Punonjësit e administratës, largime masive në shtator

518
Sigal

Flasin për “Telegraf”, Sabit Brokaj dhe Dash Shehi: Ja si duhet vepruar me administratën

Fitorja e koalicionit të Majtë duket se ka krijuar panik tek administrata shtetërore, e cila me kurorëzimin e Ramës, ndjen akrepat e orës, që lajmërojnë dëbimin nga puna. Megjithëse, administrata shtetërore në Shqipëri është e mbrojtur me ligj, përsëri, dihet qartë se ligji nuk zbatohet përpikmërisht. Kjo sepse, një pjesë e madhe e administratës këtu përbëhet nga militantë të thekur, të cilët kanë shprehur besnikëri të lartë karshi partisë së tyre, duke fituar poste. Ndërsa tani që po afrohet ora e largimit të tyre, natyrisht, gjithsecili tregon me gisht ligjin e mbrojtjes së administratës civile nga spastrimet. Mesa duket çështja e administratës civile ende nuk është vënë në brazdat ligjore, përderisa sot në punë nuk vendosesh nga aftësia, por nga militantizmi. Kjo ndodh edhe në ditët e sotme, kur intelektualë të ndryshëm, të cilët duan të fillojnë ndonjë punë, nuk e kërkojnë atë në rrugë ligjore, por duke kërkuar njerëz të njohur që të ndërhyjnë te Rama, apo Meta, për të fituar vendin  e punës. Dhe duke harruar se nesër, kur të ndodhë rotacioni politik, edhe me ata do të ndodhë e njëjta gjë. Natyrisht, ky rreth i mbyllur politik që bllokon hapësirat e punësimit, u pret shpresën personave të papolitizuar, për të gjetur punë, qoftë edhe kur ata kanë rezultate të larta në shkollë, ose në eksperiencat e mëparshme. Sidoqoftë, nga zhvillimet e gjertanishme, duket qartë se në shtator do të ketë shumë largime nga puna. Të gjitha këto largime do të krijojnë përplasje midis pozitës dhe opozitës, ku të parët do e justifikojnë me largimin e militantëve, ndërsa të dytët do të bërtasin për gjoja heqje të administratës publike. Kështu, largime të shumta priten nëpër dogana, organet tatimore, shëndetësi, apo polici. Ish ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili u shpreh dje, se kjo është një metodë, të cilën Berisha e ka përdorur ndaj anëtarëve të LSI-së, pas divorcit bashkëqeverisës. Nga kampi blu, po bëhen shumë paralajmërime për të mos prekur administratën, pasi ajo është e mbrojtur me ligj. Në këto diskutime një gjë është e vërtetë: Që personat, të cilët do të dalin nga puna, ata do të drejtohen nëpër gjykata, ku pasi të fitojnë gjyqin, do të marrin disa paga vjetore, apo mujore. Në këtë mënyrë Buxheti i Shtetit, do të pësojë humbje të tjera, ashtu siç ka ndodhur gjithmonë. Megjithatë, pavarësisht nga të gjitha pasojat, duket se “operacioni fshesa”, i cili do tënisnë shtator menjëherë pasi të betohen ministrat e rinj, do të shkaktojë shumë largime nga puna. I pyetur për këtë dukuri të realitetit shqiptar, Sabit Brokaj u shpreh dje ekskluzivisht për gazetën “Telegraf”, se, numri i militantëve që do të largohen, do të jetë  i lartë, ndërsa, njerëzit e aftë nuk do të preken, nga vendet e tyre të punës. Ndërsa, deputeti i sapozgjedhur, Dash Shehi, sqaron se, në radhë të parë militantët nuk duhen futur në punë, tek administratat e shtetit, por ata duhet të stimulohen në vende të tjera. Ndërsa, në radhë të dytë, po qe se do hiqen ca militantë dhe do vendosen ca të tjerë, është më mirë që të qëndrojnë këta që janë. Nga ana e vet, nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, i pyetur nga mediat se çfarë qëndrimi do të mbajë qeverisja e re ndaj administratës aktuale tha se LSI nuk vepron me filozofi të tilla. Sipas tij, rreth administratës do përdoret si udhërrëfyes ligji shqiptar dhe efiçenca në punë e punonjësve të administratës.

“Termi spastrim nuk ka lidhje me filozofinë e mazhorancës së re dhe nuk tregon thelbin e një administrate europiane. Ne do të kemi udhërrëfyes legjislacionin shqiptar dhe askush nuk do jetë i kërcënuar nga hakmarrja politike, por testi i tyre do jetë puna e tyre me efiçencë”.

 Sabit Brokaj: Zyrat janë mbushur me militantë të PD-së

 Kjo është një gjë, që dihet fare mirë dhe nuk ka nevojë për asnjë lloj përgjigje të veçantë: Ata që janë futur në punë si militantë dhe që janë të paaftë do të largohen menjëherë. Ndërsa ata, që janë pjesë e administratës profesioniste dhe korrekte do të qëndrojë në vendet e punës duke vazhduar detyrë, Por këtu nuk duhet të harroni një gjë: Qeveria e Berishës ka bërë shumë spastrime dhe largime nga puna, duke përfshirë edhe fushatën e këtij viti, me largimin e përfaqësuesve të LSI-së. Kështu që ndryshimet e pritshme do të jenë të shumta, Sepse zyrat e shtetit janë zënë me militantët e Berishës. Dhe të gjithë të paaftët duhet të lirojnë vendet e punës që i kanë zënë si të politizuar.

