Prof. Dr. Lisen Bashkurti: “AK-ja do jetë në qendër të spektrit politik shqiptar”

517
Sigal

Prof. Dr. Lisen Bashkurti, me cilësinë e sekretarit për marrëdhëniet me Jashtë të AK-së, pohon në intervistën për “Telegraf”, se, AK-ja do të jetë në qendër të spektrit politik, edhe pse nuk fitoi asnjë mandat në Kuvend. Zoti Bashkurti, thekson se, shqiptarët ushqejnë admirim dhe respekt për ambasadorin Arvizu, sepse ai është përfaqësuesi i Presidentit të SHBA-ve, i cili është aleati më i fuqishëm i Kombit shqiptar.

– Prof. Bashkurti, cila është e ardhmja politike e AK-së?

AK-ja nuk është themeluar për një palë zgjedhje. AK-ja nuk është një forcë që ka lindur vetëm për të qenë në Parlament. Nga zgjedhjet që kaluan kemi mësuar se nuk duhet humbur. Humbja në politikë e diplomaci, megjithë koston që mund të ketë, është mësimi më i mirë. Asnjë parti nuk bëhet forcë politike reale pa u sfiduar. Tani AK-ja di sesi do veprojë në skenën politike shqiptare, di si të ndërtojë strategji afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjatë. Përballja me AK-në do të jetë shumë më e vështirë për çdo aktor e faktor politik sot dhe në të ardhmen. Sipas gjithë studimeve që kemi bërë dhe informacioneve që kemi marrë pas zgjedhjeve, AK-ja ka pasur de facto katërfishin e votave që u deklaruan de jure. Këto vota janë këtu, në realitetin politik shqiptar pasuri e AK-së. Procesi politik vazhdon. Zgjedhjet e përgjithshme përfunduan, por vendoret po vijnë. AK-ja do jetë jashtëzakonisht aktive në proceset politike të vendit.

– Opozitar? Opozitar më  vete, apo në një front me të djathtën opozitare?

– AK-ja është e do qëndrojë në qendër të politikës sipas doktrinës që ka. Është e drejta e lidershipit opozitar të tentojë për të krijuar një front opozitar. Por, unë mendoj se opozita e sotme ka nevojë shumë t’i nënshtrohet një procesi të gjatë korrigjimi, përmirësimi, pastrimi dhe ristrukturimi në të gjitha nivelet. Nga ana tjetër, personalisht mendoj se AK-ja nevojitet të respektojë verdiktin plebishitarë, jo vetëm në kuptimin e njohjes së plotë të legjitimitetit të pushtetit aktual, por edhe të mbështetjes për realizimin e programit, për të cilën votuan shumica cilësore e shqiptarëve. Personalisht, nuk i mbyll portën e bashkëpunimit asnjërit krah, mjafton të udhëhiqet nga mbrojtja e identitetit e interesave kombëtare dhe të respektojë parimet e vlerat e  demokracisë liberale.

– Besoni se bashkëqeverisja PS-LSI do të përmbushë shpresën e shqiptarëve për një rotacion thelbësor, në një politikëbërje të re, apo do të kemi thjesht rotacion ngjyrash partiake?

Populli i ka dhënë PS-LSI besim të jashtëzakonshëm. Ndofta ky rezultat ishte më tepër si pasojë e dëshpërimit të madh, sesa e besimit të madh. Sidoqoftë, sovrani i ka mandatar fuqishëm. Nuk është mirë ta paragjykojmë. Është ende shumë herët, jashtëzakonisht shumë herët, të japim mendime rreth pyetjes tuaj. Por, duke ditur gjendjen ekonomiko-financiare në të cilën e kanë lënë vendin papërgjegjshmëritë e qeverisë në ikje, them se sfidat do të jenë më të mëdha sesa edhe vetë koalicioni. Por, dëshiroj e shpresoj se koalicioni qeverisës nuk do e zhgënjejë popullin shqiptar. Do ishte mëkat dhe paaftësi që të mos i përgjigjeshe pozitivisht një vote kaq plebishitare. AK-ja, mendoj se do mbështesë çdo politikë në të cilën koalicioni qeveritar do mbrojë interesat kombëtare, si dhe parimet e vlerat e demokracisë liberale. Sikundër, mendoj se AK-ja, do qortojë e kundërshtojë çdo politikë që i bie ndesh këtyre interesave e parimeve, që AK-ja i ka të shenjta në doktrinën e saj.

– Dorëheqja e Berishës, si kryetar i PD-së, mendoni se, do të shënojë kthesën e një reforme të thellë në PD e në të djathtën në përgjithësi?

-Është shumë herët për të parashikuar. Për njëfarë kohë, ndofta jo të shkurtër, PD-ja do ketë dy kryetarë: një kryetar real, por “eminencë gri”, që është ai që përmendni juve në pyetje dhe një kryetar formal, por pa kokë dhe pa rrënjë. PD-ja do gërryhet për disa kohë nga klanet e grupacionet brenda për brenda saj, sapo të dobësohet “eminenca gri”.

–  A ka ndonjë lidhje midis tyre, të ngjarjeve në Himarë me Agimin e Artë dhe të dhunës që ushtruan disa besimtarë e priftërinjtë në zaptimin e Pallatit të Kulturës në Përmet?

