PS, Beqaj: Shqiptarët të rrezikuar nga krimi, Berisha tregon përralla

152

Sekretari për Programin në Partinë Socialiste, Ilir Beqaj në një deklaratë për mediat ngriti akuza ndaj Kryeministrit Berisha. Beqja u shpreh se sot kryeministri duhet të fliste për gjendjen e kriminalitetit në vend, e për zjarret që po djegin vendin. “Prej muajsh, një valë krimi dhe aksidentesh fatale kanë përfshirë vendin tonë. Vrasje, hakmarrje, larje hesapesh, grabitje, aksidente rrugore dhe në punë. Çdo ditë, jemi dëshmitarë të jetëve të humbura dhe po ashtu jemi dëshmitarë të një shteti që nuk ekziston. I pardjeshmi ishte një akt i paprecedent, që nuk mund të mbyllet me ndalimin e dy punonjësve të policisë. I pardjeshmi ishte një akt që tregoi se jetën në këtë vend nuk ta mbron as shteti me uniformë. Dje, në mbledhjen e qeverisë, ne prisnim që Sali Berisha të merrej seriozisht me gjendjen alarmante të kriminalitetit dhe të pasigurisë në Shqipëri. Të merrej me të drejtën më themelore të njeriut, të drejtën e jetës. Jeta është e kërcënuar, prona është e kërcënuar, sipërmarrja është e kërcënuar, edhe vetë media është e kërcënuar. Por jo, ai vazhdoi të injorojë hallet dhe problemet reale të shqiptarëve, duke përrallisur dhe gënjyer siç e ka zakon”, tha ai Në deklaratën e tij deputeti socialist theksoi se: “Verën e ardhshme shqiptarët nuk do të dëgjojnë më bëmat olimpike të Saliut. Partia Socialiste ka një plan për rivendosjen e demokracisë në vend, për rikthimin e sigurisë së jetës. Demokracia do të rivendoset dhe Shqipëria do të rilindë”.

 _________________________________________________________

Skandal në Korçë, shembet shtëpia e Themistokli Gërmenjit

Pas vjedhjes së veprave të artit në Galerinë e Arteve të qytetit të Korçës, në qytetin juglindor kryhet një tjetër ‘masakër’ kulturore. Shtëpia e shpallur monument kulture e Themistokli Gërmenjit është shkatërruar gjatë mbrëmjes së të mërkurës. Kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi tha se, godina ku Gërmenji shpalli Korçën krahinë autonome u shemb gjatë natës me mjete të rënda. “Kam njoftuar institucionet përgjegjëse dhe i bëj thirrje policisë të hetojë dhe kapë përgjegjësit e kryerjes së këtij ati të rëndë”. Në vitin 2010 shtëpia muze e patriotit Themistokli Gërmenji është bërë objekt i një konflikti pronësie mes 2 familjeve. Shembje e shtëpisë së patriotit, Themistokli Gërmenji përbën një tjetër skandal kulturor për qytetin e Korçës, pas zhdukjes së veprave të artit në Galerinë e qytetit.