 Dash Shehi: Militantët nuk duhet të futen fare në punë

Kjo është një procedurë e njohur. Kur vjen në pushtet një parti, heq kundërshtarët politikë dhe militantët e partisë rivale. Kështu që administrata është bërë si tërheqje litari, ku vjen një palë dhe ikën një palë. Por në fakt, për mendimin tim, militantët nuk duhen vendosur fare në punët e administratës. Për kontributin e tyre, ata duhen të shpërblehen nëpër vende të tjera, por jo në administratë. Sepse administrata ka një ligj, që i mbron punonjësit dhe kush dëbohet nga puna, pastaj fiton gjyqin dhe kështu, për një vend pune, zakonisht paguhen dy vetë njëkohësisht. Pra, PS-ja duhet ta mendojë mirë para se të vendosë militantët e vet. Se po qe puna, hiq një grup militantësh e sill një grup tjetër, atëherë më mirë të qëndrojnë këta që janë. Ndërsa, nëse është fjala për vendosjen e një mentaliteti të ri, atëherë le të fillojë qysh tani ky mentalitet. Por jo me slogane dhe mashtrime.

Petrit Vasili: Spastrimi në administratë nuk është filozofi e jona

 Administrata

I pyetur nga mediat se çfarë qëndrimi do të mbajë qeverisja e re ndaj administratës aktuale që i frikësohet një spastrimi, Vasili bëri me dije se, LSI nuk vepron me filozofi të tilla. Sipas nënkryetarit të LSI, rreth administratës do përdoret si udhërrëfyes ligji shqiptar dhe efiçenca në punë e punonjësve të administratës.

“Termi spastrim nuk ka lidhje me filozofinë e maxhorancës së re dhe nuk tregon thelbin e një administrate europiane. Ne do të kemi udhërrëfyes legjislacionin shqiptar dhe askush nuk do jetë i kërcënuar nga hakmarrja politike, por testi i tyre do jetë puna e tyre me efiçencë”.

 Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar sot në lidhje me situatën e krijuar me familjet rome, të cilët janë dëbuar nga barakat në Tiranë.

 Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili në një konferencë për shtyp u shpreh se, kërkohet një zgjidhje emergjente për zgjidhjen e situatës së krijuar me familjet rome.

 “Sot BE-ja pret qëndrim dinjitoz nga Shqipëria pasi kjo çështje është ndër prioritetet e integrimit të vendit. Ne mbështesim çdo mundësi që i jep zgjidhje këtij problemi shumë akut. Duhet zgjidhje e shpejtë për romët. Qeveria në ikje u tregua indiferente ndaj këtij komuniteti”, tha Vasili.

 SHQUP

I pyetur për vendimin e shndërrimit të SHQUP në seli të PD-së, Vasili e ka vlerësuar këtë vendim si të nxituar dhe të gabuar. Ai ka deklaruar se, qëndrimi i LSI është në koherencë me atë të PS për këtë çështje.

 “Vendimi për SHQUP është i nxituar, i gabuar, bie ndesh me përmirësimin e strukturave të FA të një vendi anëtar i NATO-s, që kërkon përmirësimet e ambienteve gjithnjë e më moderne. Fakti që qeveria merr vesh pas 23 Qershorit që selia e PD është një pronë private është qesharake”, -tha ai.

 “Çdo mungesë transparence në publikimin e akteve të qeverisë është i dënueshëm sepse këto akte duhet të jenë transparente dhe të hapura, jo vetëm për mediat, por dhe për publikun e gjerë”.

 Vasili tha se çdo mungesë transparence për aktet e qeverisë është e dënueshme, ku theksoi se qeveria e re e mbas shtatorit do të verifikojë gjithë vendimet, cilat kanë qenë të drejta dhe cilat kanë qenë në dëm të shqiptarëve dhe ato vendime që kanë qenë abuzive do të rishikohen.

“Dhe vendimi për Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë Popullore është një vendim i gabuar në kohë të gabuar. Ky vendim bie ndesh edhe me krijimin e strukturave të ushtrisë dhe përmirësimit të standardeve dhe ambienteve gjithnjë e më të bollshme dhe moderne. Çështja që selia e Partisë Demokratike paska qenë pronë private dhe që PD e merr vesh pas 23 Qershorit, është qesharake dhe duhet ndalur”, u shpreh më tej Vasili.

 KQZ

Petrit Vasili komentoi në interes të mediave të pranishme në konferencën për shtyp dhe situatën me KQZ-në. Sipas Vasilit, maxhoranca e re do të punojë për riformatimin e këtij institucioni.

“Çështja e KQZ-së është shqetësimi i LSI-së në veçanti, por edhe një shqetësim që i takon gjithë politikës shqiptare që nuk përfaqësohet më në KQZ. Thënë më ndryshe, përfaqësohet vetëm pjesa e qeverisë në ikje. Si i tillë, KQZ ka legjitimitet të cunguar, riformatimi, kthimi i KQZ-së është një sfidë e maxhorancës dhe LSI-së si pjesë e kësaj do punojë për kthimin e legjitimitetit. Është një zgjidhje që do kohën e saj, por në një kohë jo të gjatë janë zgjedhjet lokale dhe duhet punuar dhe në këtë drejtim”.