Presidenti Meta mori pjesë në Konferencën ndërkombëtare “Ekzekutimi i Vendimeve të Gjyqësorit – Garanci për një ekonomi efikase”

562
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta mori pjesë dhe përshëndeti Konferencën ndërkombëtare me temë “Ekzekutimi i Vendimeve të Gjyqësorit – Garanci për një ekonomi efikase”, të organizuar në Tiranë nga Dhoma Kombëtare Franceze e Përmbarueseve, në të cilën ishin të pranishëm gjithashtu përfaqësues të Kuvendit, përfaqësues të qeverisë, juristë dhe përmbarues vendas e të huaj.
Fjala e plotë e Presidentit të Republikës drejtuar të pranishmëve:
I nderuar z. SANNINO, 
Të nderuar përfaqësues të qeverisë dhe të Kuvendit,
Të nderuar pjesëmarrës dhe miq të Shqipërisë, 
Dëshiroj të falënderoj miqtë francez për iniciativën e organizimit të kësaj konference, që i kushtohet zbatimit të vendimeve gjyqësore, zhvillimit ekonomik, dhe konsolidimit të shërbimit përmbarimor në vendin tonë. 
Bashkëpunimi midis dy vendeve tona ka qenë gjithmonë i frytshëm dhe kjo konferencë është tregues i qartë i mbështetjes franceze edhe në drejtim të përmirësimit të shërbimit përmbarimor shqiptar. 
Autoritetet Franceze në vijimësi kanë asistuar institucionet tona, duke na ofruar modelet më të mira se si të përmirësojmë qeverisjen e vendit. 
Një sistem drejtësie që funksionon normalisht në të gjitha hallkat e tij, pa diskutim që sjell si rezultat, një drejtësi funksionale, që konsolidon në vijimësi sigurinë juridike të shtetasve dhe normalisht edhe të biznesit dhe të sipërmarrës në një vend. 
Një drejtësi funksionale është ajo ku vendimi i gjykatës ekzekutohet dhe nuk diskutohet!
Është detyrë primare e organizmave shtetërore që të ndërmarrin të gjitha veprimet për t’u ofruar qytetarëve siguri juridike, e cila garantohet duke krijuar një sistem ligjor të shëndoshë, dhe nga ana tjetër, duke përmirësuar cilësinë e shërbimeve publike, ku një prej të cilëve është edhe shërbimi përmbarimor. 
Zhvillimi ekonomik i një vendi është i lidhur ngushtë me cilësinë e sistemit të drejtësisë së tij sepse, nëse ky sistem garanton mbrojtjen dhe ekzekutimin e të drejtave, atëherë kjo klimë pozitive do të nxitë iniciativa dhe sipërmarrës të rinj, për t’u bërë pjesë e kësaj klime. 
Asnjë investitor i huaj nuk do të dëshironte të zhvillonte aktivitetin e tij, për më tepër, të investonte në një vend të pasigurt, ku drejtësia shtrembërohet, apo ku vendimi gjykatës injorohet dhe nuk ekzekutohet.
Çdo sipërmarrës që shfaq interes për Shqipërinë, interesohet më së pari për sistemin fiskal dhe për mënyrën se si drejtësia funksion, pasi ai dëshiron ta ketë të qartë se cila është politika mbështetëse shtetërore, dhe cila është cilësia e shërbimit në sistemin gjyqësor.
Një rol të rëndësishëm në krijimin e një klime pozitive për biznesin dhe zhvillimin ekonomik, ka pikërisht shërbimi përmbarimor, i cili është hallka fundore e sistemit gjyqësor, që vendos në zbatim vendimin e gjykatës dhe bën të prekshme realisht drejtësinë e dhënë. 
Ekzekutimi i një vendimi gjyqësor është një proces po aq i rëndësishëm sa vetë momenti i dhënies së vendimit, pasi është momenti kur një e drejtë e fituar materializohet, dhe ajo që gjykata ka vendosur, bëhet e prekshme për palët.
Shërbimi Përmbarimor Gjyqësor është autoriteti publik që e bën efektiv drejtësinë e dhënë, duke ekzekutuar një vendim gjykate. 
Kur përmendim reformën në sistemin e drejtësisë patjetër që brenda kësaj reforme përfshihet dhe Shërbimi Përmbarimor, i cili kurrsesi nuk mund konsideruar si pjesë e dorës së dytë dhe të neglizhohet. 
