Presidenti Ilir Meta në Kalabri: Këtu lidhet historia e albanologjisë e kulturës shqiptare. Presidenti italian Matarrella: Jemi këtu për t’u bashkuar në familjen e përbashkët evropiane. Mediat italiane jehonë vizitës historike të Presidentit të Shqipërisë në Kalabri

554
Sigal

Presidenti Ilir Meta: Këtu lidhet historia e albanologjisë, gjuhës e kulturës shqiptare

Gazetat italiane pasqyrojnë vizitën e Presidentit Meta në Itali: Një urë vëllazërie nën iluminimin e Skënderbeut

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta vazhdon vizitën e tij historike në Kalabri në kuadrin e vitit Mbarëkombëtarë të 500 vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Presidenti Meta viziton kompaninë “Amarelli” dhe takohet me drejtues dhe anëtarë të “Unindustria Calabria”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi një vizitë në kompaninë “Amarelli”, ku u takua me drejtuesit dhe anëtarët kalabrezë të Unindustria-s, anëtare e Confindustria-s në Itali. Gjatë këtij takimi sipërmarrësit italianë nënvizuan interesin e madh për të zgjeruar tregjet e prodhimeve të tyre në Shqipëri, nëpërmjet sipërmarrjeve të përbashkëta në fushat e biodiversitetit, agrikulturës, si dhe veçanërisht të prodhimit dhe përpunimit të agrumeve. Ndërsa Presidenti Meta, theksoi se vizita zyrtare në Kalabri nuk do të kishte pasur kuptim pa takim edhe me sipërmarrësit kalabrezë.  Kreu i Shtetit vuri në dukje se Italia është partneri ynë kryesor ekonomik dhe se Shqipëria ka potenciale të mëdha duke ofruar mundësi për investime në fushën e shërbimeve financiare, teknologji, energjetikë, sidomos turizëm, etj. Presidenti Meta: Ky takim i sotëm mishëron një dimension të rëndësishëm të marrëdhënieve të shkëlqyera dhe partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Italisë, atë të bashkëpunimit ekonomiko-tregtar dhe investimeve reciproke. Ne do t’i mbetemi mirënjohës përjetësisht popullit dhe shtetit italian për atë çfarë kanë bërë prej shekujsh për arbëreshët dhe për mikpritjen bujare prej dekadash për qindra mijëra emigrantë shqiptarë, të cilët tashmë janë integruar plotësisht duke kontribuar në shoqërinë dhe ekonominë italiane. Fati e donte që Italia të bëhej një “tokë e premtuar” si për arbëreshët, bashkëkohësit e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, para më shumë se 500 vitesh , ashtu dhe për emigrantët shqiptarë të pas viteve 90-të, të cilët sakrifikuan gjithçka për një jetë më të mirë për vetë dhe familjet e tyre. Potenciali ynë turistik ka nevojë për investime të konsiderueshme dhe “know-how” për zgjerimin e shpejtë të ofertës akomoduese të hoteleve dhe resorteve, sidomos për të përballuar trendin në rritje të turistëve të huaj, numri i të cilëve kaloi 5 milionë për 2017. Në këtë kontekst, dëshiroj që të ftoj sipërmarrësit e “Unindustria Calabria” të vlerësojnë këto oportunitete investimesh në turizmin shqiptar. Tashmë kemi dhe një kuadër rregullator dhe fiskal tepër stimulues, me përjashtime taksash dhe reduktime tatimesh për bizneset që investojnë në hotele me 4 dhe 5 yje. Bujqësia, agro-turizmi dhe industria ushqimore janë sektorë që po njohin një zhvillim të shpejtë, të cilat vitet e fundit kanë zgjuar dhe interesin e investitorëve të huaj me kapital të mesëm financiar, për shkak të potencialeve të pashfrytëzuara dhe fitimeve të kënaqshme.

