 14 kompanive kryesore të kazinove, basteve, loto, bingo, lotari, qarkullimi vjetor zyrtar i industrisë ishte 16.6 miliardë lekë, ose rreth 132 milionë euro. Në subjektet e licencuara nga Autoriteti si kazino elektronike, rezultojnë të jenë shpenzuar 10 miliardë lekë, ose rreth 78 milionë euro.

Dekreti i Presidentit: Mbështetja e bizneseve të lojërave të fatit përbën pengesë serioze për zhvillimin ekonomik dhe social

Edhe pse Presidenti i Republikës Ilir Meta nuk e dekretoi projektligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”, që në thelb përbën lehtësimin e barrës fiskale të bizneseve të Lojërave të Fatit, kryesisht të kazinove, parlamenti e voton sërish me 74 vota, vetëm me votat e mazhorancës. Në argumentin e mosdekretimit, Presidenti shkruan midis të tjerave: “…arrihet në konkluzionin se iniciativa propozuese për të lehtësuar barrën fiskale përkundrejt bizneseve të lojërave të fatit, nuk është vlerësuar në mënyrë të thelluar nga qeveria dhe Kuvendi. Në aktet që shoqërojnë këtë propozim ligjor, nuk ekziston asnjë argument në këtë drejtim. Gjithashtu në përfundim të vlerësimit të nenit 6, të ligjit nr.39/2018, arrihet në konkluzionin se mbështetja e bizneseve në fushën e lojërave të fatit për gjithë kategoritë e tyre, përbën pengesë serioze për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social.

Ministri i Financave Ahmetaj: E kanë këshilluar gabim Presidentin

Lidhur me këtë dekret, ministri i Financave Arben Ahmetaj sqaroi dje në parlament se ligji nuk ndryshon tatimin mbi fitimin për kompanitë e basteve. Unë besoj që ata që kanë këshilluar Presidentin, e kanë këshilluar gabim. Ligji rrit ngarkesën fiskale për atë kompani që ishte përjashtuar nga taksimi prej 15%. Qëndrimi i mazhorancës është i prerë për sa i përket lojërave të fatit. Ne unifikuam standardin”, – tha ministri Ahmetaj.

Populizmi i deputetit Braçe: Të shtetëzohen kazinotë. Në këtë biznes ka hyrë krimi i organizuar

Erion Braçe, Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, në komision nuk e kundërshtoi këtë projektligj, ndërsa dje në Kuvend, Braçe tha se aktiviteti i lojërave të fatit, përfshirë edhe bastet, duhet të shtetëzohet për dobinë shoqërore. Braçe: Së pari dhe mbi të gjitha, shembullin gjerman të shtetëzimit të lojërave të fatit. Pjesa më e madhe e kazinove atje apo e kompanive të bastit kontrollohen ose nga shteti ose shteti merr deri në 80% të të ardhurave të realizuara nga aktiviteti i tyre në landet respektive. Dhe nëse kjo nuk mund të ndodhë për shkak të lirisë së ushtrimit të aktivitetit, atëherë Braçe ka një tjetër propozim, vettingun e gjithë pronarëve të këtij aktiviteti. Braçe: Në këtë segment të biznesit ka hyrë edhe krimi i organizuar, po përdoret dhe paraja e pisët dhe pa asnjë lloj diskutimi do të duhet që të gjitha agjencitë ligj-zbatuese të shtetit të bëjnë atë që është themelore tani: Vetting për të gjithë pronarët e lojërave të fatit. Por, në fund, Braçe, votoi projektligjin e qeverisë, ndërsa fjalët i tha për populizëm.

Opozita: Nga sot, do të publikohen fakte tronditëse për Lojërat e Fatit

PD-ja, edhe pse e bojkotoi parlamentin, nga Durrësi paralajmëroi se nga sot do të publikohen fakte tronditëse, për ndikimin e ministrave duke i lënë lojërat e fatit nën kontroll të kriminelëve.