PS kap institucionet e reja të drejtësisë

561
Kandidatët për KLP – KLGJ, PS kap institucionet e drejtësisë
Shorti i garanton mazhorancës kontrollin mbi dy institucionet e reja, pavarësisht kundërshtimit edhe të ONM-së. Procedura dhe roli i Kuvendit 
Nënkomisioni i posaçëm i Kuvendit zgjodhi dje me short anëtarët për dy institucione të rëndësishëm të sistemit të ri të drejtësisë, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe atë të Gjyqësorit. Pesë anëtarët jogjyqtarë për KLGJ-në u zgjodhën Arben Vani, Sokol Lamaj, Erjon Muharemaj, Ilir Panda dhe Altin Hazizaj. Ndërsa 5 anëtarët joprokurorë për KLP u zgjodhën Kozma Jano, Floreta Gjini, Enejda Sema, Mirela Bogdani dhe Alfred Balla. Sipas procedurës, këta kandidatë do t’i kalojnë më pas Kuvendit për votim. Pesë anëtarët e nënkomisionit nuk gjetën dakordësi për të votuar gjatë mbledhjes secilin prej kandidatëve për KLGj dhe KLP. Sipas ligjit, në rastin kur anëtarët e nënkomisionit nuk bien dakord, Kushtetuta parashikon si zgjidhje hedhjen e shortit. Lista me 10 anëtarët e KLGJ dhe KLP do t’i kalojë për miratim Parlamentit, ku do të duhen 93 vota për miratimin e tyre. Debatet mes mazhorancës dhe opozitës kanë dominuar gjithë procesin që ka zgjatur disa orë në Kryesinë e Kuvendit. Përfaqësuesit e PD dhe LSI kundërshtuan procesin, duke e cilësuar si jokorrekt nga ana ligjore. Kjo për arsyen se kandidatët që u hodhën në votimin me gogla ishin seleksionuar më herët nga Partia Socialiste. Me çdo rezultat që do të dilte nga shorti, PS-ja sërish mund të ishte e kënaqur, pasi në tërësi kandidatët ishin pranë saj. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) në relacionin për kandidatët vinte re se një pjesë e tyre nuk kishin kualifikimin e duhur. Kandidatët për KLP-në kanë rezultuar se nuk plotësonin kriteret ligjore që parashikojnë ligjet e reformës në drejtësi. Në disa raste edhe kriteret e formimit profesional nuk kanë qenë në nivelin e duhur. Një prej kandidatëve për KLP është akuzuar për plagjiaturë (vjedhje) të platformës së kandidimit.

ONM-ja skualifikoi, duke futur në listën e zezë, E.H, A.M. dhe A.B., por Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë, Genc Gjonçaj, pasi ka mbledhur të gjitha raportet, ka bërë vlerësimin përfundimtar. Opozita e kundërshtoi këtë procedurë, ku sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit merrte më shumë kompetenca sesa ligji, deputetët, Kuvendi dhe ONM. PD dhe LSI kërkuan që emrat që ishin në listën e zezë të ONM të hiqeshin nga gara. Megjithatë emrat e kontestuar nga opozita dhe ONM u kaluan me short nga ana e mazhorancës.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe ai i Gjyqësorit përbëhen respektivisht nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve zgjidhen nga prokurorët e gjyqtarët e të gjitha niveleve të prokurorisë e gjykatave dhe pesë anëtarë zgjidhen nga Kuvendi, nga radhët e juristëve joprokurorë dhe jogjyqtarë. Sipas Kushtetutës e ligjit përkatës, Komisioni parlamentar i Ligjeve krijoi një nënkomision për vlerësimin e mëtejshëm dhe përzgjedhjen e kandidatëve. Nënkomisioni përbëhej nga 5 deputetë, prej të cilëve 3 u caktuan nga shumica dhe 2 nga pakica parlamentare. Nënkomisioni, me të paktën katër vota, mund të përfshinte në listën e kandidatëve edhe ata që janë përjashtuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit për mospërmbushje të kritereve formale. Nënkomisioni mund të përzgjidhte kandidatët me mbështetjen e të paktën 4 anëtarëve dhe nëse nuk arrihej shumica e kërkuar, kandidatët përzgjidhen me short. Për shkak të mungesës së votave, procedura përfundoi në short. Emrat e kandidatëve të përzgjedhur nga nënkomisioni u përmblodhën në një listë dhe iu dërguan Kryetarit të Kuvendit. Brenda 10 ditëve, Kuvendi duhet të miratojë listën e kandidatëve me 2/3 e të gjithë anëtarëve. Pra do të kërkohen 93 vota dhe domosdoshmërish një konsensus mes mazhorancës dhe opozitës. Nëse lista rrëzohet, procedura përsëritet në nënkomision, por jo më shumë se dy herë. Në rast se pas zhvillimit për herë të tretë të procedurës, Kuvendi nuk miraton listën e paraqitur, kandidatët e kësaj liste konsiderohen të zgjedhur. 

Ngritja e KLP-së u bllokua për tetë muaj për shkak të mungesës së kandidatëve nga shoqëria civile, ndërsa Kuvendi zgjodhi një kryeprokurore të përkohshme për të zëvendësuar Adriatik Llallën. Ndërkohë, kandidatët për anëtarë nga radhët e prokurorëve e gjyqtarëve ndodhen në procesin e vetingut dhe pas përfundimit të tij, asambletë përkatëse do të zgjedhin nga 6 emra për KLP-në dhe KLGJ-në. 
Emrat e përzgjedhur nga shorti
Kandidatët për KLP:
Kozma Jano
Floreta Gjini
Enejda Sema
Mirela Bogdani
Alfred Balla
Kandidatët për KLGJ
Arben Vani
Sokol Lamaj
Erjon Muharemaj
Ilir Panda
Altin Hazizaj
Debati politik
Opozita kontestoi procesin në nënkomision, pasi u përfshinë në listën për votim edhe kandidatë të skualifikuar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. “Kur na duhet ne, ONM është më e fortë se Kushtetuta, kurse kur sjell atë që ka kompetencë me Kushtetutë ju thoni jo!”, u shpreh Oerd Bylykbashi, deputet i PD. Mendim të kundërt kishte Ulsi Manja nga PS. “Nëse nuk ka dakordësi në këtë nënkomision, ku sigurisht reflektohen qëndrimet politike të palëve në këtë proces, vetë Kushtetuta dhe ligji kanë përcaktuar si mekanizëm zhbllokuar shortin”, shtoi Ulsi Manja, kryetar i Komisionit të Ligjeve.
Sigal