Prof. Dr. Arben Malaj: Buxheti të bëjë transparencë për çdo qindarkë

168

Buxheti ka detyrë të bëjë transparencë për çdo qindarkë

 

Autoriteti për mbikëqyrjen e medias për çdo sekondë mediatike të politikanëve

 

Pak kontribute jo teknike, për përmirësimet teknike në Kodin elektoral

Prof. Dr. Arben Malaj,

Instituti për Politika Publike dhe Mirëqeverisje

Integriteti njerëzor dhe kredibiliteti i të zgjedhurve publikë kushtëzon funksionimin e shtetit ligjor dhe cilësinë e qeverisjes së vendit. Në rastet kur individë me integritet të munguar dhe kredibilitet publik të cenuar deri edhe me CV kriminale marrin mandate përfaqësimi dhe pushtetit politik si deputet, ministra, kryetar bashkie, drejtues dhe anëtarë të institucioneve kushtetues dhe administratës publike, jo thjesht demokracia, por jeta e përditshme përkeqësohen. Këta individë të “zgjedhur me votë” sipas listave të imponuara të kryetarëve të partive dëmtojnë dhe kërcënojnë demokracinë, funksionimi i shtetit ligjor përkeqësohet, performanca e administratës publike bie ndjeshëm, korrupsioni rritet e zgjerohet lirisht, ndërsa kapja e shtetit kërcënon paqen sociale, ekonominë dhe stabilitetin e financave publike. Përmirësimet e nevojshme nuk duhet të jenë debate për nene, paragrafë, për presje apo pika çuditëse ne Kodin, por për të krijuar një kuadër ligjor modern por edhe sa më parandalues për risqet e mësipërme. Ligjet kanë rëndësinë e tyre, por ato nuk janë garancia e plotësimit të detyrimeve morale, elektorale ligjore e politike e çdo të zgjedhuri publik. Diskutimet për sistemin elektoral për të reduktuar deficitin demokratik, për të eliminuar mundësinë e të kriminalizuarve të penetrojnë në mandate publike, performanca dhe përgjegjësia e të përzgjedhurve duhet të mbajnë parasysh risqet e rritura nga mungesa e integritetit te politikaneve dhe faktin, se mungesa e demokracisë së brendshme funksionale favorizon dhe ushqen këto plage të përfaqësimit politik. Në debatet në nivel teknik, në fokus janë përmirësimet teknike në Kodin Elektoral dhe një pjesë të rëndësishme e zënë analizat dhe propozimet për financimin partive politike.  Shqetësimi i studiuesve të shkencave politike është, se sot strategjitë e marketingut e politikanëve i ngjajnë me shumë një fushate marketingu të një biznesmeni se sa komunikim publik i një partie apo lideri politik.