Presidenti Meta viziton Universitetin e Kalabrisë në Kozenca

Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi një vizitë në Universitetin e Kozencës në Kalabri ku u takua përzemërsisht me Rektorin Gino Mirocle Crisci, me studentë arbëreshë dhe shqiptarë, me pedagogë, si dhe me stafin akademik. Pasi u njoh me një prezantim të detajuar të Universitetit kalabrez (UNIQAL) dhe me funksionimin, strukturën e mjediset e tij, Presidenti Meta vlerësoi rëndësinë e madhe të Universitetit për shkollimin e të rinjve italianë, arbëreshë dhe nga Shqipëria, sidomos kontributin për studimin e gjuhës shqipe, forcimin e marrëdhënieve me vendin tonë dhe shkëmbimin e përvojës së vyer akademike. Presidenti i Republikës në fjalën e Tij, u shpreh: Universiteti i Kalabrisë për vendin tim dhe për mua personalisht nuk është si çdo universitet tjetër. Me këtë universitet është e lidhur fort tradita e promovimit të identitetit arbëresh, i cili është një identitet “sui-generis” (shqiptaro-italian) që bashkon e ndërlidh dy anët e Adriatikut. Me këtë universitet lidhet historia e albanologjisë, historia e mendimit shqiptar, e gjuhës dhe e kulturës shqiptare. Këtu bashkëjetuan gjuhë, besime, liturgji, tradita e kultura të burimeve të ndryshme. Dhe kjo tolerancë multikulturale është para së gjithash vlerë dhe meritë e shumicës, sepse pakica është ajo që ka nevojë të tolerohet ashtu si edhe në demokraci. 40 vjet më parë, kur ishte në këto anë e në këto vise, shkrimtari ynë i madh Dritëro Agolli, pati thënë se: “Ju arbëreshët jeni bijtë dhe etërit tanë”. Kjo shprehje ka një domethënie të madhe. Duket si kundërthënie, por ka shumë mençuri dhe urtësi në thelbin e vet. Ju jeni bijtë tanë, sepse jeni një degë e ndarë prej dheut të të parëve shekuj e shekuj të shkuar, ashtu siç shkruante Zef Serembe me vargjet e tij: “Arbëria matanë detit na kujton, Se ne të huaj jemi tek ky dhe”. Por Dritëroi ka të drejtë edhe kur i quan arbëreshët “etërit tanë” sepse sa herë që duam të dimë si kanë qenë shqiptarët para se të bëheshin pjesë e një perandorie të huaj, që vinte nga Lindja aziatike, teokrate e ushtarake, ne i kthejmë sytë nga ju, nga arbëreshët. Tek arbëreshët shohim ato vlera fisnikërie dhe identitare që na bëjnë krenarë edhe sot e kësaj ditë për prejardhjen dhe historinë tonë të lavdishme. Mbijetesa juaj “në dhe të huaj”, siç thoshte Skiroi, është një meritë historike e kulturore e shpirtit të Arbërit. Është dhe mbijetesë e shpirtit të Arbërit andej, të shqiptarëve të sotëm. Ju nuk e harruat epokën e ndritur të Gjergj Kastriotit, të Gjergjit të Madh, me të cilin jeni identifikuar, të Kastriotit tonë, të cilit sivjet i nderojmë 550-vjetorin e ndarjes nga jeta, me Vitin Mbarëkombëtar, që na ka bashkuar e lidhur edhe më shumë. Arbëreshët mbajtën gjallë kujtimin e Skënderbeut dhe rrojtën prej nderit e lavdisë së tij. Kur De Rada bëri thirrjen “Erdhi ditë e Arbërit”, Shqipëria dhe shqiptarët ishin ende në përgjumje. “Arbëria e vjetër” ishte e robëruar, kurse në Itali zienin idetë e Rilindjes kombëtare. Poetët arbëreshë edhe Garibaldin e quanin “Skënderbe”:

Këmishkuqi ynë me fletë

Skënderbeut tonë i ngjet”.

Këtu tek ju u ruajt gjuha dhe shkrimi. Ju ishit të parët që dërguat misione për të rimëkëmbur gjendjen kishtare, historike e kulturore në Shqipërinë e vjetër. I pari që guxoi t’i shkruante në shqip letra zyrtare Selisë së Shenjtë, ishte arbëreshi monsinjor Zef Skiro i parë. Prej arbëreshëve, prej De Radës, u themelua e para katedër e gjuhës shqipe në histori. Prej arbëreshëve bota shqiptare u ribë pjesë e botës evropiane dhe hyri në veprat e Hygoit, Delakruasë, Aleksandër Dymasê dhe shumë shkrimtarëve të tjerë. Dua të shpreh një falënderim të përzemërt për Presidentin Mattarella, i cili e pranoi menjëherë ftesën për të vizituar së bashku komunitetin arbëresh, që siç edhe theksoi është një faktor i rëndësishëm i unitetit midis dy vendeve tona. Ne e konsiderojmë Universitetin e Kalabrisë edhe si një universitet tonin. Me energjinë e tij të pashtershme, me mençurinë dhe intelektin dhe dashurinë për dheun e Skënderbeut, akademiku ynë dhe profesori juaj Francesco Altimari, në gjurmët e Mjeshtrit Francesco Solana – që e donte me zemër Shqipërinë – e ka fuqizuar shumë degën e albanistikës, e ka zgjeruar regjistrimin e kandidatëve duke pranuar studentë të rinj nga gjithë hapësira historike shqiptare, si dhe ka krijuar ekipe akademike të suksesshme, me programe e projekte ambicioze.

