Qeveria kërkon plotfuqishmërinë për paktin me Greqinë. Meta vendos të konsultohet me ish-presidentët e 25 viteve

578
Pakti me Greqinë, qeveria troket te Meta
Kërkohet plotfuqishmëria nga Presidenti i Republikës. Kreu i Shtetit vendos të konsultohet me paraardhësit

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i është drejtuar me një kërkesë presidentit të Republikës, Ilir Meta, për t’i dhënë plotfuqishmërinë grupit negociator që do të zhvillojë bisedimet me palën greke për arritjen e një marrëveshjeje te re për përcaktimin e kufirit detar mes dy vendeve. Autorizimi nga Kreu i shtetit është një detyrim ligjor kur bëhet fjalë për marrëveshje të tilla, dhe mungesa e saj ishte dhe një nga shkaqet që çuan në rrëzimin nga ana e Gjykatës Kushtetuese të marrëveshjes së viti 2009, përveç shkeljeve të tjera që ajo gjeti. Sipas ministrit Bushati, grupi negociator shqiptar do të përbëhet nga përfaqësues të disa institucioneve. Kërkesa e tij vjen pas dy raundesh takimesh në nivel të ministrave të Jashtëm, mes dy vendeve, të cilat kishin si qëllim zgjidhjen e një sërë problemeve të mbetura pezull, përfshirë dhe marrëveshjen për kufirin detar. Për një kohë të gjatë pala greke kishte këmbëngulur në rishikimin e dokumentit të vitit 2009, por kjo kërkesë u refuzua nga pala shqiptare. Sipas deklaratave publike të kryeministrit Edi Rama, mes palëve do të ketë një marrëveshje të re. Disa komente të bëra nga ministri i Jashtëm grek Nikos Kocias, mbi çështjen e detit, kanë shkaktuar polemika në Shqipëri. Por ministri Bushati ka këmbëngulur se vendimi i Gjykatës Kushtetuese shqiptare dhe Konventat ndërkombëtare do të përbëjnë bazën e marrëveshjes dhe se me palën greke janë përcaktuar vetëm “vijat e kuqe” apo korniza e parimeve mbi të cilën palët do të ulen të diskutojnë konkretisht në aspektin teknik.

Ndërkohë, burime nga zyra e presidentit Meta shpjeguan se Kreu i Shtetit ka vendosur të konsultohet paraprakisht me paraardhësit e tij për këtë çështje. Ai ka nisur konsultimet me ish-presidentin Bujar Nishani, për të vazhduar edhe me ish-presidentët e tjerë, Sali Berisha, Rexhep Mejdani, Alfred Moisiu dhe Bamir Topi. Shqipëria dhe Greqia kanë kaluar një periudhë të gjatë marrëdhëniesh me shumë ulje-ngritje. Asnjëherë më parë, siç ka ndodhur prej më shumë se 5 vitesh, nuk ka pasur shkëmbime vizitash në nivel kryeministrash. Dialogu i hapur së fundmi duket se ka sheshuar shumë çështje, përjashtuar atë çame, divergjencat rreth së cilës mbeten ende të thella. Megjithatë, në pranverë, të dy vendet pritet të nënshkruajnë dokumentin e Partneritetit Strategjik, moment i cili parashikohet të shoqërohet me vizitën e kryeministrit grek Aleksis Cipras në Tiranë. Megjithatë një pjesë e opinionit publik dhe opozita e kanë akuzuar qeverinë shqiptare se po vepron në fshehtësi, duke mos bërë transparencë lidhur me bisedimet me Greqinë. Pala greke është shprehur e kënaqur në disa deklarata publike, duke përmendur edhe Zona Ekskluzive Ekonomike, brenda së cilës mund të bëhen edhe kërkime për rezerva të mundshme të naftës dhe gazit. Tirana nga ana e saj ka deklaruar se me këto marrëveshje do të mundësohet edhe heqja e ligjit të luftës. 
Detajet e paktit të ri
Marrëveshja e re e detit, sipas burimeve qeveritare, parashikon ndarjen e hapësirës detare me parimin e vijës së mesit. Në ngushticën mes dy vendeve, që është 1.8 milje detare, 0.6 milje i takojnë Shqipërisë, 0.6 milje Greqisë dhe 0.6 milje janë ujëra ndërkombëtare. Në pjesët e tjera aplikohet vija e mesit, duke llogaritur edhe një hapësirë për lundrim ndërkombëtar, distanca këto të bazuara në Konventën Ndërkombëtare të Detit. Për sa i përket zgjatimit të sovranitetit grek me 12 milje, sikundër tha edhe ministri i Jashtëm grek, Nikos Kocias, ajo do të bëhet nga të dy vendet njëkohësisht.
Sigal