Për një javë u vranë 4 të rinj, aktivistë dhe qytetarë të Laçit në protestë: Kërkojmë siguri

218
Sigal

Ngjarjet e fundit kriminale me viktima 4 të rinj nga Kurbini dhe plagosjen e një tjetri, kanë nxitur reagimin e Shoqërisë Civile në këtë zonë.

Aktivistët të mbështetur dhe nga qytetarë u mblodhën para prokurorisë dhe gjykatës e me pankarta dhe thirrje për më shumë siguri, marshuan në rrugët e qytetit të Laçit.

Protestuesit shprehën indinjatën e tyre ndaj institucioneve që sipas tyre janë bërë palë me krimin dhe nuk garantojnë siguri për qytetarët.

“Katër nëna kanë varrosur bijtë e tyre, të cilët më shpejt i gjeti hasmi sesa shteti,”- tha Elsa Sula aktiviste.

“Siguria e qytetarëve është vënë në pikëpyetje e përballë këtij realiteti kemi institucionet, që nuk shfaqin asnjë lloj reagimi,”- tha Emarilda Leti aktiviste.

“Ne po kërkojmë që punonjësit, që marrin rrogat me taksat tona të mos bashkëpunojnë me krimin. Të mos i japin atij krimi, atë frymë që t’i duket vetja i fortë,”- tha Elton Laska avokat.

Marshimi i aktivistëve dhe qytetarëve zgjati për rreth 1 orë, ndërsa u përmbyll përballë Komisariatit të Policisë Kurbin.