Disa nga ndryshimet mund të synojnë

  1. Prioriteti kryesor i çdo përmirësimi duhet të jetë rritja e transparencës për çdo qindarkë financimi direkt ose indirekt. Teknologjia lejon qe vetë-raportimi të jetë i shpejtë, lehtësisht i aksesueshëm dhe i përpunueshëm nga çdo votues, i interesuar, media, autoritetet mbikëqyrës dhe studiues.
  2. Transparenca dhe përgjegjësia ligjore për burimet e të ardhurave dhe shpenzimet duhet të jetë Individuale dhe si partitë politike. Përgjegjësia ligjore e individuale për të raportuar në kohë dhe me saktësi çdo burim financimi duhet të jetë thelbi i përmirësimeve, Askush nuk duhet të fshihet pas përgjegjësisë kolektive. Ish-kancelari Kohl, ikona e Gjermanisë dhe ish-kryeministri rumun Anastase i paguan rëndë shkeljet e ligjeve të financimit të partive të tyre, Kohl me përgjegjësi morale, Anastase me dënim të rëndë penal.
  3. Një program shumë i thjeshtë në Web-in e KQZ, pa shpenzime të mëdha nga buxheti apo donatorët, duhet të lejojë çdo kandidat dhe parti politike të marrë një numër “NIPT/ politik” që të respektojnë të gjitha rregullat ligjore për transparencën e çdo informacioni.
  4. Çdo kandidat individual në lista të hapura apo të mbyllura direkt ose indirekt duhet të regjistrohet vetëm pasi të nënshkruajë deklarimin ligjor dhe ta depozitojë në KQZ, se e njeh legjislacionin për financimin dhe raportimin si dhe njeh penalitetet për shkeljen e tyre. Kjo si për deputetët edhe kryetarët e bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë.
  5. Parandalimi rezulton më efikas se penalizimi, ky duhet të jetë thelbi i çdo përmirësimi ligjor në kodin elektoral, lidhur me financimin e partive politike. Masat e propozuara nuk duhet të tregojnë, se i japin prioritet penaliteteve, në disa raste masat e propozuara janë jashtë një logjikë të thjeshtë juridike.
  6. 6. Personat përgjegjës brenda partive politike për respektimin e rregullave te financimit, duhet të kenë dënim administrativ, por edhe penal, sepse aty nis falsifikimi apo mashtrimi.
  7. Penalitetetet financiare nuk mund të jenë njësoj si për partitë e mëdha dhe për partitë e vogla.
  8. Baza ligjore dhe metodologjitë e auditmit nuk duhet të jenë specifike por të respektojnë standardet dhe përvojat pozitive të OSBE/ODHIR. Çdo përjashtim nga legjislacioni bazë për t’i dhënë një fuqi më të madhe KQZ, dëmton frymën e kulturës ligjore. Në një kod elektoral nuk mund të këtë përjashtime rënduese nga ligjet organike të fushave përkatëse.
  9. Në mirëmenaxhimin e buxheteve këshillohet që buxheti vitit 2021 fillon në 1 janar 2020. Kështu edhe zgjedhjet e reja fillojnë një ditë më pas përfundimit të zgjedhjeve të radhës. Mbikëqyrja e transparencës financiare nga KQZ duhet të jetë e përhershme dhe të përfshijë periudhën gjatë 6 muajve para dhe pas zgjedhjeve.
  10. Kontrolli i burimeve të financimit duhet të jetë i përhershme për të ofruar dhe publikuar indikatorë të transparencës për individët dhe partitë politike.
  11. Siç paraqitet buxheti i shtetit nëpërmjet programit “OPEN DATA”, i cili krijon lehtësi aksesi, përpunimi dhe shpejtësi në kohë për çdo qindarkë, AMA duhet ta bëjë këtë për çdo sekondë, duke bërë njoftime publikime për çdo të zgjedhur, për kohën e përdorur për marketing publik dhe të bëjë krahasime dhe të prezantojë gjetjet kryesore duke bërë dhe rekomandimet.
  12. AMA (Autoriteti i Mbikëqyrjes së Medias) duhet të ndalojë marketingun e liderëve të partive politike dhe çdo deputeti me kaseta të parafabrikuara. E klasifikuar si shkelje e rëndë dhe nga vlerësimet ndërkombëtare.
  13. AMA duhet te llogaritë koston për çdo sekondë të mediave kryesore kombëtare e publike, dhe ka detyrimin që të llogaritë vlerën e tregut të çdo dhurate jo financiare, të cilën duhet ta konvertojë në kosto financiare për kohën e përdorur nga politikanët, sidomos, nga kryetarët e bashkive, duke llogaritur shumën e dhuruar nga mediat. Kjo lehtëson identifikimin, se si këto dhurata kompensohen me ndere korruptive.
  14. KQZ duhet t’u kërkojë çdo konkurrenti për mandate publike nëpërmjet votës publike, që të depozitojë një dokument të premtimeve elektorale. Ky dokument lehtëson kontrollin publik të seriozitetit dhe efikasitetit të të zgjedhurve. Kjo lehtëson rritjen e kontrollit publik për të zgjedhurit e tyre.

Rregullat ligjore janë korniza që të tregojnë, se çfarë nuk duhet të shkelësh. Fokusi duhet të jetë: Thjeshtëzimi i rregullave, njohja sa më e mirë edhe respektimi rigoroz i tyre. Te gjithë hyjnë në garë për të konkurruar ndershmërisht, por ndonjëherë ambicia për pushtet absolut ekonomik dhe politik i ka bërë shumë politikanë të behën viktima të dëshirave të tyre të sëmura. Kuadri ligjor dhe respektimi strikt i ligjit ndihmon që gjithkush ta kuptoj lehtësisht kur është përballë riskut se mund të shkelë ligjet. Pasojat e shkeljeve të ligjeve nga politikanet nuk mbetet thjeshtë një veprim me pasoja individuale. Politikanët që financohen nga burime jo ligjore, politikanët qe fshehin masën dhe burimet e financimit, politikanët e korruptuar apo të kapur mbeten një kërcenim real dhe në rritje. Korruptimi i politikanëve është sot arma strategjike më e suksesshme edhe për ndikime gjeopolitike.