DW- Ekspertët gjermanë / Korrupsioni largon rininë, mungesa e reformave rrezikon kthimin e procesit të çeljes së negociatave

158
Sigal

Tobias Ruettershoff, drejtues i zyrës së fondacionit gjerman”Konrad Adenauer” në Tiranë dhe Stinne Klapper, drejtuesja e zyrës së fondacionit gjerman,“Friedrich Ebert“ në Tiranë janë pyetur rreth situatës politiko sociale në vend pas hapjes së negociatave me BE. Ruettershoff,  mendon se shkaku kryesor i largimit të rinisë dhe profesionistëve të kualifikuar nga Shqipëria është korrupsioni.

Cili është mendimi juaj për situatën aktuale politike në Shqipëri?

Shqipëria ka qenë gjithmonë shumë pro-evropiane, por për shkak të bllokimit dhe vonesës së gjatë në hapjen e negociatave, kohët e fundit kemi përjetuar, në vend, një lloj “lodhjeje” dhe zhgënjimi nga BE. Kështu, negociatat tani duhet të fillojnë shpejt për të nxitur një dinamikë të re pozitive. Për më tepër, shpresojmë që hapja e negociatave të mbajë një presion konstruktiv ndaj institucioneve dhe autoriteteve shqiptare për të vazhduar me reformat dhe konvergjencën drejt standardeve të BE. Brenda vendit, kjo do të thotë gjithashtu që çështje të tilla si skandali i inceneratorëve, i zbuluar nga opozita, duhet të çojnë në veprime më konkrete, duke përfshirë hetime të mëtejshme dhe fundin e mosndëshkimit për ata që janë të përfshirë në krime dhe korrupsion.

Çfarë mendoni për reformat që Shqipëria duhet të ndërmarrë dhe të thellojë për të ecur drejt standardeve evropiane tani që negociatat e anëtarësimit janë hapur?

Është e rëndësishme që reformat të vazhdojnë për ta afruar Shqipërinë me standardet evropiane dhe për të garantuar suksesin e integrimit në BE. Janë rrugës edhe reforma të tjera, për shembull reforma zgjedhore dhe territoriale. Shpresoj që në fund, si opozita ashtu edhe mazhoranca në parlament, të bien dakord për propozime që i sjellin dobi popullit shqiptar dhe e afrojnë Shqipërinë me BE.

Ju sapo përmendët rëndësinë e veprimeve konkrete kundër korrupsionit. Strategjia e re e Zgjerimit të BE-së parashikon kthimin ose ndërprerjen e bisedimeve të anëtarësimit në rast stanjacioni ose mungese të progresit. Cilat mendoni se janë veprime të rëndësishme që duhet të ndërmerren për të shmangur një rrezik të tillë të mundshëm për Shqipërinë?

Kuadri i negociatave duhet të reflektojë që Shqipëria ka adresuar me sukses prioritetet si fillimi i procedurave penale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve, të akuzuar për sjellje kriminale gjatë procesit të vetingut, fillimi i procedimeve ndaj të akuzuarve për blerje votash, progresi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet dhe kërkesa të mëtejshme. Për më tepër, ne ndajmë shqetësimin e CDU/CSU se ende nuk janë përmbushur disa kritere si pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit dhe liria e shtypit.

Çfarë masash duhen marrë për të frenuar emigrimin masiv të rinisë, boshatisjen e vendit? 

Emigrimi i rinisë dhe i profesionistëve është me të vërtetë një problem, që e kemi parë në rritje gjatë viteve të fundit dhe tani po bëhet një problem shumë i rëndë. Për shembull, nëse shikoni numrin e mjekëve dhe infermierëve që largohen nga vendi, u shtoni atyre ata që dalin në pension dhe i vendosni përballë numrit të të diplomuarve në mjekësi, që largohen nga shkollat dhe universitetet, mund të kuptoni lehtësisht që kjo nuk është e qëndrueshme. Qeveria duhet të ndërmarrë veprime. Besoj se kjo mund të arrihet me disa masa shumë konkrete si paga më të larta dhe kushte më të mira pune. Por përtej kësaj duhet të ecim përpara në rrugën e zbatimit të standardeve evropiane dhe në luftën kundër korrupsionit, sepse kjo është ajo që largon shumë njerëz nga vendi.

Stinne Klapper, drejtuesja e zyrës së fondacionit gjerman,“Friedrich Ebert“ në Tiranë, foli rreth sfidave që duhet të fitojë Shqipëria, pas hapjes së negociatave të anëtarësimit

Strategjia e re e Zgjerimit të BE parashikon edhe kthimin pas, ose ndërprerjen e bisedimeve të anëtarësimit nëse zhvillimi ngec. Cilat mendoni se janë ato veprime të rëndësishme që duhet të ndërmerren që ky rrezik potencial të shmanget?

Është një risi e mirë e të ashtuquajturës metodologji e zgjerimit që të ketë mundësinë e kthyeshmërisë, që do të thotë, se nëse nuk ka përparim ose nëse ndodh kthim prapa, kjo do të reflektohet edhe në hapat e integrimit. Kemi parë zhvillime shumë problematike përsa i përket përkeqësimit të standardeve demokratike, për shembull, në vende si Serbia edhe pse vendi është tashmë në mes të bisedimeve për anëtarësim. I ashtuquajturi mekanizëm i sundimit të ligjit që përfshin opsionin për të sanksionuar shkeljet e sundimit të ligjit është një hap i parë i rëndësishëm, dhe po ashtu është edhe kthyeshmëria në procesin e zgjerimit.