Prof. Dr. Fehmi Abdiu: Votat që duhen për zgjedhjen e anëtarëve të Kushtetueses, Gjykatës së Lartë e institucioneve të tjera

531
– Profesor jemi në procesin final të bërjes së Reformës në Drejtësi. Por, aktualisht ka ndodhur një ngërç i madh kushtetues midis Parlamentit dhe Presidentit. Presidenti kohët e fundit nuk dekretoi ligjin për pronat, nga ana tjetër e ktheu mbrapsht. Parlamenti, pa reflektuar asnjë nga vërejtjet e Presidentit e miratoi këtë ligj siç ishte. Problemi është këtu: A mund të pretendojmë të bëjmë Reformë në Drejtësi, duke bërë edhe ndryshime kushtetuese për këtë gjë, por pa përmirësuar raportet midis pushteteve; President, Parlament dhe Qeveri? 
– Pyetja që parashtroni ju përmbledh në vetvete shumë aspekte që duhen trajtuar veçmas e që të gjitha bashkë pastaj mund të na çojnë drejt një përfundimi për t’i dhënë një përgjigje të shkurtër kësaj që thoni. Ajo më nxit për të menduar se, cilat aspekte duhen trajtuar fillimisht para se sa të shkojmë drejt një konkluzioni ose një përgjigje përfundimtare. Si problem teorik edhe doktrinar që lidhet me pyetjen tuaj, unë ve re konstatimin e shqetësimit tuaj lidhur më të drejtën e Vetos së Presidentit të Republikës. E drejtë, e cila parashikohet nga neni 85 i Kushtetutës, sipas të cilës Presidenti i Republikës ka të drejtë që ta kthejë një herë për rishqyrtim ligjin që miraton parlamenti. Them të kufizohemi tek kjo, të mos shpërndahemi më shumë, më tej marrëdhënieve President-Parlament për aspekte të tjera, sepse kjo problematikë për të cilën pyesni ju, që e lidhni konkretisht me të drejtën që pati presidenti për të kthyer ligjin për pronat është interesante, sepse me të lidhen disa aspekte që kanë të bëjnë me pasoja të ndryshme për secilin organ në veçanti dhe tej këtyre organeve, tej Presidentit, Parlamentit edhe për gjithë opinionin publik shqiptar. Në Shqipëri është krijuar veçanërisht viteve të fundit një mentalitet shumë i gabuar rreth të drejtës së Presidentit të Republikës për të kthyer ligjin një herë parlamentit, kur ai konstaton se sipas tij ligji ka probleme të karakterit kushtetues dhe ligjor është folur pak, por e rëndësishmja është kjo; kjo kompetencë e presidentit është kompetencë zyrtare, institucionale, kushtetuese e tij. Pra, Presidenti i Republikës në kuptimin juridik për sa kohë ka të drejtën të vrojtojë, të kontrollojë ligjet para se sa të marrin rrugën e tyre për tu shpallur e për të hyrë në fuqi, ai duke përdorur të drejtën e vetos për raste të veçanta është në përmbushje të funksionit të vetë, edhe shërben në këto raste kur ai konstaton parregullsi në ligjin e miratuar. Kjo veprimtari e tij shërben si një katalizator kontrollues për të evituar gabimet që mund t’i kenë kaluar për një arsye apo për një tjetër, për një shkak apo për një tjetër parlamentit, lidhur me ligjin që ka dërguar për të parë, kontrolluar pse jo edhe për të hyrë në fuqi. Pra, unë dua që të sqarohet fakti, se kjo është një e drejtë e tij, se ky është një vlerësim për funksionet që i janë dhënë sipas Kushtetutës Presidentit, se ky është një mjet kontrolli që ushtron presidenti në një farë mase ndaj parlamentit për ligjin konkret dhe si të tilla duhen vlerësuar të gjitha hapat që ka hedhur apo që hedh presidenti në veprimtarinë praktike. E nënvizoj këtë fakt, sepse tek ne është krijuar një praktikë shumë e gabuar për të gjitha rastet që Presidenti i Republikës ka përdorur të drejtën e vetos dhe