Prof. Fehmi Abdiu: Ndryshimet kushtetuese janë të pjesshme

131
Konstitucionisti Prof. Fehmi Abdiu, në pjesën e dytë të intervistës për gazetën “Telegraf” pohon se ndryshimet kushtetuese që janë propozuar në draftin e Komisionit Parlamentar të reformës në drejtësi janë të pjesshme, dhe se Kushtetuta aktuale, madje thotë se Këshilli i Ministrave përmbush të gjitha kompetencat që nuk i kanë institucionet e tjera. Prof. Abdiu shprehet se kjo lë vend për shumë interpretime, për mënyra të ndryshme veprimi, etj. Gjithashtu, ky draft nuk planifikon çfarë do të arrihet nga kjo reformë, çfarë ndryshime do t’i vijnë Shqipërisë, cilat janë pritshmëritë? Por, më kryesorja thekson Prof. Abdiu, ky draft pranon që Parlamenti mund të mos kryejë funksionet e tij, kur nuk arrin të votojë një anëtar të Gjykatës së Lartë, Kushtetuese, etj, dhe pastaj, ky funksion u kalon institucioneve të tjera. 
Zoti Abdiu, a janë të mjaftueshme ndryshimet Kushtetuese të propozuara në draftin e Komisionit Parlamentar, i cili i është përcjellë për vlerësim Komisionit të Venecias? 

– Por edhe kështu siç janë prezantuar, prapë, nëse do të flitet për një ndryshim tërësor të Kushtetutës, këto ndryshime të propozuara janë pak. Duhen bërë edhe ndryshime të tjera.
– Për shembull?

– Fjala vjen. Kapitulli, që ka Kushtetuta jonë për qeverinë, për Ekzekutivin, është i dobët. Ka shumë mangësi. Ka vend për t’u plotësuar, për t’u saktësuar, për t’u detajuar në disa aspekte. Këtu nuk flitet as për përgjegjësi disiplinore të ministrave, as për përgjegjësi civile të tyre, as për përgjegjësi penale të ministrave, probleme këto që janë evidentuar, që kanë ekzistuar që në Kushtetutën e kohës së Zogut. Ekzistojnë këto përgjegjësi në shumicën e Kushtetutave të vendeve të tjera. Duhen dispozita kushtetuese që kanë të bëjnë me përcaktimin e kompetencave të qeverisë, sepse Kushtetuta jonë ka mbajtur një qëndrim, që mua më duket se nuk është e rregullt. Dispozitat kushtetuese të tanishme thonë, që Këshilli i Ministrave përmbush të gjitha ato kompetenca, që nuk i përmbushin institucionet e tjera. Një formulim si ky, kaq i përgjithshëm, kaq i papërcaktuar, nuk është e vështirë për të kuptuar që Kushtetuta lë shkas për shumë interpretime, lë shkas për mënyra të ndryshme veprimi, lë shkas për koncepte dhe mentalitete të një qeverie të fortë dhe të një qeverie të butë. I një qeverie që do të përplaset dhe i një qeverie që nuk do të përplaset me interesa. I një qeverie që bën luftë të zgjidhë problemet me reforma, për të krijuar shtetin e së drejtësi, dhe një qeveri që nuk merret me ndërtimin e shtetit të së drejtës. Ka shumë gjëra të tjera, që tani është koha, që Kushtetuta jonë duhet të përsoset. Dhe nëse ka kohë, vend, për t’u bërë ndryshime të plota të gjithanshme të Kushtetutës, duhet bërë tani, që të mbyllë edhe problematikat që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi. Reforma nuk duhet kuptuar thjesht puna që bëhet për të ndryshuar Kushtetutën. Kjo është puna më e thjeshtë, ose aspekti më i thjeshtë i reformës në drejtësi. 
– Cilat janë aspektet më të vështira të reformës në drejtësi?

– Së pari, reforma në drejtësi duhet të planifikojë, të parashikojë çfarë arritje do ketë nga kjo reformë? Çfarë ndryshime do t’i vijnë Shqipërisë? Çfarë pritshmëri ka, të cilat nuk i shikon të argumentuara gjëkundi, sa dhe si duhet. Reforma në drejtësi do të fillojë në thelb, me ndryshimet kushtetuese, sepse edhe nga draftet e paraqitura, janë lënë, që mjaft probleme të zgjidhen me ligje të veçanta. 
– A e shikoni të drejtë, metodologjikisht, këtë?

– Këto, aplikohen në Kushtetutë, por ato do të kërkojnë një punë shumë më të madhe, nga çfarë është bërë për Kushtetutën. Ato do të detyrojnë ligjbërësit, dhe organet e tjera, ose të punojnë me ngut, urgjentisht, pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese, që sado të punojnë dhe sido që të punojnë, nuk do të arrijnë t’i përfundojnë gjithë detyrimet që kanë, të paktën për aspektin ligjor. Sepse do të jetë e domosdoshme që të ndryshojnë minimalisht ligjet kryesore të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë, të KLD, të Prokurorisë së Përgjithshme, të Ministrisë së Drejtësisë, duhet të bëhet ligji për Presidentin, do të ndryshohen dispozita të Parlamentit, ligji i përfaqësimit Gjyqësor. Kur do të bëhen këto? Do të duhen muaj të tërë, për t’u përgatitur, për t’u njohur dhe do të duhen muaj të tërë për të hyrë në fuqi. 
– Me këtë reformë, a do të munden gjyqtarët dhe prokurorët të ndihen se karriera e tyre nuk varet nga politika, për të dhënë, paskëtaj, vendime të pandikuara nga politikanët?

– Unë kam qenë kundër pikëpamjeve, se në Shqipëri nuk ka gjyqtarë e prokurorë për të gjykuar personalitete politike, sepse jam i bindur, që me gjithë problematikat e mëdha që ka drejtësia dhe jo vetëm, sepse siç është drejtësia, është edhe fytyra e administratës, është fytyra e politikës. Shikoni Gjykatën Kushtetuese. 
Përse kjo gjykatë ka pasur kurajën që të përplaset me këdo dhe ka marrë vendime që kanë rrëzuar ligje të qeverisë? 

Gjyqtarin dhe prokurorin e bën të pavarur dhe të pandikuar nga cilido, në vendimet që merr, personaliteti i tij, kultura e tij, profesionalizmi i tij. 
– Faleminderit!