Rama në Lezhë: Partia Socialiste ka në dorë fatin e 25 viteve të ardhshme

424
Në kuadër të takimeve në çdo qytet me moton “Me Partinë Socialiste për të pastruar më tej Shqipërinë”, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim në Lezhë. Në fjalën e mbajtur, Rama u ndal gjatë tek reformat e nisura nga qeveria, që siç tha ai ende nuk kanë dhënë rezultat. Kryeministri theksoi se, sot qeveria ka në dorë fatin e vendit për 25 vitet e ardhshme.
“Sot na duhet të kuptojmë se PS ka fatin e 25 viteve të ardhshme. Jo në kuptimin se mbas 25 vjetësh do të jetë në pushtet apo se do të vazhdojë të jetë kjo qeveri, por ajo që po përpiqemi të bëjmë sot do të përcaktojnë 25 vitet e ardhshme”, tha Rama.
Kreu i qeverisë ishte kritik jo vetëm me opozitën që sipas tij po “bën cirk” me qytetarët , por edhe me mbështetësit PS-së duke thënë se nuk duhet ta shohin votën e dhënë në shërbim të interesit të tyre të ngushtë.
“PS nuk mund të jetë hapësira ku tema dominuese është si të gjejmë një punë në shtet. Nuk mund të jetë hapësira kush është ky, kush është ai, ky është i PD, ky është i atij dhe duhet të shkoj t’i zë vendin. Kjo është e së shkuarës. Kemi marrë një besim për të bërë një transformim të madh që në radhë të parë duhet të jetë për gjeneratën tjetër”, tha Rama.
Lidhur me qëndrimet publike të opozitës për luftën kundër informalitetit, Rama u shpreh se të djathtët spekulojnë dhe shpifin.
“Tregtarët që protestojnë i nxjerr paniku që i fusin në shpirt këta spekulantë dhe shpifës që bëjnë cirk me ndjenjën e të varfërve dhe atyre të dobëtëve. Si mund të dalësh dhe t’u thuash në fshat mos merrni NIPT-in se do u vendosin taksa. Ky është krim! NIPT nuk duhet të për të paguar taksa por të marrë mbrapsht TVSH”, deklaroi Rama.
Duke numëruar gjendjen skandaloze në arsim, shëndetësi, bujqësi, polici, etj, Rama tha se është marrëzi të ndalosh dhe jo të vazhdosh për të çuar përpara reformat e nisura.
“Gjenerata jonë i ka hallall të gjithë dhimbjet e reformave sepse për vite të tëra u përfaqësua nga ata që bënë të gjithë këtë katrahurë. Por ndërkohë nuk mund tua trashëgojmë këtë situatë fëmijëve tanë”, tha ai.
Sigal