Katja Leikert/ Nënkryetarja e Grupit Parlamentar të CDU/ CSU, e mandatuar nga Merkel negocion për zgjidhjen e krizës

589
Sigal

Katja Leikert, nënkryetare e grupit parlamentar të CDU/CSU, duket se është mandatuar nga Gjermania për të gjetur një zgjidhje mbi krizën politike në vend. Leikert ka zhvilluar takime me Presidentin Ilir Meta, Kreun e PD-së Lulzim Basha dhe kryeministrin Edi Rama, por ajo personalisht nuk ka dhënë asnjë deklaratë apo vlerësim mbi atë se çfarë ka biseduar me liderët politikë në vend. Numri dy i deputetëve të partisë së kancelares Angela Merkel, mbulon çështjet evropiane në grupin parlamentar të CDU/CSU dhe duket se kjo është arsyeja që ajo është mandatuar për zgjidhjen e krizës politike në vend. Këtë rol më parë e mori Johann David Wadephul, zëvendëskryetar i grupit parlamentar CDU/CSU, i cili përpara 30 qershorit bëri disa propozime, por që nuk u morën në konsideratë nga ‘Rilindja’ e drejtuar nga Kryeministri Edi Rama. Mes propozimeve të Wadephul ishte edhe shtyrja e zgjedhjeve të 30 qershorit, që më pas u anuluan me një dekret presidencial, që nuk u njoh nga KQZ me shumicë socialiste. I vetmi që ka folur pas takimit që ka pasur me nënkryetaren e grupit të CDU/CSU, ishte kreu demokrat Lulzim Basha. “Zgjidhja e kësaj krize kalon përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ku qytetarët shqiptarë të kenë mundësi ta thonë fjalën e tyre me një votë të lirë dhe të pandikuar nga krimi i organizuar. Çka do të thotë një qeveri tranzitore pa Edi Ramën dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhje kushtetuese lokale. Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar është në komunikim të vazhdueshëm me faktorin ndërkombëtar. Pjesë e këtij komunikimi ishte edhe takimi i djeshëm me nënkryetaren e Grupit Parlamentar të CDU/CSU-së në parlamentin gjerman, zonjën (Katja) Leikert, komunikim i cili vazhdon intensivisht, në mënyrë pothuajse të përditshme, dhe do të vazhdojë, edhe në ditët e javët në vijim”, deklaroi Basha.

Po kush është Katja Leikert?

Ajo ka lindur në 1975, është diplomuar në gjimnazin katolik “Franziskaner në Großkrotzenburg” në 1994. Pas diplomimit, ajo ka punuar si ndihmës mësuese në Shkollën Ushtarake Mbretërore të Dukës së York-ut në Dover, në Mbretërinë e Bashkuar. Më pas ajo ka filluar studimet në Shkencat Politike. Në 2006 ka mbrojtur doktoraturën dhe është e specializuar në politikën e jashtme dhe atë të sigurisë.