Prof. Dr. Jordan Daci/ Sinjale të qarta nga Gjykata Europianë e të Drejtave të Njeriut për Shqipërinë

875
Sigal

Prof. Asoc. Dr. Jordan DACI

Unë mendoj që ndërhyrja në Shqipëri (me reformën në drejtësi) ka qenë edhe më e egër dhe më e papranueshme për standardet e një shteti normal demokratik. Pra Polonia ka qenë më mirë se ne mendoj

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka dhënë sinjale të qarta që mund të hedh poshtë vettingun

Jakup B. GJOÇA

Prof. Jordan Daci, njohësi i së Drejtës Ndërkombëtare dhe të të Drejtave të Njeriut, në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka dhënë sinjale se do të hedhë poshtë gjithë procesin e Vetingut në Shqipëri. Prof. Daci shpjegon edhe dy arësyet: Së pari, koncepti i gabuar në kundërshtim me standartet demokratike, si edhe mungesa e profesionalizmit, mungesa e dëshirës për të dhënë drejtësi.  Prof. Daci shprehet  se pasojat e drejtpërdrejta të Reformës në Drejtësi është shkatërrimi i qëllimshëm i Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe se kryeministri Rama tashmë kontrollon gjithë pushtetin Gjyqësor. Është keqpërdorur besimi i Bashkimit Europian nga disa emisarë të saj në Tiranë, të cilët mirëbesuan se funksionimi i Drejtësisë në Shqipëri do të bëhet nëpërmjet pushtetit ekzekutiv. Prof. Daci shprehet se emërimet në institucionet e reja të Drejtësisë janë politike.

– Zoti Daci, Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian i ka kërkuar Polonisë që të ndërpresë veprimtarinë e saj Dhoma e  Disiplinës, e cila u zgjodh nga Parlamenti polak që të hetojë gjyqtarët, (strukturë e ngjashme me Vetingun në Shqipëri) me arsyetimin se ky kontroll cenon pavarësinë e Gjyqtarëve. Pyeta është: A nuk është ky rast analog edhe me veprimtarinë e Vetingut në Shqipëri, ku ky komision është votuar nga Parlamenti, sikurse në Poloni?

– Unë mendoj që ndërhyrja në Shqipëri (me reformën në drejtësi) ka qenë edhe më e egër dhe më e papranueshme për standardet e një shteti normal demokratik. Pra Polonia ka qenë më mirë se ne mendoj, përderisa gjendja atje është bërë problematike vetëm pasi një kohë relativisht të gjatë zbatimi dhe në vijim të disa gjykatave të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që refuzonin ekstradimet për në Poloni, pas një Rezolute të KE dhe disa vendimesh të mëparshme të Gjykatës së Drejtësisë të BE-së për kërkesat e ekstradimeve nga Polonia. Lidhur me Shqipërinë, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, ka dhënë sinjale të qarta që mund të hedh poshtë vettingun ose të paktën të hedh poshtë pjesë dhe procedura të posaçme të këtij procesi, që përsëri në fund do të thotë fundosje. Pasoja e anulimit të vettingut do të ketë një kosto të tmerrshme për vendin tonë. Në gjykimin tim ky proces ka dy problem. Problemi i parë është konceptimi gabim i tij në kundërshtim me standardet e njohura demokratike. Ndërsa problemi i dytë është rëndimi i mëtejshëm i këtyre standardeve nga mungesa e profesionalizmit, dëshirës për të dhënë drejtësi, të vepruarit mekanik ose me standarde të shumëfishta të komisioneve të vettingut, si dhe ndonjëherë sipas gojëve të liga edhe përdorimit të listave të hartuar nga “djajtë” e demokracisë dhe të ardhmes së Shqipërisë.

–  Cili është mendimi juaj për veprimtarinë e Vetingut në Shqipëri?

