Prof. Dr. Elmaz Sherifi, ish ministër/Nuk ka reformë zgjedhore, pa dënuar grupet kriminale në votimet e 2017 e 2019-s. Padia e Ramës ndaj Haradinaj është veprimi më i shëmtuar kombëtar. Këshilli Politik është fillimi i zgjidhjes së krizës politike

545
Sigal

Prof. Dr. Elmaz Sherifi, ish-ministër i PS-së

Deformimi i procesit zgjedhor tashmë është vërtetuar se është filozofi qeverisje. Pa u demokratizuar Partitë kryesore, nuk ka zgjedhje demokratike. Janë naiv politik ata që besojnë se ndryshimi i sistemit zgjedhor do qarkullojë elitat e ndryshkura politike

Nuk ka reformë zgjedhore, pa dënuar grupet kriminale që drejtuan zgjedhjet e 2017, 2019-s

Jakup B. GJOÇA

Prof. Dr. Elmaz Sherifi, ish-ministër i PS-së në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se marrëveshja e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore është hapi i parë për zgjidhjen e krizës, sepse u delegjitimua parlamenti dhe u asgjësua Komisioni i Reformës Zgjedhore. Prof. Sherifi, në kundërshtim ne disa të tjerë, argumenton se “një nga arritjet e dorëzimit ë mandateve ishte “heqja e vellos” demokratike të qeverisë”. Padinë e kryeministrit Rama kundër Haradinaj, e quan të turpshme. Prof. Sherifi, thekson se rivendosja e rendit kushtetues në Shqipëri do të ndodhë “Vetëm zgjedhjet e lira e demokratike rivendosin normalitetin demokratik institucional me standardet e Shtetit të së Drejtës”.

-Prof. Sherifi, është shpresë për zgjidhjen e krizës politike marrëveshja e opozitës me mazhorancën për reformën zgjedhore?

Shumë opinione ka për lëvizjen politike të emërtuar si marrëveshja e re. Sipas disa analistëve, Rama e inicioi, për t’ia hedhur përsëri Bashes. Unë mendoj se sajimi i “Këshillit Politik” nuk ishte vullnet i Ramës, pasi u delegjitimua parlamenti dhe u asgjësua Komisioni i Reformës Zgjedhore. Lëvizja politike tregon dobësimin e maxhorancës, e cila është e imponuar të zbatojë kushtet e Bundestagut, pasi në mars do diskutohet për vendimin që mori Këshilli i Ministrave të BE, për hapjen e negociatave. Opozita bëri shumë mirë që ulet në tavolinë, pasi u plotësua kërkesa e mosnjohjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe s’ka pse merr përgjegjësi për kushtet që vuri Gjermania, të cilat sipas meje, prej saj ishin formuluar. Tryeza e vogël e Këshillit Politik është hapi i parë i zgjidhjes së krizës politike.

– Pa depolitizuar administratën zgjedhore dhe KQZ, a ka garanci për zgjedhje të ndershme, dhe mos tjetërsimin e votave, për derisa edhe numërimin e votave do ta bëjnë militantët partiakë?

– Zgjedhjet nuk mund të jenë të lira, të drejta e demokratike vetëm pse do të bëhen disa ndryshime në Kodin Zgjedhor, edhe nëse ndryshon sistemi zgjedhor. Madje, as duke depolitizuar edhe administratën zgjedhore, pa futur në burg grupet kriminale që drejtojnë proceset zgjedhore dhe inkurajohen e shpërbëhen nga ministrat e deputetët, prandaj Bundestagu e ka vendosur si kusht hetimin e dënimin e tyre. Deformimi i procesit zgjedhor, tashmë është vërtetuar se është filozofi qeverisjeje. Pa u demokratizuar Partitë kryesore, nuk ka zgjedhje demokratike. Janë naivë politikë ata që besojnë se ndryshimi i sistemit zgjedhor do qarkullojë elitat e ndryshkura politike.

– A dështoi aksioni opozitar i djegies së mandateve të deputetëve me këtë marrëveshje të opozitës?

– E kam thënë që të nesërmen e dorëzimit të mandateve se gabon opozita, sepse nuk ka Gjykatë Kushtetuese që të vërtetojë legjitimitetin e zëvendësimit, ashtu si gaboi dhe maxhoranca që i zëvendësoi brenda natës. Këshilli Politik e deligjitimoi parlamentin, i cili tani madje do imponojë parlamentin të miratojë ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Një nga arritjet e dorëzimit ë mandateve ishte “heqja e vellos” demokratike të qeverisë.