Shërbimi Përmbarimor ndër vite është përmirësuar, por ende shfaqen problematika në funksionimin e tij. Ka shumë çështje të natyrës legjislative dhe organizative që duhen përmirësuar në koherencë me ndryshimet e reja në legjislacion, të miratuara në kuadër të reformës në drejtësi.
Ekzekutimi i vendimeve gjyqësore në Shqipëri, është ende larg standardeve europiane, qoftë përsa i përket numrit të vendimeve të ekzekutuara, kohëzgjatjes së procesit, si dhe cilësisë së shërbimit, që i ofrohet qytetarëve nga përmbaruesit gjyqësorë privat apo publik.
Një tjetër problematikë është dhe kultura e ulët e bashkëpunimit midis institucioneve shtetërorë me shërbimin përmbarimor, ku ka ende raste që organe të ndryshme të administratës publike, janë shumë të vonuar në bashkëpunimin dhe ekzekutimin e vendimeve të dhëna nga gjykata.
Forcimi i kulturës së zbatimit të vendimit të gjykatës, ngelet detyrë primare e institucioneve publike, në mënyrë që shembulli që ato japin, të ndikojë në sjelljen e individit përkundrejt administratës dhe respektimit të ligjit.
Mosekzekutimi i vendimit të gjykatës, bën që të drejtat e fituara të ngelen fiktive, duke sjellë kështu humbjen e besimit të publikut, jo vetëm te përmbaruesi por, tek i gjithë sistemi gjyqësor dhe i drejtësisë, vetëm pse një segment i tij nuk e ka kryer detyrën.
Një sistem përmbarimor që nuk funksionon si duhet, përbën gjithmonë një risk të lartë që konflikti gjyqësor të riciklohet, dhe e drejta e fituar të humbasë, apo të zhvleftësohet me kalimin e kohës.
Kjo tregon qartë se sa të lidhura me njëra-tjetrën janë hallkat brenda vetë sistemit të drejtësisë, çka dikton me patjetër detyrën që përmirësimi i këtyre dy pjesëve të sistemit duhet bërë i plotë dhe me të njëjtat standarde, si për sistemin gjyqësor ashtu dhe për atë përmbarimor. 
Duke shfrytëzuar mundësinë që më jepet, i përcjell një mesazh Kuvendit, që të tregojë kujdesin e duhur në diskutimin, shqyrtimin dhe miratimin e paketës ligjore që rregullon profesionet e lira, ku pjesë shumë e rëndësishme është Shërbimi Përmbarimor.
Ndërhyrjet në legjislacion duhet të jenë të mirëmenduara, të plota dhe në koherencë me standardet më të mira europiane.
Në këtë drejtim ndihma e Bashkimit Europian nuk ka munguar. Qendra për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Drejtësinë pranë Ministrisë Franceze së Drejtësisë, me mbështetjen e Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Francez, kanë implementuar së fundmi një projekt binjakëzimi të BE-së, për përmirësimin e shërbimit përmbarimor. 
Të nderuar të pranishëm, 
Zbatimi i vendimeve gjyqësore mbetet një përgjegjësi publike shumë e rëndësishme dhe si e tillë, çdo procedurë që përmbaruesi realizon në ekzekutimin e një vendimi gjyqësor duhet të jetë transparente dhe e monitoruar. 
Transparenca dhe llogaridhënia janë dy kritere që do të duhet të zbatohen patjetër dhe në reformimin e Shërbimit Përmbarimor Shqiptar në mënyrë që ky sistem të forcojë autoritetin e tij dhe t’i ofrojë publikut, sipërmarrjes dhe qytetarit të thjeshtë, shërbimin e merituar. 
Ajo që qytetarët presin është, që drejtësia jo vetëm të jepet nga Gjykata, por edhe të ekzekutohet në tërësinë e saj, pasi një vendim gjyqësor i paekzekutuar është një tjetër padrejtësi.
Ekzekutimi në kohën dhe me cilësinë e duhur i një vendimi gjyqësor është tregues kyç se drejtësia funksionon, dhe njëkohësisht ndihmon për të garantuar një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. 
Duke e mbyllur këtu fjalën time, do të doja të shprehja një falënderim të veçantë për Dhomën Franceze të Përmbaruesve Gjyqësor dhe Kryetarin e saj z. Patrick Sannino, për iniciativën në realizimin e kësaj konference, që tregon edhe një herë frymën e shkëlqyer të bashkëpunimit midis institucioneve respektive Franko-Shqiptare. 
Punime të mbara konferencës, faleminderit. 


Sigal