– Është një proces shumë i mirëpritur nga të gjithë qytetarët, por zhgënjyes për një pjesë të madhe të tyre dhe sidomos të profesionistëve. Kjo pasi u zgjodhën njerëz kryesisht jo profesionistë dhe që në fillim partitë politikë i ndanë mes tyre vendet në këto institucione sidomos tek Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Pra procesi u korruptua që në fillim nga politika e cila bëri çmos të devijonte edhe zgjedhjen e rregullt të Avokatit të Popullit, pikërisht për shkak të rolit që kuadri ligjor i njihte Avokatit të Popullit në këtë proces. Kështu që duhej të kontrollohej edhe ky aspekt. Ndryshe ngase pritej është një proces me shumë probleme në lidhje me standardet që zbatohen pasi gjyqtaret shkarkohen për shkelje të caktuara dhe pikërisht këto shkelje për të cilat ato shkarkohen, bëhen shpesh nga vetë organet e vettingut duke i hequr çdo moral procesit. Është një proces shumë i ngadaltë dhe që duket sikur ka një koordinim të çuditshëm midis organesh të pavarura të cilat si rregull duhet të mos kenë koordinim veprimesh midis tyre. Gjithsesi, një koordinim nga prapaskene ekziston midis organeve të Vettigut, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Këshilli të Emërimeve në Drejtësi dhe jo rrallherë edhe me aktorët politik sikurse Ministria e Drejtësisë dhe Kuvendi dhe nuk i referohem koordinimin normal që duhet të ketë, por koordinimit që ndikon në gjërat që bëhen, në mënyrën, kohën dhe shpejtësinë  e të bërit të tyre gjë e cila nuk është normale. Ka pasur largime të merituara, sikurse ka pasur konfirmime në detyrë  të padrejta të personave që duhet të ishin larguar. Në tërësi, ka pasur një efekt shkatërrues, sepse ky proces nuk u konceptua siç duhet që në fillim dhe nuk pati dhe nuk ka mekanizma që sigurojnë vazhdimësinë normale të punës së gjyqësorit, gjë e cila ka çuar në kolaps dhe që ky kolaps e ka shndërruar Shqipërinë në një parajsë të anarkisë ku ekzekutivi kontrollon gjithçka dhe bën çfarë t’i dojë qejfi, sepse nuk ka as kush ta kontrollojë dhe aq më pak kush ta dënojë. Unë bëj pjesë tek njerëzit që e përkrahin këtë proces, por mendoj që ka ardhur koha për të vlerësim të kujdesshëm dhe të imët të ecurisë së deritanishme dhe ka një nevojë urgjente për të rishikuar gjëra me rëndësi jetike për vendin ku duhet se s’bën të zgjidhet problemi i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë dhe të hapen gjyqësori për prurje të reja jashtë Magjistraturës. Mendoj që edhe organet e reja të drejtësisë duhet të japin llogari për dështimet dhe besoj që duhet të bëhen ndryshime të emrave tek këto struktura duke i zëvendësuar dembelet dhe të paaftët me punëtorët dhe të aftët dhe të mbeten vetëm ato që e meritojnë. Posaçërisht këtu i referohem KLGJ-së që është kthyer në një institucion super dembel, me privilegje të jashtëzakonshme, përgjegjës për dështimin e ngritjes së Gjykatës së Lartë dhe shumë problemeve të tjera, si dhe institucion krejtësisht i paaftë për të gjetur zgjidhje të shpejta dhe të duhura për problemet që ka gjyqësori. Gjykoj që një pjesë e anëtarëve të këtij institucioni pasi tju bëhet një analizë profesionale dhe e punës që kanë bërë duhet të shkarkohen me urgjencë dhe jam i sigurt që herët a vonë kjo gjë do të ndodhi dhe duhet të ndodhi me patjetër pasi e ardhmja e vendit nuk mund të jetë peng e paaftësisë, mungesës së dëshirës për punë apo e dëshirës për të qenë shërbëtorë të atyre që i dërguan atje.

