Prokuroria të nisë hetimet për Edmond Haxhinaston

475
Sigal

Para 23 Qershorit, PS në opozitë, Braçe dhe të tjerë akuzuan dhe denoncuan në prokurori Haxhinaston, por sot hesht!

Mes shumë zullumesh që kishin bërë demokratët dhe që u shfrytëzuan nga opozita e atëhershme dhe që ndikuan edhe në rezultatin e zgjedhjeve të 23 Qershorit të vitit të kaluar, ishte edhe dështimi skandaloz me nuanca të pastra korrupsioni i privatizimit i Albpetrol-it. Për këtë, opozita e djeshme, sot në qeveri, akuzonte dhe kërkonte daljen para përgjegjësisë ligjore të Kryeministrit dhe sidomos të ish-ministrit Edmond Haxhinasto, njëkohësisht Kryetar i Entit të prokurimit. Por më pas ndryshuan shumë gjëra, erdhën zgjedhjet e qershorit 2014, ndryshuan koalicionet dhe me votë bindëse dhe qeverisja. Por një gjë nuk ndryshoi: Edmond Haxhinasto dje ishte ministër, por dhe sot përsëri është ministër. Përtej shumë debatesh e akuzash sot ndaj Haxhinastos (problem i grevës dhe premtimeve për taksitë 8 plus një, transporti urban për invalidët, prokurimi klientelist në prokurimin e mirëmbajtjes së rrugëve etj., për të cilat do merremi më vonë…), është e pafalshme të harrohen ‘mëkatet’ e tij në qeverisjen e djathtë për të cilat opozita sot në qeverisje, bëri ‘lum’ akuzash. Mjafton denoncimet sistematike të deputetit Erion Braçe dhe padia e tij në Prokurori për fillimin e tenderit dhe shpalljen fitues të kompanisë, e cila nuk kishte bërë ngurtësimin prej 85 milionë eurosh. E para e të gjitha gjërave do ishte pikërisht verifikimi i garancisë për sigurinë e ofertës.
SKANDALET NËPËRMJET FAKTEVE
Më 21 shkurt të vitit 2013, skandali me Albpetrol-in u bë objekt debatesh të ashpra në Kuvendin e Shqipërisë. Në qendër të kritikave e kërkesave të opozitës së kohësh për daljen para ligjit, ishin Berisha dhe zëvendësi i tijë Edmond Haxhinasto, ministri i së djathtës dje, sot ministër me Rilindjen( LSI). “Kam depozituar në Prokurorinë e Tiranë gjithë zyrtarët e juaj pasi kanë shitur kompaninë më të madhe në vend Albpetrol si dhe konsulentin tuaj… Zoti ministër procesi i Albpetrol ka qenë teknik dhe i thjeshtë për tu administruar në afate strikte në ditë dhe me orë, ku veprimet janë të përcaktuara. Komisioni i Ekonomisë nuk e ka bërë këtë dhe këtu buron përgjegjësia ligjore për ta. Dyshoj se pushteti i kryeministrit për të pasur pjesën e tij në çdo biznes, lidhja e plotë e konsulentit me blerësin dhe me kryeministrin ka ndikuar në mosveprimet e përcaktuar në ligj duke sjellë pasojat ekonomikë, procesi ka vdekur dhe ne kemi humbur moralisht dhe ekonomikisht. ‘Financial Times’ e quan turp ndërkombëtar…”,- denoncoi deputeti Erjon Braçe. Ministri Haxhinasto si përgjigje theksoi se procesi është bazuar në ligj, teksa duke iu përgjigjur akuzave të Braçes shtoi se pasuritë e vendit janë për t’u shfrytëzuar.
TENDERI I 7 SHTATORIT 2012
Ministri i Ekonomisë Edmond Haxhinasto i thirrur në interpelancë nga deputeti socialist Erjon Braçe, pas tenderit , tha se pas dështimit të ofertës së parë, Qeveria e këshilluar nga “ Paçon Bogs “, tentoi në fillim të këtij muaji t’ia shesë Albpetrol-in, kompanisë së renditur e dyta…”Ministria e Ekonomisë, në zbatim të detyrës të caktuar nga Këshilli i Ministrave shfrytëzoi vlefshmërinë kohore të ofertave, nga ku konstatoi se ato ka qenë të vlefshme për periudhën 120 ditë, pas datës së hapjes së ofertës. Ofertat janë hapur në një proces publik në datë 7 shtator dhe për pasojë vlefshmëria e ofertave në garë ka përfunduar me 7 janar”,- tha Haxhinasto. “…Do të thotë se nga ajo ditë, e nga ajo orë nuk ka më oferta të vlefshme për këtë tender. Ju tentuat një javë më parë që të riaktivizoni tenderin. Pra është e qartë se çdo gjë ka mbaruar, jo se do Qeveria, siç u shprehët