Prof. Dr. Kristaq Kume: Kolegji Zgjedhor nuk mori vendim për të bërë zgjedhje në 30 qershor, por kjo po përdoret nga PS-ja

588
Sigal

Prof. Dr. Kristaq Kume, drejtor ekzekutiv i Institutit Shqiptar për zhvillimin e Sistemit të zgjedhjeve

 Kolegji Zgjedhor nuk mori vendim për të bërë zgjedhje në 30 qershor

 

Prof. Dr. Kristaq Kume, drejtor ekzekutiv i Institutit Shqiptar për zhvillimin e Sistemit të zgjedhjeve në intervistën për gazetën “Telegraf” shpjegon se dje Kolegji Zgjedhor nuk rrëzoi dekretin e Presidentit të Republikës për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve në 30 qershor, por thjesht nuk pranoi çregjistrimin e një partie politike nga lista zgjedhore, sepse edhe vetë Kolegji Zgjedhor e di që nuk ka kompetenca ligjore dhe kushtetuese të shfuqizojë dekretin e Presidentit për procesin zgjedhor. Prof. Kume, thotë se opozita mund të ankimojë rezultatin zgjedhor të 30 qershorit në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo gjykatë kur të funksionojë, mund të anulojë 30 qershorin.

-Prof. Kume, si e kuptuat ju vendimin e djeshëm të Kolegjit Zgjedhor?

– Dje Kolegji Zgjedhor nuk mori në shqyrtim dekretin e Presidentit të Republikës për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve vendore në 30 qershor, pasi nuk është bërë asnjë ankesë kundër këtij dekreti nga asnjë subjekt politik dhe elektoral. Së, dyti, edhe vetë Kolegji Zgjedhor e di shumë mirë, që nuk ka asnjë kompetencë ligjore nga Kodi Zgjedhor, as kushtetuese, që të shqyrtojë dekretin e Presidentit të Republikës për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve të 30 qershorit.

Prof. Kume, Komisioni Parlamentar i Ligjeve, dje u shpreh se Kolegji Zgjedhor rrëzoi dekretin e Presidentit të Republikës, madje, duke u bazuar edhe në këtë vendim të kësaj gjykate zgjedhore, ky komision parlamentar filloi edhe procedurën për shkarkimin e Presidentit të Republikës…

Vendimi që mori dje Kolegji Zgjedhor thjesht përdoret politikisht nga mazhoranca, pasi kërkon që ta quajë si fitore të saj. Por, edhe një herë, Kolegji Zgjedhor nuk u mor me gjykimin e dekretit të Presidentit të Republikës për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve vendore në 30 qershor, por thjesht shqyrtoi kërkesën e një partie, që donte të çregjistrohej nga lista zgjedhore. Kolegji vetëm këtë kërkesë shqyrtoi dhe vendosi që të mos e çregjistrojë, për arsye të sigurisë të procesit zgjedhor, pasi ka precedentë edhe në të kaluarën, ku janë marrë vendime nga Kolegji Zgjedhor, të mos çregjistrojë parti e subjekt elektoral nga lista zgjedhore.

– Derisa nuk ka Gjykatë Kushtetuese, çfarë duhet të bëjë opozita, pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor?

– Pavarësisht, se procesi zgjedhor është nul pas dekretit të Presidentit të Republikës të botuar edhe në gazetën Zyrtare, opozita duhet të bëjë animimin në Gjykatën Kushtetuese, dhe, kur kjo gjykatë të funksionojë, do të marrë vendimin, që mund të anulojë gjithë rezultatin zgjedhor të 30 qershorit dhe të urdhërojë ribërjen zgjedhjeve vendore.

– Prof. Kume, KQZ-ja nuk i ka 7 anëtarë, ndërkohë që duhen 5 vota, që të certifikojë rezultatin zgjedhor të 30 qershorit. Kush do ta certifikojë rezultatin zgjedhor?

– Sipas Kodit Zgjedhor, KQZ-ja mund të certifikojë rezultatin zgjedhor vetëm me 5 vota, nga 7 të mundshme. Nëse anëtari i opozitës në KQZ-në e tanishme nuk i certifikon rezultatin zgjedhor, atëherë, çështja shkon në Kolegjin Zgjedhor dhe aty do të merret vendimi përfundimtar. Ky precedent ndodhi edhe në zgjedhjet parlamentare të 2013-s, ku KQZ-ja e atëhershme ishte me 4 anëtarë, pasi 3 anëtarët e PS-së e braktisën KQZ-në dhe ishte Kolegji Zgjedhor që certifikoi rezultatin zgjedhor të 2013-s.