–  Atëherë, pse Bashkimi Evropian e mbështet vetingun në Shqipëri. Ndërkohë Dhomën e Disiplinës në Poloni e refuzoi, derisa iu drejtua Gjykatës së Drejtësisë të BE për ta pezulluar?

–  Procesi i vettingut për një të huaj është diçka e ftohtë dhe në terma të politikës së jashtme të tyre është pozitiv. Unë mendoj që normalisht në asnjë moment nuk duhet menduar që ata na duan të keqen ne, pasi qëllimi i partnerëve është të na ndihmojnë. Problemi qëndron se ata kur kanë dashur të na ndihmojnë e kanë bërë këtë nëpërmjet pushtetit i cili gjithmonë ka qenë i korruptuar e jo legjitim që i ka bërë gjërat për vetë dhe jo për vendin. Po ashtu, gjithmonë janë gjetur disa njerëz pa karakter, pa atdhe dhe pa asnjë virtyt që dinë të thonë vetëm po “yes” dhe këto janë gjithmonë ose në pushtet ose poshtë e anës sofrës së pushtetit sepse ata vetëm një rol dinë të bëjnë, atë të shërbëtorit që pret të vjedh ndonjë kocke që bie tek këmbët e tyre… Pra ne kemi dal gjithmonë vullnetar për të pranuar çdo gjë pa e analizuar dhe diskutuar fare, kjo pasi zbatimi përsëri bëhet sikurse do pushteti. Pra është keqpërdorur rëndomtë besimi dhe dëshira e mirë e BE etj, në këtë proces nga pseudo shumica aktuale qeverisëse. Nga ana tjetër kur gjërat marrin për keq asnjë nuk pranon të jetë pjesë e dështimit kështu që vazhdojnë të insistojnë me idenë që mund ta kthejnë realisht në rrugën e duhur procesin, por që në Shqipëri ndodh e kundërta, vetëm sa bëhet më keq dhe kur bëhet më keq sa s’ka ku të shkoj pranohet dhe rifillon çdo gjë nga e para dhe vendi ynë fatkeq së bashku me ne paguajmë krenarinë e sëmurë të radhës apo dështimin e mohuar të radhës. Shkurt, askujt nuk i dhëmb koka kur guri bie në kokën e tjetrit. Shqipërinë duhet ta bëjnë shqiptarët dhe vetëm shqiptarët do ta bëjnë.

–  Bashkimi Evropian, madje kërkoi nga Maqedonia e Veriut para disa muajsh, që të ndërpriste Reformën në Drejtësi sipas modelit që po zbatohet këtu. Mos vallë vetë BE zbaton në Shqipëri dy standarde? Apo në Shqipëri bëjnë eksperimente?

–  Mendoj që shpreson që ende procesi do të shkojë mirë, por do ta pranojë që dështoi, pasi të jetë shumë vonë.

– A është pasojë e Vetingut, që Shqipëria është 3 vjet pa Gjykatë Kushtetuese, tashmë pa Gjykatë të Lartë dhe me mungesa të mëdha në shkallët e Gjykatave dhe prokurorisë?

– Sigurisht që po, por jo drejtpërdrejtë e vettingut, vettingu në këtë rast u shfrytëzua nga politika si mjet për të arritur në këtë situatë. Kësisoj do të bënin sikurse po bëjnë çdo gjë që duan, edhe kjo gjendje ka për të shkuar në ekstrem sado çdo ditë do të themi “nuk paskemi parë gjë ende”… Ne do të vazhdojmë të jemi pa këto gjykata porsa kohë, nuk do të ketë ndryshim politik, pasi kjo shumicë nuk mund të kthehet mbrapa dhe do të bëj çmos të mbroj vetën tani dhe pasi të largohet.

–  A mendoni se Vetingu, si institucion, ka pavarësi nga pushteti Ekzekutiv dhe Legjislativ?