ka kthyer për rishqyrtim në parlament, vitet e fundit kam konstatuar se ka një ndjenë paragjykimi. Këto raste janë paragjykuar dhe nuk kanë munguar ose kanë qenë të shpeshta ato raste kur deputetë të maxhorancës, grupe parlamentare ose deputetë të ndryshëm të parlamentit e për më keq, personalitetet kryesore që drejtojnë pushtetin Ekzekutiv apo atë Legjislativ, janë shprehur menjëherë pa u njohur me argumentet e parashtruara nga presidenti në dekretet e tij, pa parë shkaqet, sepse ishte kthyer ligji ato e kanë paragjykuar, e kanë sulmuar pse jo dhe janë shprehur shumë herë se mazhoranca do të mbajë të njëjtin qëndrim që ka mbajtur, në kohën që ka shqyrtuar ligjin fillimisht përpara se presidenti të hynte në këtë lojë për ta kthyer atë. Ky paragjykim mua më duket i gabuar dhe do të dëshiroja që të mos evitohet, të mos duket, të mos bjerë në sy, sepse ndikon shumë keq në veprimtarinë dhe në marrëdhëniet me gjithë institucionin. 
– Është e qartë, që kemi ngërç në marrëdhëniet midis pushteteve. Problemi shtrohet që kjo reformë në drejtësi, meqenëse do bëjë edhe ndryshime kushtetuese, do të mund ta kapërcej, ta zgjidhë, t’i jap rrugë zgjidhje këtij ngërçi, sepse në ndryshimet kushtetuese të propozuara, nuk kemi një qartësi midis kompetencave të presidentit dhe të institucioneve të tjera, qoftë edhe me gjyqësorin? 
– Para së gjithash, para se të jap një përgjigje rreth kësaj pyetje, unë dua të nënvizoj prapë një fakt, se praktika e ndjekur nga Presidenti i Republikës kohët e fundit që ka ndërmarrë nismën dhe ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese, ligjin për pronat, për të cilin ai kishte kthyer disa dispozita për t’u rishqyrtuar edhe një herë, por që parlamenti gjatë rishqyrtimit nuk ndryshoi asgjë në raport me përmbajtjen e tij të miratuar më parë. Kjo praktikë mua më duket e dobishme dhe e domosdoshme. Duket e dobishme, sepse në fund të fundit, nëpërmjet qëndrimit që do mbaj Gjykata Kushtetuese ndaj rasteve të tilla ose ndaj këtij rasti, opinioni publik shqiptar do të qartësohet për një fakt me shumë rëndësi. Do të marr vesh, nëse ishte i drejtë qëndrimi i presidentit, që i kthehu këtë ligj parlamentit për rishqyrtim apo nëse është i drejtë qëndrimi i parlamentit, që kur e rishqyrtoi atë nuk i mori parasysh argumentet e parashtruara nga presidenti. Përgjigja që do të japë Gjykata Kushtetuese, duhet të shërbejë pozitivisht për secilin nga këto subjekte. Për të parë me ndjenjë përgjegjësie punën që ka në dorë, vlerësimin që kanë pasur ndaj këtij problemi, nëse ka pasur të drejtë apo jo. Për të nxjerrë mësime dhe detyra për raste të tjera. Por mbi të gjitha shërben për të qartësuar opinionin publik shqiptar të vërteta ose të pavërteta në raportet e këtyre institucioneve. Nëpërmjet praktikave të këtij lloji, opinioni publik do shikojë se cili nga këto organe ka punuar mirë për rastin konkret dhe cili nga këto organe ka gabuar keq për rastin konkret. Fakti që Presidenti i Republikës ka kthyer për vitet e fundit disa ligje, por që shumica e tyre nuk janë bërë objekt diskutimi në Gjykatën Kushtetuese, sepse ai nuk i ka dërguar atje, sepse subjektet e tjera që e venë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese nuk i kanë dërguar atje të gjitha ato ligje, dëshmon se në këtë drejtim është krijuar një mangësi, që ka dhënë shkas për keqkuptime, për keqinterpretime, pse jo edhe për konflikte ndërinstitucionale, president-parlament.

