Prof. Rexhep QOSJA / NATYRA DHE HISTORIA PËRZGJODHËN VLORËN

456
Sigal

Ndihem shumë i privilegjuar për nderimin që më bëhet duke qenë i shpallur Qytetar nderi i Vlorës në vitin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë. Për çdo shqiptar, kudoqoftë ai sot, që e don popullin të cilit i takon dhe që e don Shqipërinë, që pjesëtarët e brezit tim gjithnjë e quanim nëna Shqipëri, nuk mund të ketë nderim më të madh se sa prej vlonjatëve të jetë i shpallur Qytetar Nderi i Vlorës.

Ky është nderim që e kuptimëson shumë jetën e të nderuarit dhe ky është nderim që e obligon shumë të nderuarin me këtë titull.

Dhe, si të mos jetë kështu?

Vlora është qyteti i Bukurisë dhe Vlora është qyteti i Lavdisë shqiptare.

Dhe, këtë Bukuri që bashkon det dhe tokë Vlorës ia ka dhuruar Gjeografia.

Dhe, këtë Lavdi , që bashkon të shkuarën dhe të përtashmen, Vlorës ia ka dhuruar Historia.

Gjeografia dhe Historia, ndër të gjitha qytetet shqiptare, e përzgjodhën Vlorën që të jetë Mendja dhe Zemra Bashkuese shqiptare më 28 nëntor 1912.

Gjeografia e Historia e përzgjodhën Vlorën që pikërisht ajo të bëhet edhe çka u bë në historinë e re të popullit shqiptar edhe për disa arsye: pozita gjeografike e bënte më të përshtatshme për ngjarjen e madhe që do të ndodhë aty; visoret e saj, kështjella e saj dhe bregdeti i saj e bënin natyrshëm më të mbrojtur prej rreziqeve që mund t’i kanoseshin ato ditë; traditat e burrërisë dhe e trimërisë së banorëve të saj e të rrethinave të saj ishin premtimi më i sigurt për mbrojtjen e personaliteteve historike që do të vijnë aty dhe të veprës së madhe historike që do të krijojnë ata.

Por, Gjeografia dhe Historia e përzgjodhën Vlorën për të kryer misionin historik që do të kryejë dhe për një arsye tjetër të madhe: edhe për arsye se ajo ishte qyteti ku kishte lindur Burrështeti i saj i madh: Ismail Qemali.

E vlonjati Ismail Qemali ishte ai të cilin nëna natyrë e kishte përgatitur për t’u bërë çka do të bëhet ai në historinë e popullit shqiptar: ai ishte prijësi i lindur për kohën në të cilën do të merreshin vendimet historike për fatin e popullit shqiptar. Ai ishte i parimshëm dhe i dinjitetshëm, i vendosur dhe zemërgjerë, i guximshëm dhe i matur, largpamës dhe parashikues. Gjykimi i tij i qartë, sjellja e tij e avashtë, gojëtaria e tij përshtypjebërëse e bënin sipëror dhe magjepsës personalitetin e tij. Me veprimet e tij të njësuara dhe me mendimet e tij parathënëse ai ishte zotëruesi i situatave dhe, siç është thënë bukur për të, zotëria i kohës.

Me të gjitha këto virtyte ai ishte prijësi i mezipritur, që po i dhurohej popullit shqiptar. Në sajë të cilësive të sipërthëna ai do të arrijë të bëhet prijësi i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në çastet më vendimtare të saj.

Dhe, pikërisht ky prijës i madh do të jetë në gjendje që më 28 nëntor 1912, në Vlorë, të mbledhë rilindës e atdhetarë të tjerë, mendimet dhe veprimet e të cilëve përcaktoheshin prej vlerash morale e shpirtërore e jo prej leverdish lëndore.

Atë ditë në Vlorë u bashkuan ata mendimet dhe veprimet e të cilëve prëcaktoheshin prej idealit të madh: që ta bëjnë Shqipërinë të lirë dhe që ta bëjnë Shqiptarin zot në vendin e vet.

Atë  ditë, në Vlorë, këta idealistë ngritën flamurin kuq e zi, me shqiponjën dykrenore, si simbolin e Shqipërisë së rilindur pas aq shekujsh.

Dhe, atë ditë, në Vlorë, këta idealistë mbajtën Kuvendin me delegatë të ftuar prej të gjitha krahinave shqiptare.

Atë Kuvend, në të cilin një numër i delegatëve nuk arriti kurrë për shkak të luftërave që po bëheshin në Ballkan dhe  në tokat shqiptare, e drejtoi vonjati i madh, Ismail Qemali.

Dhe, në atë Kuvend u shpall Shqipëria “më vehte, e lirë dhe e mosvarme”, e përbërë prej të gjitha trojeve në të cilat shqiptarët ishin popullsi e vetme a shumicë e madhe etnike, që brezat e ardhshëm gjithnjë do ta quajnë Shqipëria etnike.

Në atë Kuvend u krijua Qeveria e parë e Shqipërisë së pavarur, e përbërë prej ministrash të cilët mbi pasurinë, mbi mirëqenien dhe mbi jetën e tyre kishin vënë Atdheun dhe Popullin e tyre.

Dhe, i parë i këtyre ministrave u zgjodh vlonjati i madh, Ismail Qemali.

Duke filluar prej asaj Ditë të madhe, më e madhja në historinë e tyre, shqiptarët mblidhen në Vlorë dhe e kremtojnë 28 nëntorin 1912.

Tani e njëqind vjet, me 28 nëntor, shqiptarët nuk mblidhen dhe nuk kremtojnë si republikanë, socialistë a demokratë; as si toskë a gegë; as si katolikë, ortodoksë a myslimanë; në Vlorë, për kujtim dhe nderim të 28 nëntorit, shqiptarët mblidhen dhe kremtojnë vetëm si shqiptarë. Si shqiptarë të bashkuar, që pashmangshëm do ta bëjnë Shqipërinë e Bashkuar – Shqipërinë etnike.

Me idenë e bashkimit në mendje dhe në zemër ata e përmbushin amanetin e paraardhësve të lavdishëm që gjithë ç’patën e flijuan për pavarësinë e Shqipërisë.

Kështu ishte 99 vjetët e shkuar.

Kështu do të jetë 99 vjetët e ardhshëm.

Kështu do të jetë gjithmonë.

Kështu do të jetë derisa të jetë Vlora e Vlora do të jetë Gjithmonë.

Këtë rol të madh, historik kombëtar, Vlorës nuk do të mund t’ia marrë kush kurrë. Kurrë. Sepse atë rol të madh, historik kombëtar, Vlorës ia kanë dhuruar Historia dhe Gjeografia. Sepse atë rol të madh, historik kombëtar të Vlorës e kanë në mendje dhe e kanë në zemër të gjithë atdhetarët shqiparë, siç e kishte poeti i saj, i cili në emrin e tyre këndonte:

Vlorën edhe Vlorën thelp e kam në zemër.

Ditën e kam Dritë, natën e kam Ëndërr.