Mendoj se ka lidhje të shumëfishta. Rrënjët e këtyre lidhjeve nuk janë në Shqipëri. Në Shqipëri dalin vetëm ferrat e tyre. Ngjarja në Himarë kërkon penalizim. Nazizmi nuk ka vend në Shqipëri. Ajo çka ndodhi në Përmet kërkon trajtim të veçantë, bazuar vetëm në Kushtetutë, në ligje, në statutin e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare. Mbi të gjitha, zgjidhja e situatës në Përmet i bën apel ndërgjegjen multifetare të popullit shqiptar, cili ka adoptuar ndër shekuj devizën e Pashko Vasës shkodranit: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”.

– Prof. Bashkurti, cilat duhet të jenë prioritetet e diplomacisë shqiptare, të qeverisë së re të së Majtës?

– Mendoj se prioritet e politikës së jashtme janë bërë të qarta nga koalicioni i maxhorancës aktuale. Ajo që do sugjeroja është që para së gjithash, të miratojnë një dokument strategjik afatgjatë në Parlament, me objektiva, synime, prioritete, plane veprimi në mënyrë të matricifikuar, që të vënë në lëvizje jo vetëm diplomacinë e ekzekutivit, por edhe atë parlamentare dhe të sektorëve të tjerë të shtetit e të shoqërisë. Politika e jashtme dhe diplomacia nuk punojnë me mandate qeverisëse, por janë më konservatore dhe shumë më afatgjate. Një prej pjesëve, ku më së shumti kemi funksionuar si sistem hibrid në këtë tranzicion ka qenë pikërisht politika e jashtme dhe diplomacia. Po t’i referohemi marrëdhënieve ndërkombëtare, sistemeve ndërkombëtare, doktrinave ndërkombëtare dhe diplomacisë botërore është qartësisht si dielli sesa konservatore janë politika e jashtme dhe diplomacia. Rrotacionet politike nacionale, kurrsesi nuk janë edhe rotacione politike të jashtme dhe diplomatike. Mendoj, gjithashtu, qe kjo maxhorancë nevojitet të vërë në themele të qëndrueshme ligjore shërbimin diplomatik. Diplomati si sintezë e atdhetarizmit, kulturës, profesionalitetit dhe etikës i nevojitet sot më tepër se kurrë Kombit tonë në zhvillim. Politika e jashtme, sado mirë që të jetë përpiluar, është e destinuar të dështojë, nëse nuk kemi kualitetet diplomatike. Dhe e kundërta, nëse kemi kualitetet të larta diplomatike, ato edhe mund të korrigjojnë gabimet në përpilimet në politikën e jashtme.

Ambasadori Arvizu meriton admirim dhe respekt

– Nga drejtues të lartë të PD-së kohët e fundit bëhet një sulm kundër ambasadorit amerikan Arvizu. Ju si i gjykoni këto qëndrime politike?

– Është akti më i turpshëm dhe më i dëmshëm për Kombin dhe demokracinë, që kjo garniturë politike, e dënuar nga populli me votë plebishitare, po bën përpara dorëzimit të zyrave. Ambasadori Aleksandër Arvizu është institucion përfaqësues i Presidentit të ShBA. ShBA-të janë aleati më i madh dhe më i qëndrueshëm i popullin shqiptar qysh nga themelimi i Lidhjes së Kombeve në 1919 e deri më sot. Dy shtetet shqiptare, Shqipëria e Kosova janë krijuar dhe ekzistojnë në këto konture politike, nga pikëpamja ndërkombëtare, kryesisht në saj të mbështetjes së jashtëzakonshme të SHBA. Në demokracinë shqiptare, nga vitit 1991 e deri më sot, SHBA na kanë qëndruar më pranë. Në proceset e integrimit, nga OSBE e deri në NATO, avokati më i fuqishëm pro Shqipërisë kanë qenë SHBA. Gjendja e shqiptarëve në Ballkan, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Preshevë mban padyshim kontributin e drejtpërdrejtë të diplomacisë amerikane. Në fund të fundit, vetë shqiptarët kudo e kurdoherë, janë deklaruar krenarisht e pa mëdyshje si populli më pro-amerikan në Evropë. Për këtë kemi arsye të plota historike dhe aktuale dhe këto arsye do na udhëheqin edhe në të ardhmen në aleancën strategjike me ShBA. Por, individualisht, diplomati Aleksandër Arvizu është një diplomat i lartë, që meriton për t’u admiruar dhe respektuar. Unë kam njohur dhe kam punuar si dhe vijoj të punoj prej dekadash me diplomatë të huaj nga gjithë bota. E them me bindje se Aleksandër Arvizu është nga ato diplomatë, që do ngelet në memorien time, për respektin e lartë që ka treguar për kombin e popullin shqiptar, për neutralitetin politik, për parimësinë e qëndrimeve dhe veprimeve të tij, për modestinë e veçantë dhe për mirësjelljen ndaj çdo njeriu në Shqipëri. Personalisht, i uroj shëndet e fat kudo që do jetojë, apo do punojë për Kombin e popullin e madh Amerikan dhe shpresoj se, nuk do e harrojë kurrë Shqipërinë e shqiptarët.