– Atëherë, kjo reformë do ta zgjidhë këtë?
– Tani, kjo pyetje e lidhur me reformën konkrete në drejtësi, prej një viti e më shumë ka filluar, ka vazhduar dhe me një preokupim serioz shkon drejt finalizimit të fazës së parë të saj, e lidhur me këtë, merr një rëndësi të veçantë. Them merr një rëndësi të veçantë, sepse nëse sipas pikëpamjes sime që në fillimin e hapave të parë të kësaj punë do të ekzistonin marrëdhënie të mira, të shëndosha bashkëpunimi, bashkëveprimi institucional midis këtyre dy institucioneve shumë të rëndësishme, unë mendoj se kjo reformë do të kishte ardhur shumë më efektshme. Do kishte përfunduar shumë më shpejt, do kishte përfunduar me shumë më tepër dobi nga çka ardhur deri më sot. Do të kishte evituar shumë herë keqkuptime, keqinterpretime që janë vënë re në këtë fazë. Do të kishte dhënë rezultate shumë më të mira veçanërisht në opinionin publik shqiptar dhe në opinionin e huaj ndërkombëtar. Fakti që midis parlamentit-komisionit të posaçëm-maxhorancës dhe opozitës kanë ekzistuar konflikte për këtë punë. Fakti që këto konflikte janë shoqëruar dhe një farë mase me konflikte më të buta, por të dukshme të Presidentit me Parlamentin, me komisionin për këtë punë, i ka zbehur vlerat e punës së bërë, ka vënë shumë pikëpyetje mbi të. Ka humbur ose ka zbehur prapë fuqinë argumentuese të punës së bërë, ka vënë shumë pikëpyetje mbi të, ka zbehur fuqinë argumentuese të punës së bërë, ka krijuar dyshime serioze tek të huajt për këtë problem, sa Komisioni i Venecias mesa kuptoj unë është vënë në pozita shumë të vështira saqë dhe ai vetë nuk ka ditur kohët e fundit ç’qëndrim të mbaj rreth problematikave që konstatohen në Shqipëri. Pra me pak fjalë, fakti që kanë ekzistuar konflikte edhe për këtë problem, edhe për reformën, ka pasur një ndikim negativ për këtë proces edhe do të ketë sipas mendimit tim akoma më tej ndikim negativ, sepse të gjithë organet sot po kërkojnë gjoja të përfundojnë sa më shpejtë këtë reformë, kur indirekt, një pjesë e mirë e tyre, me veprime të heshtura ose të shpallura dukshëm bëjnë përpjekje për ta penguar. Fakti që presidenti i republikës kërkon sot e kësaj dite, tani kur të gjithë shqiptarët mendojnë se reforma po shkon drejt fundit të saj ose të paktën drejt përfundimit të fazës së parë të saj që të rifillojë t’i vejë në lëvizje partitë politike nëpërmjet tryezave politike, mua më duket jo shumë i argumentuar sot jo shumë i pranueshëm dhe shuam bindës kur në Shqipëri për këtë problem për këtë reformë ka një vit e gjysmë që humbët kohë, janë humbur kapacitete, janë humbur aftësi intelektuale dhe shumë e shumë gjëra të tjera. Janë bërë konsulta, janë bërë pyetësorë janë bërë aplikime…. 

– Profesor jemi para faktit që komisionit të Venecias i janë dërguar sërish drafte të ndryshme nga palët politike në Shqipëri. Pyetja është kjo: Në këto drafte që u dërguan, pati reflektim për rekomandimet dhe opinionet që dha Komisioni i Venecias për draftet e para? Ju ç’mendim keni?
