Ultimatumi i Ramës: Spastroni Ministrinë e Jashtme!

454
Sigal

Kryeministri shqiptar porosit ministrin e Jashtëm të spastrojë strukturën e ministrisë deri te roja

Para dy ditësh, gjatë mbledhjes së zhvilluar në Vlorë, Kryeministri Edi Rama i ka dhënë një paralajmërim të fortë, ministrit të Jashtëm, të sapozgjedhur, Ditmir Bushatit, duke e porositur të spastrojë korridoret, zyrat, mjediset e Ministrisë së Jashtme, si edhe  ambasadat tona jashtë shtetit, deri në skajin më të fundit të botës, nga kunatat, krushkat dhëndurët, apo kushërinjtë e dytë, tretë të ish -ministrave dhe ish- zyrtarëve të lartë të Partisë Demokratike. “Ministrinë e Jashtme e dua të pastër pa asnjë njollë nepotizmi”, u shpreh ai. Një reagim kaq emergjent nga ana e Kryeministrit të sapozgjedhur të vendit tonë ishte thuajse i pritshëm, sepse zyrat e kësaj ministrie, si edhe ndërtesat e ambasadave shqiptare jashtë vendit, janë kthyer në fole krushkash, e dhëndurësh të përfaqësuesve të lartë të Partisë Demokratike dhe aleatëve të tyre. Vetëm nga familja Ceka janë dy ambasadorë. Të gjithë e dimë se deri tani kriteri i vetëm i emërimit në këto zyra ka qenë tarafi familjar dhe lidhjet që kanë me figurat qendrore të selisë blu. Aq e pështirë është bërë kjo situatë, saqë njerëzit e thjeshtë nuk kanë dëshirë as të kalojnë jashtë mureve të kësaj ministrie, ku vetëlavdërohen me dhjetëra injorantë që tundin nëpër duar diplomat false, apo certifikatat që vërtetojnë lidhjet nepotike me krerët. Për këtë arsye Rama ka kërkuar t’i jepet fund njëherë e mirë këtij mjedisi të kthyer në gjiriz, për të vendosur aty profesionistët dhe ata persona që u takon një detyrë e tillë.

Gjithashtu, para pak kohësh, në shtyp u publikua një listë e gjatë me emërime nepotike, ku vendin e ambasadorëve e kishin zënë të gjithë njerëzit e tarafit, të Topallit, Bodes, Cekës, etj., duke lënë jashtë kësaj ministrie profesionistët.  Ndërsa para dy muajve, ministri i Jashtëm në detyrë Aldo Bumçi ka shpërndarë një numër të madh gradash në vlerësim, të punonjësve të kësaj ministrie. Këto grada, si “ambasadorë”, “ministër”, etj., u dhanë për të joshur kushërinjtë e zyrtarëve të lartë. Me një fjalë, në Shqipërinë e drobitur, nga njëra anë Ministria e Jashtme ka njohur dështime pas dështimesh, nga ana tjetër është mbushur me tituj e medalje vlerësimi. Në lidhje me këto vlerësime Rama ka dhënë urdhër të prerë që  të mos merren aspak parasysh, por personat në fjalë duhet të rifuten në testimin përkatës, për të marrë atë që meritojnë. Me sa duket ultimatumi i Ramës, për këtë sektor jep shpresë se më në fund, Shqipëria do të përfaqësohet në botë me dinjitetin dhe me njerëzit që meriton.