Protesta e opozitës, reagon për herë të parë ministri Xhafaj, ka një falënderim

736
Sigal

Pasi opozita protestoi për disa orë, madje edhe poshtë zyrës së tij, duke i kërkuar dorëheqjen, vjen reagimi nga ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Përmes një postimi në Twitter Xhafaj shprehu vlerësime për punën e punonjësve të policisë që ishin në gatishmëri në terren për mbarëvajtjen e protestës.

“Vlerësim i veçantë e respekt për gjithë shërbimet e Policisë së Shtetit të angazhuar në sigurinë e mbarëvajtjen në tërësi të tubimit të opozitës. Profesionalizmi dhe qetësia në përmbushjen e detyrave të ngarkuara në këtë rast: shenjë e respektit për ligjin dhe interesin qytetar”, tha Xhafaj. Ditën e sotme u angazhuan në protestë rreth 1500 policë nga komisariatet e Tiranës, forcat Shqiponja, FLO dhe FNSH për ruajtjen e rendit gjatë protestës.

Kujtojmë se përfaqësues të PD-së dhe LSI-së, së bashku me shumë qytetarë iu bashkuan protestës në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, e më pas iu drejtuan Ministrisë së Brendshme, ku kërkuan dorëheqjen e Xhafajt, ndërsa brohorisnin edhe ‘Rama ik’. Në këtë tubim nuk munguan as konfrontimet mes protestuesve dhe policisë, ku për pasojë 11 efektivë u lënduan si dhe kryeredaktori i RD-së, Bledi Kasmi.

Që nga dita kur publikuan dosjen e plotë të dënimit të vëllait të ministrit, Agron Xhafaj, i cili rezultonte i dënuar si pjesë e një organizate të trafikut të drogës, demokratët kërkuan që Xhafaj të dorëhiqet. Ndërsa ministri reagoi dhe u distancua nga veprimet e vëllait, PD publikoi të tjera prova të forta, një audiopërgjim të vëllait të ministrit me një trafikant. PD deklaroi se biseda e përgjuar ishte bërë në kohën kur Xhafaj ishte ministër, duke shtuar se Agron Xhafaj bënte trafik droge nën hundën e vëllait ministër.