– Për ti dhënë një përgjigje kësaj pyetjeje duhet të marrësh të kontrollosh me imtësi qëndrimet e mbajtura nga komisioni i Venecias nga ekspertet ndaj draftit të parë, ndaj praktikës së parë, ndaj draftit të dytë, pse jo të shohësh se ç’qendrim do të mbajë edhe ndonjë drafti tjetër që mund të marri emrin si drafti i tretë. Pse e them? Sepse vërej akoma që ka parti, që thonë se po i nisim ose do t’i nisim. Mua mu duk se Komisioni i Venecias, veçanërisht këtë radhën e fundit që ishte në Tiranë, ishte në kushte shumë të vështira, aq sa realisht pata përshtypjen se nuk qenë në gjendje të mbajnë një qëndrim të caktuar. Por gjithë ajo punë që bën ai dhe gjithë ai qëndrim serioz u katandis tek një përgjigje e dhënë rreth një pyetjeje, që tashmë është bërë prej 6 muajsh, nëse duhen miratuar apo nuk duhen miratuar anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë me 3/5 apo 2/3. Nuk është ky funksioni, nuk është kjo detyra që ka marr përsipër Komisioni i Venecias. Ai ka marrë përsipër për të bërë një ekspertizë teorike doktrinare të shumë problematikave, që kanë gjerësi të madhe në atë projekt, që u përkasin jo vetëm pushteti gjyqësor, por edhe pushteteve të tjera. Dhe katandisja e një përgjigje vetëm për atë, mua mu duk se qe një mjet sa për të kaluar radhën dhe për tu thënë shqiptarëve që me ju është shumë vështirë të bashkëpunosh, sepse u kemi thënë disa herë, se si mund t’i zgjidhni këto probleme dhe ju vetëm i keni ndërlikuar ato. Ndërsa grupet e ndryshme të ekspertëve të evakuar për këtë punë kam përshtypjen se kanë bërë një punë të lodhshme, por që do të mendoja se po të kishin pasur një vizion të qartë që në fillim nuk do ta kishin humbur të gjithë këtë kohë me këtë rezultat. Grupi i ekspertëve të opozitës ka bërë një punë të pëlqyeshme, por prapë mendoj se insistimi në disa momente me rëndësi teorike për probleme të veçanta të reformës, duket si një përsëritje për të humbur kohë dhe për të insistuar mundësisht të imponojë maxhorancës të pranojë opozitën, si një faktor kryesor edhe për reformën. Pra, për të kërkuar protagonizëm. 
– Cilat palë, opinionet dhe vlerësimet që Komisioni i Venecias dha për herë të parë, nuk ishin të qarta apo vetë palët politike në Shqipëri nuk donin t’i reflektonin ato, por këmbëngulnin në qëndrimet e tyre për të bërë draftet që ato duan sipas qëndrimeve politike?
Fakti që ekspertët e ngarkuar me këtë punë kanë pranuar vetë që kanë raportuar disa nga opinionet e tyre, lidhur me atë çka ka rekomanduar Komisioni i Venecias tregon se për shumë probleme, nuk ka pasur largpamësi në fillim. Ndërsa për insistimin e tyre, që për problematika të veçanta të mbeten tek zgjidhjet e para fillestare…
Duke anashkaluar Komisionin e Venecias…
Jo, duke anashkaluar, nuk ka anashkalime të ndërgjegjshme aty, atje ka përzgjedhje opsionesh, përzgjedhje alternativash 
D.m.th, ata nuk duan opinionet e Komisionit…?