– A mendoni se PD dhe Lulzim Basha ripërsërit gabimet e marrëveshjes së 2017?

– Jo! Mendoj se zhvillimet nuk kanë bazë krahasuese. Atëherë Basha gaboi që mori pjesë në qeveri me kryeministrin që akuzonte. Tani është në avantazh të moralit politik.

Prof. Sherifi, mendoni se kryeministri Rama e bëri tani padinë ndaj Haradinaj për të tërhequr vëmendjen nga skandalet e korrupsionit?

– Padia e Ramës, bërë ndaj kryeministrit të Kosovës është veprimi më i shëmtuar politik dhe nuk mund të justifikohet me asnjë “shkak”. Është e turpshme që padia u bë ditën e kujtimit të masakrës së Reçakut, dhe akoma më e turpshme që u bë edhe me cilësinë e Kryetarit të OSBE-së, organizatë që ka mision zgjedhjen e konflikteve. Padia ndaj “vëllait”, duket si shërbim ndaj armikut më të egër të shqiptarëve të Kosovës, duke e evidentuar paditësin si shkaktarin e madh të konflikteve, jo vetëm në Shqipëri.

– A mund të justifikohet kaq lehtë PS dhe kryeministri Rama kur thonë se për kryebashkiakët e kriminalizuar të 30 qershorit përgjegjësia është personale?

– Një pyetje bëjnë të gjithë shqiptarët: “Ore, pse kandidojnë të inkriminuarit për këtë forcë politike?” Dhe përgjigja vjen natyrshëm. Se Edi Rama i ka mbrojtur të gjithë të akuzuarit nga opozita, se prokuroria e KQZ-ja kanë heshtur. Besoj ju kujtohet Kavaja e Durrësi. Kur prokuroria filloi çështjet penale, deklarohet se përgjegjësia është individuale! Po përgjegjësia morale e atyre që i kandidojnë, ku është? Në atë parti ka humbur ndjeshmëria dhe përgjegjësia e moralit politik. Zgjedhjet vendore ishin pa alternativa. Një nga shkaqet, pse duhen ribërë edhe zgjedhjet vendore, mendoj se është edhe “tretja” një pas një të kryetarëve të këshillave popullore të rretheve, pasi të gjithë këshilltarë janë të një subjekti zgjedhor.

– Është e mjaftueshme për demokracinë tonë një rotacion politik? A jepet zgjidhje për inkriminimin e politikës e të shtetit, të korrupsionit, të ndalimit të shpopullimit të Shqipërisë?

– Rotacioni politik në Shqipëri mendoj se duhet të bëhet çdo katër vjet. Të dy krahët e politikës, kanë qeverisur mirë mandatin e parë, dhe e kanë degjeneruar qeverisjen në mandatin e dytë.

– Ju si e mendoni, si mundet të rivihet normaliteti kushtetues i ringritjes së institucioneve kushtetuese?

– Në Shqipëri po vepron anarkia politike institucionale. Nuk ka ndodhur asnjëherë që vendi të përjetojë një anormalitet i tillë institucional. Vetëm zgjedhjet e lira e demokratike rivendosin normalitetin demokratik institucional me standardet e Shtetit të së Drejtës. Me keqardhje konstatoj dilentatizmin në mendimin juridik të institucioneve në konflikt të përhershëm dhe zgjedhjet i kërkojnë te Komisioni i Venecias. Pse? Se mungon Gjykata Kushtetuese!

– SPAK u ngrit, a mendoni se korrupsioni do të luftohet deri në çdo zyrtar të lartë pa përjashtim?

– Edhe në ngritjen e institucioneve të reja të vetingut në drejtësi ka një hendikap të madh. Strukturat e reja i miratoi parlamenti i sajuar dhe që ka bërë një ligj të dekriminalizimit të vetvetes. Të inkriminuarit do ngrenë institucionet e drejtësisë së re. Komike dhe tragjike. Tani nuk mund të kthehemi prapa. Të shohim ku do godasë fillimisht. Logjika të thotë, se duhet filluar nga ata që qeverisin. Pa toleruar aspak ata që kanë qeverisur.

– Faleminderit!