9 nga Kalatë kryesore të Shqipërisë do të ndriçohen nga FSHZH-ja me rastin e 100- vjetorit të Pavarësisë

487
Sigal

FSHZH-ja është duke realizuar ndriçimin e mureve rrethuese të 9 kalave kryesore të Shqipërisë me rastin e 100 -vjetorit të Pavarësisë së vendit. Kalatë e përfshira në këtë projekt janë: Kalaja e Krujës, Elbasanit, Beratit, Lezhës, Kaninës, Gjirokastrës, Shkodrës, Prezës dhe Petrelës. Nëpërmjet këtij investimi, FSHZH-ja synon të kontribuojë në afirmimin e vlerave historike dhe kulturore të vendit si edhe në rritjen e të ardhurave të njësive vendore të përfshira në të, nëpërmjet promovimit dhe rritjes së aksesit në objektet e trashëgimisë kulturore. Gjithashtu, synohet që, t’i jepet rëndësia e duhur këtyre elementëve të trashëgimisë kulturore duke afirmuar vlerat historike dhe kulturore të Shqipërisë, në funksion të një fryme pozitive kombëtare dhe komunitare. Në realizimin e këtij projekti, FSHZH po bashkëpunon ngushtë me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si edhe me njësitë e qeverisjes vendore që kanë në territorin e tyre këto kala. Punimet në këto kala po realizohen dhe me bashkëpunimin e institutit të monumenteve të kulturës për të garantuar ruajtjen e vlerave te objektit të trashëgimisë kulturore. Drejtori Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit z. Benet Beci, gjatë ndjekjes së punimeve për instalimet në Kalanë e Shkodrës ndër të tjera tha se: “Në këtë 100 -vjetor, Fondi Shqiptar i Zhvillimit me të ardhurat e veta, po kontribuon për të nxjerrë në pah disa nga objektet më të rëndësishme të historisë së popullit tonë. Ne vlerësojmë se trashëgimia historike dhe kulturore nuk përbëhet vetëm nga objekte dhe struktura, por mbi të gjitha nga lidhjet shpirtërore që na mbajnë bashkë dhe përcaktojnë identitetin tonë. Ne, sapo kemi përfunduar ndriçimin e Kalasë së Kaninës në Vlorë, Kalasë së Elbasanit e asaj të Beratit dhe kemi drejt përfundimit Kalanë e Krujës, Shkodrës, Gjirokastrës dhe Lezhës. Të gjitha këto kala do të jenë të ndriçuara përpara datës 28 Nëntor “, për të qenë pjesë e dekorit festiv të kësaj feste.” Në mbrëmje, u krye dhe një vizitë në Kalanë e Lezhës, ku u testua me sukses ndriçimi i kësaj kalaje.