Jo nuk duan, ata kanë pasur dhe kanë bindjen se, p.sh., atë alternativë që thamë për 3/5 apo 2/3, që është bërë vulgare tani, kanë qenë dhe kanë mbetur tek alternativa e parë, që shumicës i duket më i pranueshëm alternativa, se me 3/5, zgjedhja e tyre do të jetë komode, kushtetuese, konstitucionale, bashkëkohore dhe e pranueshme nga të gjithë. Dhe logjika ta do realisht, se anëtarët e këtyre institucioneve që në fakt janë personalitete të rëndësishëm, më shumë se kaq nuk kërkohet dhe nuk duhet të zgjidhen për aq kohë sa me 2/3 ne miratojmë ndryshimet kushtetuese, me 2/3 e votave bëjmë kushtetutë dhe do të ishte normale që anëtari i Gjykatës së Lartë, ta dijë, të marrë të njëjtat vlera për tu përzgjedhur, me të njëjtat vlera që bëhet Kushtetuta e vendit, që është akti themeltar i një shteti e që i shërben një populli të tërë për dekada të tëra. Prandaj, ata kanë mbetur në opinionet e tyre, se kanë bindjen, se ato janë zgjedhjet më të drejta, më të pranueshme. E para dhe se parashikojnë, se nëse ndodh e kundërta, Parlamenti do të vihej në kushte të vështira, me 2/3 e votave, do të jetë më e vështirë me konsensus për të zgjedhur njërin ose tjetrin në këto institucione
– Profesor, në kontekstin e Reformës Zgjedhore, doja t’iu bëja një pyetje, duke u nisur nga fakti që ju keni qenë kryetari i Gjykatës Kushtetuese. Këto ditë është bërë një akuzë publike që kryeministri ka takuar në fshehtësi, jo publikisht, kryetarin e Gjykatës të lartë dhe dy anëtarë të gjykatës së lartë për të biseduar një temë të caktuar. “Çështjen e mandatit të deputetit socialist Koço Kokëdhima që ka vajtur në gjykatën kushtetuese”. Ky lajm nuk u përgënjeshtrua as nga Kryetari i gjykatës Kushtetuese dhe as nga Kryeministria. Heshtja do të thotë që është pranuar. Është problem që Kryeministri të takojë Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese? 
– Unë mendoj se kjo pyetje nuk ia vlen të merresh fort me të. Së pari, unë dyshime rreth problematikave të tilla i kam pas ndjerë mbi supet e mia, në kohën që kam pas drejtuar Gjykatën Kushtetuese, ku në atë kohë zoti Berisha dhe bashkëpunëtorë të tjerë të tij kontrollonin dhe kur pija ndonjë kafe, qoftë dhe të rastit me Nanon, kur ishte Kryeministër apo dhe me personalitete të tjerë të maxhorancës së asaj kohe, të së majtës. Për mua nuk ka, nuk shoh asgjë të keqe që kryeministri të takojë kryetarin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk shoh asgjë të keqe që kryeministri të takojë dy, tre, pesë gjykatës të Gjykatës së Lartë apo të asaj Kushtetuese. E rëndësishme është nëse ka prova e dyshime, ky është tjetër problem. Përse i takon? Edhe t’i takojë edhe të këmbejë problematika njerëzore me ta është gjë mjaft e mirë, mjaft e bukur. Por t’i takojë për të kërkuar apo për të ndërhyrë në veprimtarinë e tyre është mjaft gjë negative dhe e keqe. Pra, për aq sa kohë unë për vete nuk kam dyshim rreth kësaj problematike dhe asnjë prove pro apo kundër, them se nuk ja vlen të merret njeri me të. Nëse Gjykata Kushtetuese ka vendosur ta zëmë pozitivisht për mandatin e Koço Kokëdhimës, ajo do shprehet pozitivisht. Nëse Gjykata Kushtetuese ka vendosur negativisht, prapë do shprehet negativisht dhe çfarëdo që të ndodh, sado që të takojë kryeministri ose parlamentarët,ose gjykatësit, asaj nuk do të kenë ç’t’i bëjnë më. E rëndësishme është që politikanët ta dinë dhe ta kuptojnë se të tjera janë marrëdhëniet njerëzore me njerëzit që gjykojnë dhe të tjera janë marrëdhëniet institucionale, zyrtare, shtetërore, tek të cilat ata nuk kanë asnjë të drejtë të bëjnë, asnjë lloj ndërhyrje në punën e tyre. Madje veprimtaria, ndërhyrjet ndaj tyre, sipas nenit 145 të kushtetutës dënohen. 

