Presidenti Nishani vlerëson personalitete të shquara historike të Luftës së Vlorës 1920

88
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, zhvilloi sot një vizitë pune në qytetin bregdetar të Vlorës, ku mori pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e 95-vjetorit të Luftës epope të 1920-s, në Teatrin “Petro Marko”.
Pas urimeve të ngrohta të mirëseardhjes, ekzekutimit të Himnit Kombëtar të Flamurit, në prani të autoriteteve vendore, deputetëve, drejtues të bashkësive fetare, organizatorëve si dhe personaliteteve të njohura të qytetit, Kreu i Shtetit shqiptar në vlerësim të shembullit të tyre frymëzues në organizimin, drejtimin e luftës si dhe në mbrojtjen të lirisë e të Pavarësisë së Atdheut, vlerësoi institucionalisht me Titullin “Nderi i Kombit”, Komitetin “Mbrojtja Kombëtare” e Luftës së Vlorës 1920, anëtarë të së cilit ishin: Osman Haxhiu, Duro Shaska, Ali Beqiri, Alem Mehmeti, Qazim Kokoshi, Beqir Sulo Agalliu, Hamit Selmani, Hysni Shehu, Myqerem Hamzarai, Murat Siftari, Sali Bedini, Hazni Cano.
Në këtë ceremoni solemne Presidenti Nishani dekoroi gjithashtu me titullin e lartë “Nderi i Kombit” (pas vdekjes), edhe Osman Haxhiun, Selam Musain, Zigur Lelon, Sali Muratin, Sado Koshenën, Kanan Mazen dhe Ahmet Cane (Lepenicën) me motivacionin: “Për veprimtari të shquar në luftërat për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut, si dhe trimërinë e vetëmohimin në organizimin e luftës epope të Vlorës të vitit 1920”.
Fjala e mbajtur me këtë rast nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani: 
“Të dashur dhe të nderuar motra dhe vëllezër vlonjate! Zoti Kryetar i Qarkut, të nderuar profesorë, akademikë, deputetë!
Së pari dëshiroj t’ju shpreh, duke përfituar nga rasti i këtij momenti të veçantë edhe për mua personalisht, falënderimet dhe të gjithë ndjesinë e privilegjit që kam sot! Padyshim si President i Republikës, por edhe si qytetar i këtij vendi, të ndodhem mes jush për të përkujtuar, për të nderuar si dhe për të vlerësuar një ngjarje kaq të madhe të historisë së kombit shqiptar, e cila aspak për koincidencë, nisi, u drejtua dhe u përfundua pikërisht këtu në krahinën e Vlorës, e cila ka ditur gjithmonë në momentet më të vështira të Shqipërisë dhe të shqiptarëve dhe jo vetëm të atyre brenda kufijve administrativë të Shqipërisë së sotme, por të kombit shqiptar, të ishte e para për t’i dalë zot duke ofruar sakrificat më të mëdha sublime që një njeri, një familje, një komunitet mund të ofrojë për lirinë, për dinjitet dhe përparim kombit të tij, vendit të tij, qytetit të tij dhe padyshim, familjes së tij.
Dëshiroj që sot të shpreh edhe falënderimin, por edhe vlerësimin shumë të veçantë, sidomos për dy shoqatat patriotike: Shoqatën ‘Labëria’ dhe atë ‘Ismail Qemali’ që mbajnë fort të gjallë trashëgiminë historike të heroizmit, sakrificave, përpjekjeve jo vetëm të trevës së Vlorës, por në tërësi të kombit shqiptar. Dhe përsëri nuk është rastësi dhe koincidencë që veprimtarinë, mendimin, praninë, organizimin dhe analizën qytetare intelektuale të këtyre organizatave patriotike nuk e gjen vetëm në Vlorë. I gjen në Tiranë, në Prishtinë, i gjen kudo ku janë trevat shqiptare. Ndaj, unë jo vetëm i falënderoj ata për propozimin e bërë tek Presidenti i Republikës që në këtë përvjetor edhe njëherë të reflektojmë e të ridimensionojmë me tërë madhështinë e saj epopenë e Luftës së Vlorës së 1920-s, por edhe si Kreu i Shtetit shqiptar, t’u drejtoj këtyre dy shoqatave patriotike si dhe mjaft të tjerave, por këto janë mjaft të spikatura, mirënjohjen time, mirënjohjen e shtetit shqiptar dhe jam i bindur, të të gjithë shqiptarëve kudo ndodhen, jo vetëm për pasionin, dëshirën dhe kapacitetin intelektual që mbartin, por edhe për veprimtarinë e tyre tërësisht vullnetare që bëjnë për t’i promovuar këto vlera, për të cilat sot kemi nevojë më shumë se kurrë. Jo vetëm për t’i vënë në piedestalin që u takon, jo vetëm për t’i vlerësuar dhe për t’i sjellë në kujtesën e kombit emrat e atyre burrave dhe grave, të cilët në të gjithë historinë e gjatë, kalvarin e gjatë, më shumë përmes vuajtjesh, por shpesh edhe përmes triumfesh, bënë të mundur që sot Shqipëria dhe shqiptarët të gëzojnë këtë status, këtë përparim e këto arritje që kemi sot, por edhe si një lutje për të gjithë ata burra të angazhuar në këto shoqata patriotike, por edhe të tjerë, për ta vazhduar akoma edhe më shumë, akoma edhe më me pasion e forcë, me mendje e me zemër këtë punë të madhe, veçanërisht për t’ia përcjellë brezit të ri, i cili krahas sfidave të shumta që ka sot në jetë, ka nevojë. Dhe unë jam i bindur që ka nevojë shumë për të marrë këto mesazhe shpirtërore, këtë ushqim të mendjes në mënyrë të tillë që jo vetëm të mos i lëmë të vaken, pasi për t’i harruar nuk do të mundet dot kurrë askush t’i harrojë, por t’i sjellim me forcë të madhe atje ku ata dhe ato ngjarje e kanë vendin dhe produkti i atyre ngjarjeve e ka vendin.
Të nderuar pjesëmarrës!
Në cilësinë time si Kryetar i Shtetit, kam pasur rastin jo pak herë gjatë kësaj kohe që të angazhohem e të mbaj fjalë për përkujtimin e ngjarjeve të ndryshme historike anembanë vendit dhe natyrisht këto ngjarje, përveç kujtesës dhe vlerësimit, kanë edhe aktin tjetër moral dhe simbolik të shtetit shqiptar të akordimit e të nderimit me medalje të ndryshme që shteti u jep si shenjë mirënjohjeje të gjithë atyre që u angazhuan në këto ngjarje të mëdha historike. Dhe pikërisht gjatë këtyre fjalimeve ku kam pasur rastin dhe privilegjin të mbaj, natyrisht në dimensionin njerëzor kam pasur edhe unë një shqetësim. Shqetësimi im sidomos se mos ndoshta në retorika dhe adresimi im të përfshijë një inflacion të madh lavdërimesh, të cilat ndoshta do ta kapërcenin rëndësinë historike të ngjarjes në fjalë dhe për të cilën zhvillohej veprimtaria, e cila pastaj do të bënte pastaj një lloj zhbërjeje të hierarkisë së ngjarjeve historike në vend. Në rastin e Luftës së Vlorës kam pasur një merak dhe shqetësim tjetër, të kundërtën e asaj që përmenda më sipër, pra se a do të mundem të gjej të gjitha fjalët e nevojshme për të shprehur në tërë përmasën e saj rëndësinë historike dhe lavdinë e përjetshme të kësaj ngjarjeje dhe të gjithë pjesëmarrësve dhe kontribuuesve në të. Lufta e Vlorës e vitit 1920 është një nga ato ngjarje historike për rëndësinë e posaçme të së cilës kam qenë gjithmonë i vetëdijshëm, por jam ende edhe më shumë sot, qoftë Kryetar i Shtetit, qoftë si njeri që e shoh me dashur dhe pasion të madh promovimin e vlerave heroike dhe të lirisë, e mbi të gjitha të dinjitetit që Shqipëria dhe shqiptarët mbartin në gjen, në trashëgimi dhe në realitetin e sotëm.
Mund të thuhet me bindje të plotë se pa Luftën e Vlorës dhe pa suksesin e saj, shteti shqiptar do të kishte rrezikuar seriozisht ekzistencën e tij. Shkëputja e Vlorës dhe e territoreve të tjera të shtetit shqiptar me traktatin e fshehtë të vitit 1915, ishte fillimi i një procesi që do të thellohej deri në shpërbërjen e shtetit shqiptar të krijuar vetëm pak vite më parë. Lufta e Vlorës e ndali definitivisht këtë proces shkatërrues për integritetin e shtetit të ri shqiptar, madje edhe për ekzistencën e tij. Në 1920-n, Vlora dhe vlonjatet i janë mirënjohës pjesës tjetër të Shqipërisë për ndihmën që iu dha në këtë luftë. Lufta e Vlorës ka qenë e para luftë e suksesshme antikolonialiste në shekullin XX. Atyre që organizuan, drejtuan Luftën e Vlorës, si dhe gjithë atyre që e bënë atë me armë në dorë, ne u jemi dhe do t’u jemi mirënjohës përjetë. Lufta e Vlorës ishte një luftë mes dy kombeve që gjeografia i nxiste të ishin miq natyralë, jo armiq natyralë dhe që historia në pjesën më të madhe të saj e kishte konfirmuar këtë gjë, me disa përjashtime fatkeqe, siç ishte dhe ajo luftë. Në atë kohë shtypi keqdashës ndërkombëtar kishte krijuar shumë legjenda për gjoja keqtrajtimin e robërve italianë të Luftës së Vlorës nga ana e shqiptarëve, siç i quanin ata: ‘të egër’. Por kur mbaroi Lufta, doli se asnjë nga robërit italianë nuk ishte keqtrajtuar, dhe ata nuk qenë pak, por rreth 2000 ushtarë. Ata u kthyen shëndoshë e mirë në atdheun e tyre dhe shumë prej tyre dhanë dëshmi publike për trajtimin korrekt sipas ligjeve ndërkombëtare që iu bënë luftëtarët shqiptarë në atë kohë.
Të dashur miq,
Lufta e Vlorës, si çdo luftë ka heronjtë e saj dhe për të nderuar ata, ne jemi mbledhur sot. Heronjtë e kësaj lufte janë ata që e organizuan, e drejtuan atë, ata që luftuan dhe u vranë me armë në dorë si pjesëmarrës në të dhe të gjithë ata që e mbështetën dhe e inkurajuan. Për një ngjarje historike si Lufta e Vlorës mund të bëhej një listë e gjatë pjesëmarrësish dhe kontribuuesish që e meritojnë të nderohen dhe të dekorohen. Por unë sot do të ndalem tek disa prej tyre: Nderimi i parë i shkon Komitetit ‘Mbrojtja Kombëtare’, i cili ishte forumi nismëtar i Luftës së Vlorës, si dhe organizatori i saj. Komiteti, i cili u popullarizua me emrin ‘Komisioni’ është përjetësuar në këngët e popullit dhe në librat e historisë sonë. Kryetari i Komitetit, Osman Haxhiu, komandanti i përgjithshëm i Luftës, Ahmet Cane (Lepenica), si dhe të rënët e figurat historike të kësaj lufte ndër të cilët spikatin emrat e luftëtarit legjendar Selam Musai, Zigur Lelo, Kanan Maze, Sali Murati, Sado Koshena, por edhe shumë të tjerë që u përmendën këtu pak më parë, ne sot u përkulemi edhe pas kaq kohësh me respekt, dhe akoma më i madh do të jetë ky respekt si dhe më e thellë do të jetë kjo përkulje sa më shumë të kalojnë vitet. Por kur nderohen luftëtarët e Luftës së Vlorës, të cilët luftuan ballë për ballë me një fuqi botërore siç ishte në atë kohë Italia, por për çlirimin e tokave shqiptare, nuk ka se si të mos rikujtojmë me vlerësim te veçantë në çdo rast të tillë edhe Qeverinë kombëtare të Lushnjës të kryesuar nga patrioti Sulejman Delvina. Pikërisht këtë qeveri e cila ka luajtur një rol vendimtarë në prapaskenë ndoshta për frymëzimin dhe mbështetjen që i dha kryengritjes së luftëtarëve të lirisë në vitin 1920 që njihet tashmë në historinë tonë si lufta e Vlorës. Por kur nderohen pjesëmarrësit e Luftës së Vlorës nuk duhet harruar besoj as banda muzikore shqiptaro-amerikane e dërguar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me nismën e Shoqërisë ‘Vatra’ dhe që i frymëzoi luftëtarët, duke luajtur këngë atdhetare, duke hyrë në histori si e para bandë muzikore ushtarake shqiptare. Banda muzikore shkoi deri në frontin e luftës duke vënë anëtarët e saj në rrezik edhe për jetën e tyre, por me dytën më të lartë fisnike, atë atdhetare. Drejtuesi i kësaj bande, të cilin dëshiroj ta kujtoj sot, Thoma Nasi u bë emër i njohur në të gjitha fshatrat e Vlorës, por edhe më gjerë, kudo ku kjo bandë muzikore shkoi gjatë Luftës.
Dua të përmend edhe një hero i Luftës së Vlorës siç ishte Giovanni Valencia, një nënoficer i Ushtrisë italiane, i cili me bindjen dhe ndërgjegjen e tij jo vetëm si ushtarak, por edhe si njeri, duke parë padrejtësinë e madhe të pushtuesve, tek të cilët për fat të keq ai bënte pjesë në atë kohë kur erdhën në Shqipëri, vendosi t’u dorëzojë luftëtarëve shqiptarë të gjitha depot e armëve italiane në Panaja, duke kontribuar shumë në fitoren e luftës nga forcat shqiptare të asaj kohe. Giovanni Valencia nuk ishte tradhtar i shtetit të tij. Ai ishte një nga pionierët e një Italie të re, i asaj të sotme, e cila marrëdhëniet me vendet fqinje e më gjerë nuk do të kërkonte t’i vendoste me anë të kanonierave, por me anë të miqësisë e bashkëpunimit të sinqertë.
Të dashur vëllezër dhe motra vlonjate!
Lufta e Vlorës për të cilën në jemi mbledhur sot së bashku për t’i bërë këtë nderim të veçantë ka mjaft ngjarje dhe episode trimërie, të cilat njihen apo edhe nuk njihen të gjitha. Ka shumë luftëtarë dhe komandantë të shquar që u vetësakrifikuan për idealet e një Shqipërie të lirë për të cilën kishin luftuar dhe hedhur themelet Ismail bej Vlora, bashkëkohësit dhe paraardhësit e tij rilindas. Ajo ka kohën e sajë të mbushur me shpirt atdhedashurie dhe lirie, atë kohë të zjarrtë të cilën e mbrujtën vlonjatët e Lumit të Vlorës, dukatasit dhe tërbaçiotët, bregdetasit dhe salariotët, tepelenasit dhe delvinjotët, por edhe kavajasit de gjirokastritët, të gjithë shqiptarët që nuk duronin më skllavëri dhe pushtim në këtë toke, prandaj kishin marrë vendimin që të luftonin.
Është vërtet një privilegj i madh për mua sot kur më jepet rasti fatlum, që si President i Republikës t’i bëj një nderim të veçantë kësaj epopeje të lavdishme liridashëse të popullit tonë duke nderuar me dekoratën më të lartë të ‘Nderit të Kombit’ disa nga organizatorët dhe luftëtarët e saj: Komitetin “Mbrojtja Kombëtare”, i cili ishte forumi nismëtar i Luftës së Vlorës, si dhe organizatori i saj. Gjithashtu Kryetarin i Komitetit, Osman Haxhiu, komandantin e përgjithshëm të Luftës, Ahmet Cane (Lepenica), si dhe të rënëve e figurave historike të kësaj lufte ndër të cilët edhe njëherë dëshrioj të spikas emrat e Selam Musait, Zigur Lelos, Kanan Mazes, Sali Muratit, Sado Koshenës.
Edhe njëherë: Përkulem me respekt dhe ofroj të gjithë angazhimin tim këtu në këtë sallë solemne, mes jush, qytetarëve, trashëgimtarëve, idealeve të asaj kohe dhe të kohës së tërë të mbushur me përpjekje për liri, se do të vijoj jo vetëm të nderoj të gjithë ata kontribuues dhe pjesëmarrës dhe ndihmës të kësaj lufte të madhe, por të gjitha vlerat, vlerat më të mira të trashëgimisë sonë shqiptare, të kombit shqiptar, të përpjekjeve tona, të kujtesës historike, e cila si një memorie e pashuar duhet të na inkurajojë gjithmonë e më shumë sot, tek gëzojmë këto që kemi arritur për të reflektuar si një rendje më e shpejtë, më e sigurt, më e mençur përpara, gjithmonë në vendin ku Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë të mbërrijnë.
I falënderoj të gjithë ata që e organizuan dhe ideuan këtë ceremoni, të gjithë pjesëmarrësit në këtë sallë duke dërguar edhe njëherë mesazhin tek të gjithë: Lavdi të përjetshme Luftës së Vlorës të vitit 1920 dhe të gjithë luftëtarëve të saj!”
Organizatorët e veprimtarisë solemne, kryetari i shoqatës “Labëria”, Ahmet Demaj dhe kryetari i shoqatës “Ismail Qemali”, Bardhosh Gace, i shprehën Presidentit të Republikës mirënjohjen e thellë për këtë vlerësim të lartë ndaj heronjve të Luftës së Vlorës 1920, të cilët lanë gjurmë të pashlyera në historinë e Shqipërisë. Me shumë endje të pranishmit ndoqën interpretimin e shkëlqyer të aktorëve të mirënjohur, Bujar Asqeriu dhe Mirush Kabashi me poezitë, që u bëjnë jehonë ngjarjeve historike të asaj periudhe. Veprimtaria me rastin e 95-vjetorin e Luftës së Vlorës 1920, u mbyll me një koncert, tashmë tradicional, me këngë polifonike nga grupet e Vlorës e më gjerë.