– Ligjërisht kanë pavarësi, por që emërimet janë bërë të gjitha me mbështetjen e politikës dhe kjo gjë vë në dyshim pavarësinë e tyre. Me veprimet e tyre, nuk kanë treguar të jenë mjaftueshëm të pavarur madje shpesh herë janë shndërruar në vegla të pushtetit. Kjo gjë duhet të ndryshojë me urgjencë.

–  A është e kapur Drejtësia e reformuar, derisa drejtues  edhe në institucionet e reja të krijuara nga Reforma në Drejtësi, sikurse KED është personi që ka 7 vjet anëtar i Gjykatës së Lartë me mandat të skaduar dhe kryetarët e institucioneve u përzgjodhën ata që hartuan reformën në drejtësi?

– Në një pjesë të madhe është kapur, por shpresoj që të mos lejohet që kapja të vazhdojë dhe të bëhet e pakontrollueshme dhe e pakthyeshme. Për këtë duhet ndryshim urgjent politik, sepse pa pushtetin politika nuk kap dot asgjë. Faktet janë që të gjithë emërimet e deritanishme janë pjesë ose lidhje familjare apo vasaliteti të politikës.

–  Shumë gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët vetingu i përjashtoi nga Gjyqësori, i janë drejtuar Gjykatës së Strasburgut, pasi mendojnë se vendimi ndaj tyre është i pabazuar në ligj. Nëse këta fitojnë të drejtën, a duhet të ndërpritet veprimtaria e Vetingut?

– Unë dyshoj që vendimet e Strasburgut do t’i kthejnë ato në punën që kishin edhe nëse do të fitojnë. Gjykoj që do të bëhet një zgjidhje e ndërmjetme edhe për rastet kur të fitojnë duke u mundësuar një lloj kompensimi dhe rehabilitimi moral, por jo kthim pasi kthimi do të sillte pasoja të paimagjinueshme për qëndrueshmërinë e gjyqësorit në Shqipëri. Gjithsesi, në disa raste flagrante dëshiroj realisht që t’ju jepet mundësia të kthehen edhe pse dyshoj në këtë gjë.

– Cili është mendimi juaj: Reforma në Drejtësi u shërben Drejtësisë, katharsit dhe shqiptarëve, apo qëllimeve politike të një kaste politike?

– Qëllimi i reformës ka qenë dhe mbetet pozitiv dhe në të mirë të shqiptarëve të paktën parë nga këndvështrimi i miqve tanë ndërkombëtare, por klasa jonë politike e ka përdorur dhe po e përdor në favor të saj. Mendoj që kthesa mund të ishte hapja e gjyqësorit për të rinj që nuk vijnë nga Shkolla e Magjistraturës dhe që mundësisht janë njerëz të arrirë në profesione të lira, akademi dhe ende më mirë nëse kanë shkollim jashtë vendit. Kjo klasë e brumosur ndryshe do të shkëpuste kordonin e kontrollit të politikës dhe do t’i rikthente këtij procesi misionin që kishte dhe çdo shqiptar sot pret. Klasa politike pa dallim është në konflikt interesi me këtë proces. Unë kam besim vetëm tek SHBA dhe vendet e tjera mike si Gjermania etj që mund t’i japin këtij procesi drejtimin e duhur të ndihmuar nga një klasë e re e juristëve të pakontrollueshëm dhe që e duan vendin e tyre si gjithë Evropa.

– Ju falenderoj, Prof. Daci!

boks me vete

Rrugëzgjidhja nga kolapsi në Drejtësi

–  Sipas jush, cila është rrugëzgjidhja nga kolapsi i krijuar në drejtësi si pasojë e keqzbatimit të Reformës në Drejtësi?

