Publikohet video e 30 Qershorit/ Denoncimi i opozitës: Numërimi i votave u manipulua, në kutitë e votimit u gjetën fletë pa vulat e komisionit

449
Sigal

PD-ja publikon video nga 30 qershori: Në kutitë e votimit janë gjetur fletë votimi pa vulat e Komisionit

U manipulua numërimi i votave, si e rritën pjesëmarrjen

PD ka tashmë prova nga manipulimi i zgjedhjeve të 30 qershorit se komisionerët e PS-së kanë shkelje të llojeve të ndryshme, që nga rrija e pjesëmarrjes deri në manipulimin e numërimit të votave. Ish deputeti Bylykbashi publikoi video me një sërë të dhënash nga numërimi i votave në qarqe të ndryshme që sipas tij janë bërë manipulime. Një shqetësim tjetër i ngritur nga ish-deputeti është edhe mos-nisja e hetimeve nga Prokuroria për këtë çështje. Ju tashmë jeni në dijeni të asaj që është denoncuar dhe është faktuar, sesi KQZ-ja ka manipuluar në mënyrë të vazhdueshme pjesëmarrjen në votim. Ndërkohë që pjesëmarrja ishte 15 për qind dhe shpesh herë shumë më e ulët, KQZ e manipuloi këtë pjesëmarrje. Ajo që është më e rëndë, janë provat që kemi zbuluar drejtpërdrejtë nga filmimet e tavolinave të numërimit që disponojmë nga KQZ, ku rezulton që Grupet e Numërimit dhe KZAZ-të e kontrolluara vetëm nga PS-ja kanë manipuluar shifrat e numërimit që kanë dalë nga numërimi i çdo tavoline. Është parë në mënyrë të rregullt që:

  1. Shpesh herë fletët e votimit janë marrë në grup dhe nuk janë numëruar veç e veç.
  2. Vendoseshin mbi tavolinë dhe hiqeshin pa u numëruar.
  3. Fletë votimi, të cilat janë numëruar jashtë kamerave të numërimit, që është detyrim për transparencë nga Kodi Zgjedhor.
  4. Janë plotësuar fletëvotimi bosh në tavolinat e numërimit.

Siç do të shikoni dhe nga videot, në kutitë e votimit janë gjetur fletë votimi pa vulat e Komisionit. Pra, thjesht janë futur fletë votimi në kuti jashtë procesit standard të votimit.

Deri më sot nga Prokurorja e Përgjithshme dhe nga Prokuroria e Republikës së Shqipërisë nuk ka asnjë veprim për të filluar hetimet ndaj atyre që manipulojnë me votat e shqiptarëve.

  1. Kemi rastin e KZAZ-së numër 62, në Urën Vajgurore, ku rezultati i publikuar nëpërmjet manipulimit nga KZAZ përkatëse është 8035 vota, ndërkohë që nga numërimi i votave një më një, nëpërmjet videoregjistrimit zyrtar, janë vetëm 5958 vota.
  2. Po ashtu në KZAZ-në 67 në Pogradec janë zyrtarisht 17986 vota, ndërkohë të numëruara fletë votimit një më një janë 15487.
  3. Në KZAZ-në numër 3 në Shkodër, numri i fletëve të votim të pavlefshme, të deklaruara në procesverbalin zyrtar është 121 vetëm për këtë KZAZ, që do t’i korrespondonte një përqindje pavlefshmërie prej 4,3 %, ndërkohë që e vërteta është 230 vota të pavlefshme, pra thuajse dyfishi, ose 9,5 %.