Presidenti Meta në ceremoninë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashizmit me rastin e Festën së Sulltan Novruzit

578
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta ishte i pranishëm në ceremoninë e organizuar nga Kryegjyshata Botërore e Bektashizmit me rastin e Festën së Sulltan Novruzit.

Në këtë ceremoni festive të përmotshme merrnin pjesë edhe klerikë të besimeve fetare në Shqipëri, politikanë, personalitete të shumta, besimtarë bektashianë, etj.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Meta tha se shembulli frymëzues i Imam Aliut, filozofia, përpjekjet dhe sakrificat e tij sublime, si dhe roli e kontributet e qenësishme të bektashinjve shqiptarë në rrjedhën e historisë, përbëjnë garanci për të tashmen dhe të ardhmen jo vetëm të këtij besimi, por edhe të gjithë shoqërisë sonë. 

Ndër të tjera, Presidenti i Republikës uroi të gjithë besimtarët bektashi gëzuar Festën e Sulltan Novruzit dhe mbarësi por të gjithë familjet shqiptare.
Fjala e plotë e Presidentit Meta 
“Është një privilegj i veçantë që ndodhem sot këtu, në kryeqendrën botërore të besimit bektashian për të ndarë së bashku me ju harenë dhe mesazhet optimiste të festës së shenjtë të Sulltan Novruzit. 

Shembulli frymëzues i Imam Aliut, filozofia, përpjekjet dhe sakrificat e tij sublime, si dhe roli e kontributet e qenësishme të bektashinjve shqiptarë në rrjedhën e historisë, përbëjnë garanci për të tashmen dhe të ardhmen jo vetëm të këtij besimi, por edhe të gjithë shoqërisë sonë. 

Kjo histori e ky shembull krijon më shumë besim dhe jep më shumë optimizëm jo vetëm për ne, por sidomos për brezat e rinj dhe të ardhmen e paqme të tyre.

Në këtë ditë pranverore, pamja madhështore që ofron ky shesh dhe kjo kryeqendër botërore me Selinë e shenjtë të Bektashizmit, e sidomos prania juaj e nderuar, nxjerrin më shumë në dritë dhe reflektojnë akoma edhe më fort vlerat e jashtëzakonshme të harmonisë e bashkëjetesës së paqtë mes besimeve fetare në Shqipëri.

Dija, urtësia dhe drejtësia janë tipare të patjetërsueshme, të cilat kanë karakterizuar dhe çuar përpara bashkësinë bektashiane ndër shekuj, të ndërthurura harmonikisht me ndjenjën e palëkundur të atdhedashurisë së pashtershme.

Pikërisht ky besim dhe këto vlera të spikatura, përcjellja e tyre brez pas brezi mbeten jo vetëm një shembull i veçantë mbarë botëror por sidomos një garanci se ato do të vazhdojnë të trashëgohen edhe në të ardhmen në shërbim të shoqërisë, vendit dhe atdheut tonë të dashur. 

Këto vlera, veçanërisht sot, në këtë ditë të shenjtë të Bektashizmit, marrin një dimension shpirtëror e tokësor njëkohësisht si një busull orientuese drejt shpresës, optimizmit, paqes e harmonisë mbarë fetare, jo vetëm në Shqipëri. 

Kjo ditë e bukur dhe ky manifestim i kapërcen kufijtë e kësaj kryeqendre botërore, edhe kufijtë tanë kombëtarë, duke dhuruar mesazhe të qarta mbi rëndësinë e bashkëjetesës dhe mirëkuptimit mes besimeve fetare, mes etnive, mes kombeve dhe mes vendeve, për të ndërtuar së bashku një botë të paqtë dhe për të dhuruar më shumë dashuri mes njerëzve, më shumë mirëkuptim në gjirin e familjes dhe më shumë optimizëm në zemër të shoqërive tona moderne. 

Sot shpirti dhe zemrat tona mbushen me ndjenja të ripërtëritura qetësie e gëzimi për të falur dashamirësi, vëllazëri dhe bashkëpunim pa kursim, për të mirën tonë të përbashkët, për të ardhmen tonë të përbashkët dhe për të ardhmen e fëmijëve tanë.

Të nderuar të pranishëm!
Besimi i palëkundur në të plotfuqishmin Zot dhe në mësimet e shenjta, i bën mirë cilitdo.

Besimi i patundur në Atdheun tonë të përbashkët, në të ardhmen e tij të ndritur si dhe në vlerat përbashkuese kombëtare, na bën mirë të gjithëve, na bën më krenarë e më të bekuar të gjithë bashkë, si shqiptarë!

Duke uruar nga zemra në këtë ditë hareje, shprese dhe optimizmi fetar e pranveror, dëshiroj t’ua përcjell këtë urim mbarë popullit shqiptar dhe besimtarëve bektashianë kudo në botë!

Gëzuar Festën e Sulltan Novruzit! Paçi gjithmonë shëndet e mbarësi në familjet tuaja! Paqja dhe mirësia mbretërofshin ngahera në zemrat dhe shpirtrat e çdo familje shqiptare dhe të çdo shqiptari!
Sigal