– Duhen bërë disa gjëra si psh:

  1. Të hapet gjyqësori për prurje nga jashtë dhe jo nga vetëm nga shkolla e magjistraturës së paku për 30 % të gjyqësorit ky do të ishte pjesë e një mekanizmi zhbllokues të situatës aktuale duke plotësuar në kohë reale vendet që mbetën të lira.
  2. Përshpejtimi i punës së vettingut me së paku çdo trupë duhet të gjykoj dy raste në jave.
  3. Duhet të rishikohen disa ligje kuadër dhe të reformohet administrata gjyqësor duke shumëfishuar burimet njerëzore dhe cilësinë etj.
  4. Duhet të kemi për çdo gjyqtar së paku 2 ndihmës ligjor. Duhet të rishikohet shpërndarja e ngarkesës duke ulur ngarkesën e çdo gjyqtari në maksimalisht në 250 raste në vit.
  5. Inspektori duhet të vihen në funksionim të plotë dhe dalë nga dalë të nxjerr jashtë loje vettingun.
  6. Të reformohen procedurat gjyqësor duke lehtësuar aksesin në gjykatë, por edhe punën e gjykatës.
  7. Të kontrollohet masivisht cilësia e vendimeve dhe të nxirren jashtë sistemit gjyqtarët që devijojnë nga parimet themelore dhe që japin drejtësi sipas qejfit të tyre dhe jo sipas normave dhe parimeve.
  8. Të hiqet sistemi i monitorimit ndërkombëtar pas mbarimit të mandatit të parë për t’i kthyer vendit sovranitetin e transferuar dhe të shfuqizohen ndryshimet kushtetuese të vettingut sapo të përfundojë procesi për të rikthyer standardet normale të një vendi demokratik.
  9. Ka nevojë për reformim të thellë të ligjeve sekondare dhe duhet ndryshim i politikës së burimeve njerëzore.

Mendoj që Shqipëria duhet të ngrejë institute kërkimore dhe grupe punë me shqiptarët ekselentë që punojnë jashtë dhe shqiptarët po aq ekselentë që nuk kanë pranuar të largohen. Skemat e rikthimit të trurit përfshirë edhe në fushën e drejtësisë janë urgjente dhe mundë të sjellin ndryshime rrënjësore në gjithçka që ne duam të ndryshojmë. Këto grupe ekspertësh duhet të skanojnë të gjithë legjislacionin dhe të vendosin standardet e duhura për secilën fushë duke sjellë edhe risitë që vendet e tjera kanë vite që i zbatojnë. 10. Ndryshimi i vërtet do të ndodhi vetëm nga njerëzit që nuk janë sot në gjyqësor dhe në struktura, pasi mendoj që jo më shumë se 10-20 % e tyre mund të jenë pjesë e ndryshimit, pjesa tjetër e ka humbur ndjesinë për të qenë pjesë e një sfide të tillë kombëtare.

  1. Jo e fundit, por nga më të rëndësishmet, reformimi tërësor i arsimit të lartë juridik përfshi atë të magjistraturës duke filluar me rivlerësimin akademik të stafeve, kurrikulave, programeve të lëndëve, literaturës, metodologjisë etj, por këtë reformim nuk e bëjnë dot ato që janë sot pjesë e këtyre strukturave dhe që janë pjesë e kësaj katrahureje të tanishme, por nga njerëz vizionar dhe jo në konflikt interesi që ka mjaftueshëm në Shqipëri dhe plotë jashtë saj. Sigurisht lista do të ishte shumë e gjatë, por po e ndërpres këtu duke ju uruar gjithë Shqiptarëve të kalojmë sa më shpejt dhe me sa më pak pasojë gjendjen e pandemisë dhe mbi të gjitha të shpëtojmë njëherë e përgjithmonë nga “pandemia” që zgjat prej tre dekadash që është tranzicioni i pafund i vendit tonë dhe sundimi i të të pamoralshmes, i të paligjshmes dhe i tradhtarëve të vendit tonë, pra nga klasa aktuale politike.