– Profesor, derisa të gjitha palët politike pranojnë që duhet një reformë zgjedhore, por duke pasur parasysh edhe reformën e dekriminalizimit fajtor, për të cilin është dhe në një farë mase edhe sistemi elektoral aktual. Çfarë duhet të përmbajë, të prekë dhe të sjellë reforma zgjedhore?
– Ne jemi mësuar gabimisht, që çdo gjë që bëhet ne e quajmë reformë. Është folur për reformë zgjedhore, siç thash që para 10 vjetësh, flitet dhe sot. Janë ndryshuar 10-15 nene çdo legjislaturë dhe është quajtur reformë. Për mendimin tim veprimtaria legjislative që është veprimtari e përjetshme e çdo parlamenti, aq më tepër e parlamenteve të demokracive, nuk duhet quajtur dhe barazuar me çdo hap, me çdo gjë me reforme. Reformat, sipas meje nënkuptojnë veprimtari të veçanta legjislative, që sjellin gjëra të veçanta të rëndësishme cilësore, cilësisht të ndryshme, në mënyrë sasiore shumë më të madhe nga ç’kanë sjellë veprimtaritë e mëparshme. Dhe jo çdo hap, çdo amendim, çdo korrigjim apo çdo ndryshim është reformë.

– Kjo reformë e re, çfarë duhet të përmbajë?
– Për mendimin tim, kjo reformë e re duhet të synojë në shumë drejtime që unë mund të mos jem në gjendje t’i them të plota dhe të qarta. Por mua më duket se ajo duhet të sjellë një psikologji të re për paritë politike në Shqipëri. Sipas meje ka ardhur koha të përgjysmohen, të fshihen “të asgjësohen” të falimentojnë shumica e partive politike, që ekzistojnë në Shqipëri, si emra kot. 
Të ndryshojë mënyra e financimit të partive politike. Të ndryshojë mënyra e kontrollit ndaj partive politike. Të detyrohet kushtetueshmërisht partia politike parlamentare, ku i ka marrë 5 lekë, ku i ka harxhuar 4 dhe pse i ka mbetur 1. Unë nuk shoh që partitë politike të japin llogari për fondet, për paratë, shpenzimet që bëjnë. Sipas meje, pra, duhet të ndryshohet sistemi zgjedhor. Sistemi i mëparshëm, që ishte më i vështirë, që krijonte mbase më shuam probleme kishte një gjë shumë pozitive. E para ruante raportet detyrimisht llogaridhënëse zgjedhës i zgjedhur. E dyta, përzgjedhja e kandidatëve nga shumë kandidatura, sipas një sistemi që paraqiteshin ishte shumë cilësorë, e cila dilte në përfundimin se duhej zgjedhur më i pastërti, më intelektuali, më i ndershmëri, më i përgjegjshmi…, që kërkohet detyrimisht në ditët tona të demokracisë. Ai sistem nuk lejonte që të shkonte krimineli në parlament. Edhe nëse e merrte hapin për të kandiduar e seleksiononte populli, kolegët që kandidonin përballë tij…, ndërsa me sistemin që kemi ne mund të ketë dhe ka deputetë për të cilin nuk ka të ditur njeri, përjashtuar kryetarit të partisë. Dhe një kriminel i porsa dalë nga burgu mund të vihet në listë në mënyrë të pandjeshme, në mënyrë të fshehtë. vini re një gjë, e cila është cilësia e diskutimeve parlamentare nga deputetë të ndryshëm të kësaj legjislature, nga deputetë të ndryshëm të legjislaturës së mëparshme, gjysma dhe treçereku i tyre nuk dinë, nuk shohin, nuk njohin as ato ligje dhe as ato nene që miratojnë
Sigal