PS përdhos edhe Kishat. Reagon kleri ortodoks: Marrëzia nuk ka fund!

470
Sigal

Ndodhi edhe kjo. Rilindësit socialist të përdhosin edhe kishat, duke mbajtur fjalime elektorale brenda tyre. Kultet fetare janë të paprekshme nga politika, larg politikës, madje, edhe në kohë lufte, pushtuesit nuk shkelnin brenda territorit të kishave, xhamive, sepse kultet fetare janë të shenjta dhe nuk mund të përdhosen. Mirëpo, rilindësit socialist nuk kanë më asnjë ndjeshmëri, asnjë ndërgjegje, nuk i besojnë më asnjë morali, asnjë besimi fetar, nuk i binden më asnjë ligji, as Kushtetutës së Shqipërisë dhe nuk kanë as turp që të përdhosin kishën, duke e kthyer në ‘vatër kulture’ për fushatën elektorale. Kështu, vepruan edhe baballarët e rilindësve socialistë, në kohën e diktaturës, që në 1967 kishat, xhamitë, kultet fetare i përdhosën në ‘vatra kulture’. Në pamundësi për t’i shkatërruar dhe zhdukur objektet e kultit siç bënë paraardhësit e tyre komunistë, Rilindësit e sotëm, kanë gjetur një tjetër mënyrë për ti dhunuar ato. Tërmet Peçi, kryebashkiaku i Tepelenës, i cili nga brenda shtëpisë së Zotit, në kishën e Lekëlit, kërkoi një tjetër mandat. Pas kandidatit të Tepelenës, Tërmet Peçi, edhe kandidatja tjetër e Rilindjes, Majlinda Bufi e Roskovecit, dha intervistë televizive dje në ambientet e Kishës. Pas këtij akti vulgar ka ardhur dhe reagimi i menjëhershëm i Kishës Metropolia, e cila e cilëson përdorimin e ambienteve fetare për politikë si një fyerje të rëndë që i bëhet klerit dhe besimtarëve katolikë.

Reagimi i Mitropolisë të Shenjtë të Apolonisë dhe Fierit: Duke marrë shkas nga një emision i dhënë në ERTV, dhe nga qarkullimi i këtij emisioni në rrjetet sociale, ku një kandidate për Kryetare Bashkie jep një intervistë në ambientet e një Kishe, pa dijeninë dhe lejen tonë, kërkojmë nga pushteti politik dhe vendor, si edhe nga të gjitha forcat politike, shoqata apo individë, që të mos përdorin Kishat dhe Tempujt e Shenjtë për deklarata, mbledhje apo mitingje politike. Përdorimi i tyre për motive të tilla përbën; së pari, një Sakrilegj ndaj vendeve të Shenjta dhe fyerje të ndjenjave të besimtarëve, pasi ato janë vend lutje dhe adhurimi. Së dyti, përbën shkelje të “Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë” (Ligji nr. 10 057 Date 22.01.2009). Pikërisht, neni 21 dhe 23 i këtij ligji ndalon ndërhyrjen dhe përdorimin e objekteve fetare nga autoritetet shtetërore, me përjashtim të urdhrit ekzekutiv, pasi është marrë pëlqimi nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë.