Presidenti Meta vizitë në Kroaci: Takime me Kitaroviç, kontributi i shqiptarëve në luftën për pavarësinë e Kroacisë, tregues i miqësisë sonë

590
Sigal

Kontributi, vetëmohimi dhe sakrificat e shqiptarëve në luftën për pavarësi të Kroacisë janë tregues i miqësisë tonë

Presidenti Meta zhvillon vizitë në Kroaci dhe takohet me Presidenten Kolinda Grabar-Kitarović

Presidenti i Republikës, Ilir Meta nisi vizitën zyrtare në Kroaci dhe zhvilloi në Bashkinë e Zadarit, një takim me Presidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović, ku diskutuan mbi thellimin e marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat. Presidentja Grabar-Kitarović ripërsëriti mbështetjen e palëkundur të Kroacisë dhe të sajën personale për integrimin evropian të Shqipërisë dhe të shqiptarëve në gjirin e familjes së madhe evropiane. Presidenti Meta shprehu vlerësimet më të mira për marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Kroacisë, midis shqiptarëve e kroatëve. “Kontributi i rëndësishëm, vetëmohimi dhe sakrificat e shqiptarëve në luftën heroike për pavarësi të Kroacisë janë tregues i kësaj miqësie të veçantë.” – theksoi Presidenti Meta.

Meta dhe Presidentja kroate në bashkësinë e Arbanasve të Zarës

Në kuadër të Vitit Kombëtar të Heroit tonë Gjergj Kastriotit, Skënderbeut të dy presidentët vizituan bashkësinë e Arbanasve të Zarës, “oazin e shqiptarëve në Kroaci”. Presidenti Meta dhe Presidentja kroate Grabar-Kitarović u ndalën fillimisht në Kishën “Gospe Loretske” (Zonja Jonë e Loretos), e ndërtuar gati 300 vite më parë si strehë shpirtërore dhe mbrojtëse e banorëve të rinj të Zarës. Si dhe më pas vizituan shkollën fillore “Dr. Krune Krstića”, në të cilën fëmijët e bashkësisë arbanase mësojnë dhe shkollohen në gjuhën shqipe. “Këtu janë shkolluar breza të shumtë arbanasish duke nxjerrë plejada akademikësh, studiuesish, shkrimtarësh e artistësh, të cilët krijuan vlerën e përbashkët sa arbëneshe, aq edhe kroate.” – vuri në dukje Presidenti Meta. Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Meta u shpreh: “Jam shumë i emocionuar që sot, së bashku me Presidenten Kitaroviç, të ndodhem këtu mes jush, vëllezër e motra të një gjaku Arbënesh, për të kremtuar Vitin Mbarëkombëtar të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeu. Dëshiroj të falënderoj nga zemra miken e shqiptarëve, Presidenten e Kroacisë, Znj. Kolinda Grabar-Kitaroviç. Prania e saj në këtë ditë historike në Arbanas, jo vetëm që na nderon, por është tregues mirënjohjeje, vlerësimi dhe shprehje e miqësisë dhe lidhjeve të thella historike, kulturore, politike dhe ekonomike që bashkojnë dy vendet tona, veçanërisht popujt tanë. Para thuajse 300 vitesh, Kryepeshkopi kroat Zmajević, i emëruar në këtë post nga Papa shqiptar Klementi XI, hapi portat e Zadarit për Arbanasit, duke i ofruar atyre siguri e duke u mundësuar ngritjen e kishës së tyre, të cilën e kanë dhe e ruajnë edhe sot me shumë dashuri, besnikëri e krenari. Bashkëjetesa juaj shembullore me popullsinë kroate ka krijuar një model të veçantë dhe autentik të raportit vëllazërues të dy popujve, në kuadrin e dinamikës së marrëdhënieve, afërsisë, interesave dhe sfidave të përbashkëta mes Shqipërisë dhe Kroacisë. Lidhjet miqësore e vëllazërore me kroatët janë shekullore. Ato janë lidhje gjaku dhe shpirti, janë lidhje që burojnë nga përkatësia ilire, lidhje që vazhdojnë mes Skënderbeut e Raguzën e dikurshme, Dubrovnikun e sotëm.