Hyqmet Zane: Universitetet tona që prodhojnë plagjiatura dhe informalitete

565
Sigal

Nga Hyqmet Zane

 

Jeta shqiptare po diktohet gjithnjë e më tepër nga punët e pista të njerëzve që kanë lidhje të drejtpërdrejta me pushtetarët që njihen për lidhjet mafioze në çdo sektor të shoqërisë. Na është bërë si normale që universitetet tona të mbushen me informalitete dhe plagjiatura, me një pjesë pedagogësh që bëjnë ligjin në ambientet universitare dhe studentë e student që sillen si kokoroshë auditorësh. Situatat e ndodhura në sektorin e arsimit gjatë këtyre viteve të fundit, më shumë se sa të favorizoheshin qartësimet për një reformë funksionale dhe në shërbim të vendit, i kanë shërbyer interesave të një grupi njerëzish, ku më shumë se sa kushdo janë “mafiozët” e gjuajtjes të interesave personale. Në këtë turbullirë të politikës, ata që e kanë mendjen të bëjnë para e të nxjerrin përfitime, janë pedagogët marifetçinj që bëjnë interesantin dhe siglohen si “të fortët” e universiteteve. Ata kanë lidhje të sigurta me politikën në pushtet dhe bëhen gjithnjë si kapot e komplekseve universitare që të bëjnë namin.

Për më shumë, duke jetuar në këtë vendin tonë vit pas viti shikojmë se na dalin doktorë shkencash me tema të kopjuara, na bëhen profesorë me tituj librash të përkthyer ose që bëjnë libra me vjedhje temash që ua përkthejnë studentët me kushtin e kalimit të lëndës së tyre. Dhe për më shumë akoma, i detyrojnë studentët që t’i blejnë këto “paçavure” të tyre dhe t’i lexojnë ato, edhe pse edhe vetë ata pedagogë nuk e dinë se çfarë kanë bërë në tekstet e tyre me një lëmsh informacionesh. Nuk mund të shmangësh studentë që çdo vit vjedhin tema për t’i paraqitur si origjinale dhe në fund nga një pjesë profesorati dhe senatesh. Ndërkohë që përkundër tyre qëndrojnë një grup pedagogësh në moshë më të madhe dhe që janë ekselentët e profesorateve universitare që kanë autoritetin e seriozitetit si pedagogë me libra të personalizuar dhe me vlera autentike.

Nuk mund të harrohen mandej studentë që u vjen sezoni dhe janë të shqetësuar se si do ia bëjnë me provimet dhe pedagogë që bëjnë lista me emra studentësh për të dhënë lekët dhe eurot. Më pas i shikon këta pedagogë që bëjnë një jetë luksoze, bëjnë qejfe në plazhe në vila të shtrenjta me para haram dhe udhëtojnë me makina luksoze që i vjellin keq një ditë.

Përballë tyre që i mbron shteti me struktura policie të krimit ekonomik që bëjnë sehir dhe merren me disa viktima që i stimulojnë vetë me metoda policeske dhe nuk merrem me hajdutët e vërtetë, jo vetëm të parave të familjeve shqiptare, por as edhe me hajdutët e shkencave që prodhojnë plagjiatura dhe informalitet në jetën e përditshme. Edhe lufta ndaj plagjiatorëve të diplomave duket se nisi mbarë, por rezultoi se ishte si një fushatë politike se sa një ndërhyrje radikale për t’i dhënë frymëmarrje arsimit të lartë.

Këtu nuk mund të futen të gjithë ata pedagogë që vërtet janë të vlerësuar nga opinioni qytetar dhe ai studentor dhe që gjithnjë i gjen kokulur se u vjen turp për çka po ndodh me universitetet tona. Përkrah tyre qëndrojnë edhe studentë që me fuqitë e tyre mësojnë, nuk mungojnë në auditorë, rrinë të heshtur përballë fuqisë së informalitetit vrastar dhe që është bërë pjesë e jetës së përditshme. Këta studentë vijnë nga familje me integritet dhe që mbahen në universitet me paratë e kursimeve vetëm e vetëm që fëmijët e këtyre familjeve të bëhen të aftë për jetën e tyre. Ka vërtet studentë që dhe nuk mësojnë dhe marrin vlerësime mëshiruese me nota sa për të thënë sepse nuk të lenë radhë miqtë e disa pedagogëve që favorizojnë studentë informalë apo janë edhe drejtues universitetesh që japin porosi për këtë apo atë student e në këtë mënyrë prodhojnë deficenca në jetën tonë të përditshme. Asnjëherë nuk dua të rikthej kokën tek shkolla e diktaturës që përfshihej nga boshti ideologjik, por ama mësimi ishte mësim dhe shkenca vihej në funksion të jetës së përditshme kudo. E kush mund të fuste një mik për provimet, kush guxonte të paguante një lek për të marrë një provim? Askush, shkolla ishte shkollë, edhe pse diktatura kishte krijuar standardin e vet të luftës së klasave dhe në shkolla të larta do të shkonin ata që vështroheshin mirë nga politika se, në të kundërt, ajo politikë bastarde të gjykonte padrejtësisht e të linte jashtë radhëve duke djegur qindra e mijëra të aftë në vitet që shkuan në atë sistem. Por këmbëngul, se mësimi ishte mësim dhe nuk kishe shansin të bëje marifete pa mësuar.

Por sot? Sot kemi një model që na është servirur jo nga sistemi arsimor që gjithsesi lë për të dëshiruar, por na është servirur nga politika, me pedagogë që janë sejmenë të njërit apo tjetrit krah të politikës, sidomos të së majtës, kemi dekanë dhe rektorë që duhet ta kenë mirë me të fortët e krimit të organizuar dhe që bëjnë ligjin e sistemeve universitare të dështuara dhe për turp të Zotit. Këta sejmenë të politikës bëhen edhe parzmore të politikës së keqe, duke iu përballur dekanëve dhe rektorëve të merituar në fuqinë e tyre si profesorë që prodhojnë shkencë dhe jo plagjiatura dhe informalitete.

Edhe e ashtuquajtura protestë e studentëve u bë kurban i pedagogëve plagjiaturistë që me marifetet e tyre ditën t’i manipulojnë studentët dhe të shuajnë kauzën e idealeve të një proteste që i dha shuplakë dhe grushte politikës, por ato u bënë thjeshtë informale. Gjithçka vazhdon si më parë dhe ata, të fortët e universiteteve, vazhdojnë të bëjnë ligjin dhe nuk u hyn asnjë gjemb në këmbë.

Dhunuesit e arsimit dhe të së ardhmes së këtij vendi kanë detyruar rininë të ikë dhe universitetet që përgatitin mësues, janë kthyer në përgatitës të infermierëve për në Gjermani dhe kështu shuhet plejada e arsimtarëve për lëndë bazë të shkencave mësimore që mësojnë brezat që kjo politikë e mbrapsht tallëse, injoruese, informale dhe plagjiaturë po i shkatërron të gjitha resurset njerëzore të këtij vendi. Ndoshta ka ardhur koha për ndëshkime serioze dhe jo për fërkime servile të shpatullave të politikës që vret të ardhmen.