PS-ja lë 876 familje, përfituese të paaftësisë së përkohshme pa ndihmë ekonomike

125
Denoncimi i LSI/ Kryebashkiaku i Skraparit akuza këshilltarëve të Rilindjes: 
Nesim Spahiu, kryetari i bashkisë së Skraparit ka denoncuar sjelljen e anëtarëve të Këshillit bashkiak të PS, se këta të fundit kanë bllokuar ndihmën ekonomike. Teksa qëndronte përkrah deputetit të LSI-së për Skraparin, Nasip Naço, Spahiu u bëri thirrje socialistëve që të zhbllokojnë situatën dhe të marrin pjesë në mbledhje.
Këshilltarët socialistë hiqen prej hunde nga PS-ja
“Bashkia Skrapar dënon veprimin e disa ditëve më parë të disa këshilltarëve të Subjektit Politik, PS. Mungesa e tyre në Mbledhjen e Këshillit të Bashkisë Skrapar tregon papërgjegjshmërinë politike dhe qëllimin e tyre të vërtetë, varfërimin, përhapjen e problemeve dhe halleve më shumë për komunitetin. Edhe përse të gjithë anëtarët e Këshillit ishin njoftuar më herët për këtë mbledhje, prezent ishin Kryetari i Këshillit dhe 5 anëtarë që u paraqitën ndërsa të tjerët iu bindën urdhrave për bojkot “gjasme kundra projekt-vendimeve të Bashkisë”, por që në fakt ishin dhe mbeten kundër njerëzve të thjeshtë të Skraparit. 876 familje të paaftësisë do të mbeten pa të ardhura për veten dhe familjet e tyre për shkak të “këshillave” verbale të deputetit të Partisë Socialiste z. Adnor Shameti që u jep “këshilltarëve” të subjektit të tij. Po ashtu edhe 418 aplikantë të ndihmës ekonomike do mbeten pa të ardhura nga kjo mungesë e këshilltarëve duke treguar papërgjegjshmërinë morale ndaj komunitetit që ata përfaqësojnë. Bashkia Skrapar apelon tek këshilltarët e përgjegjshëm të subjektit politik PS të reflektojnë ndaj këtij “bojkoti-politik” pasi buka e gojës nuk pyet për ndasitë politike. Ata që mbeten më të ndëshkuar nga këto veprime, nuk janë Partitë apo Politikanë por vetë populli, që me votën e tij i zgjodhi për t’i përfaqësuar dhe jo për ti lënë në fatin e disa njerëzve që nuk u shkon në mendje varfëria e këtij komuniteti, hallet e tyre por vetëm interesat e tyre vetjake dhe se si të parakalojnë mes hallexhinjve me makina luksoze pa e kthyer kokën nga ata”, tha Spahiu. 
Deputeti Naço: Shameti bën presione politike
Deputeti i Qarkut të Beratit, Nasip Naço tha: “Dhe unë si deputet i zonës do doja të theksoja jo vetëm mbështetjen dhe solidaritetin ndaj Kryetarit të bashkisë Skrapar, këshilltarëve të përgjegjshëm të Këshillit Bashkiak, si dhe ndaj të gjithë atyre familjarëve të cilëve për shkak të papërgjegjshmërisë politike të këshilltarëve të Partisë Socialiste, të dirigjuar dhe orkestruar nga deputeti i Rilindjes, do duhet të vuajnë akoma më shumë varfërinë dhe mjerimin e tyre. Qeveria nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë plan për zhvillimin e Skraparit, për hapjen e vendeve të reja të punës, për luftën ndaj varfërisë, duke i lënë skrapallinjtë, dhe jo vetëm ata, alternativën e vetme, atë të largimit nga Shqipëria. Unë do doja që deputeti i zonës Adnor Shameti të heqë dorë nga veprimet e tij meskine dhe së bashku me të gjithë deputetët e Qarkut të bëhet zgjidhja e problemit, dhe jo problemi vetë. Ai duhet të heqë dorë nga presionet, se ndihma ekonomike është dhuratë e tij. Ai duhet ta kuptojë se presioni me ndihmën ekonomike dhe të KEMP-it, nuk do t’i sjellë votat e munguara Rilindjes prej vitesh në Skrapar. Deklarimet e tij se do jetë prezent në mbledhjen e Këshillit Bashkiak për t’u bërë të qartë, se KEMP-i dhe përkrahja sociale janë dhuratë e këtij deputeti delirant. Janë jo pak, por rreth 876 familje, përfituese të paaftësisë së përkohshme, të cilat do të mbeten pa të ardhura, duke bërë që ata t’i drejtohen listave të dyqaneve dhe duke u lënë si rrugë të vetme braktisjen dhe largimin jo vetëm nga Skrapari, por dhe nga Shqipëria. E njëjta situatë është dhe për 418 aplikantë të rinj të ndihmës ekonomike, të cilët do mbeten pa të ardhura, vetëm për shkak të mungesës së këshilltarëve të Rilindjes në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Qëllimi i deputetit të Rilindjes është i qartë: Sa më të varfër të jenë njerëzit, aq më e lehtë është që përkundrejt varfërisë tu blejë votën e tyre. Kjo nuk ka për të ndodhur, pasi skrapallinjtë, janë të varfër, por janë krenarë dhe nuk mund të shiten dhe blihen. Koha e ka vërtetuar.”