këtu pak më parë, madje pavarësisht saj, por sepse kështu thotë ligji dhe akti i dalë në zbatim të tij. Ka mbaruar po me një dëm kolosal, ekonomik në respekt të ligjit”,-pohoi Erjon Braçe. Në vendimin numër 107 të Këshillit të Ministrave përcaktohet, se nëse kompania e shpallur fituese nuk arrin të kryejë pagesën e plotë, Qeveria i tërheq garancinë e ofertës prej 10 për qind, që në rastin e konkretë ishte 85 milionë euro. “Në këto kushte Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës filloi menjëherë procedurat e tërheqjes së garancisë së ofertës së këtij konsorciumi, në përputhje me përcaktimet e legjislacionit në fuqi, pra në 7 dhjetor”, tha Haxhinasto. “Dua të pyes Kryeministrin dhe ministrin Haxhinasto, ku janë sot 85 milionë euro, që duhet t’i kishit të arkëtuara, pse nuk i arkëtoni, ku janë paratë? Paratë nuk janë”, -tha Braçe.  “Komisioni i Tenderit me në krye zv.ministrin e Privatizimit ( LSI ) sot zv.ministër i Jashtëm ( LSI) , që pranoi një letër kallp është i Qeverisë tuaj. Emërohet nga Berisha dhe kontrollohet nga Edmond Haxhinasto. Kompania ‘Patton Bogs’ që dha sigurinë mbi letrën kallp është lobisti juaj më i paguar dhe arrogant i Kryeministrit tuaj. Mbi këtë letër kallp, Komisioni i Kryeministrit shpalli fituesin. Të gjithë bashkë kanë shpërdoruar detyrën kanë mashtruar me një dëm ekonomik prej 85 milionë eurosh dhe ky është krim penal”,- tha Erion Braçe.
HAXHINASTO PRANON DËSHTIMIN
Më 21 shkurt 2013, ministri Haxhinasto pranon dështimin në intervistën e dhënë në VOA ( Zëri i Amerikës)… “Në Shqipëri ministri i Ekonomisë Edmond Haxhinasto pranoi sot se zyrtarisht privatizimi i Albpetrol-it ka dështuar dhe se i është kërkuar qeverisë të anulojë procedurat e shitjes. Zoti Haxhinasto e bëri këtë njoftim gjatë një interpelance në parlament të kërkuar nga nënkryetari i grupit socialist Erion Braçe. Zoti Brace ngriti çështjen e garancisë prej 10 për qind të ofertës prej 85 milionë euro të konsorciumit të cilën autoritetet nuk kanë mundur ta arkëtojnë ende nga banka e Çikagos, American Chartered. Zoti Braçe ka bërë edhe një padi penale ndaj ministrisë së ekonomisë dhe komisionit të tenderit për një dëm ekonomik prej 85 milionw eurosh. Ministri Haxhinasto tha vetëm se, procedurat për tërheqjen e garancisë kanë nisur që në dhjetor. “Ministria e Ekonomisë i ka propozuar Këshillit të Ministrave që të shfuqizojë pikën dy të Vendimit të qeverisë datë 1.2.2013 dhe të mbyllë procedurën e privatizimit të shoqërisë Albpetrol. Pas mbylljes së procedurës së nisur, çështja e privatizimit të Albpetrol-it do të trajtohet në përputhje me rregullat e legjislacionit në fuqi”, deklaroi sot në parlament ministri i Ekonomisë Edmond Haxhinasto. Pas gati afro 5 muajsh Ministria e Ekonomisë pranoi dështimin në shitjen e njërës prej ndërmarrjeve më të rëndësishme të vendit, Albpetrol-it.

PËRGJEGJËSI E PANDËSHKUAR
Shumë pyetje u shtruan lidhur sa më sipër atë kohë. Kush do mbaj përgjegjësi për sigurimin e ofertës së Albpetrol-it prej 85 milion eurosh që i mungon shtetit z.Haxhinasto ? A do të dënohet njeri për këtë aferë të paparë ndonjëherë?! Përse nuk u finalizua ky privatizim zoti Prokuror i Përgjithshëm / Kur do vendosni ta thërrisni në para drejtësisë Kryetarin e Entit të Prokurimit të METES Edmond Haxhinasto? Mos vallë Haxhinasto ministër, po tashmë me të majtën është një nga këto arsye? Mos vallë Haxhinasto qenka i ‘prerë’ vetëm për ministër, pavarësisht se kush është në pushtet e qeveri, e majta apo e djathta!? Qindra anëtarë të enteve të prokurimit mbajnë përgjegjësi dhe dënohen qoftë edhe për abuzimet me qindarkat ndërkohë që shtetit sot prej shpërdorimit të detyrës nga Edmond Haxhinasto i mungojnë 85 milionë euro ose rreth 110 miliardë lekë…