Presidenti i Italisë, Mattarella përcjell me shumë entuziazëm vizitën historike të Presidentit Meta në Kalabri

Presidenti i Italisë, Mattarella e ka përcjellë me shumë entuziazëm vizitën e djeshme historike së bashku me Presidentin Meta në Kalabri, tek arbëreshët e Italisë. Përmes disa statuseve që ka bërë në rrjetin social Twitter, Kreu i Shtetit italian, ka shprehur ndjesitë dhe kënaqësinë e tij për pritjen mjaft të ngrohte të arbëreshëve në Kalabri. Ai gjithashtu ka vlerësuar kontributin e çmuar që kanë dhënë ndër vite dhe shekuj arbëreshët për zhvillimin social, kulturor dhe ekonomik të Italisë. Më poshtë janë disa mesazhe të shprehura nga Presidenti Mattarella në Twitter…

Është një kënaqësi e madhe për mua të jem me ju sot – së bashku me Presidentin Ilir Meta – në San Demetrio Corone. Kjo është një nga forcat lëvizëse të kulturës arbëreshe në Itali.

Kolegji Italo-Shqiptar i Sant’Adriano, i cili na pret sot, është një dëshmi e një rëndësie të madhe të këtij gërshetimi, të këtij përzierje të thellë dhe të frytshëm

SanDemetrioCorone, Mattarella tek Presidenti Meta: Jemi këtu për t’u bashkuar, para së gjithash, thirrjes së përbashkët për të ndërtuar së bashku me anëtarët e tjerë të familjes evropiane një kontinent të bashkuar dhe të integruar

Mattarella: shqiptaret me origjine arbëreshe dhe italianët për më shumë se 500 vjet kanë ruajtur me krenari traditat e lashta, ritet fetare, gjuha e paraardhësve, duke siguruar me kurajë dhe me idealet e tyre një kontribut të rëndësishëm në vendin tonë

Mattarella: Me origjine Arbëreshe ishin edhe Francesco Crispi dhe Antonio Gramsci, protagonistët e historisë së vendit tonë dhe të rrugës së ndërtimit të identitetit të saj

Mattarella: Arbëreshet janë një histori integrimi dhe pranimi që ka qenë një sukses i plotë, një shembull se si njohuritë reciproke dhe respektimi i ndërsjellë i kulturave janë një mjet për rritje për realitetet territoriale

Mattarella: Italianët me origjinë shqiptare dhe shqiptarët “të adoptimit italian” janë dy anët e një medalje të çmuar. Ata përbejnë kontributin e jashtëzakonshëm që ka ardhur nga Shqipëria përgjatë 500 viteve të fundit, në zhvillimin social, civil dhe ekonomik të Italisë

Mediat italiane: Vizitë historike e Presidentit të Shqipërisë në Kalabri

Gazetave kryesore në Rajonin e Kalabrisë, në Itali, i kanë kushtuar një hapësirë të madhe vizitës së Presidentit shqiptar Ilir Meta dhe Presidentit italian, Serxho Mattarella në Itali. Gazeta “Il Quotidiano” ka kryeartikull dhe foto kryesore vizitën e Presidentit Italian, me titull “Kalabria-Shqipëria, urë vëllazërie”. Gazeta “Gazzeta del Sud” ka vendosur në numrin e sotëm të saj foto kryesore takimin e dy presidentëve. Ndërsa titulli pasqyron fjalimin e kreut të shtetit italiane. “Presidenti Mettarella në Shën Mitër Koronë: Arbëria, një shembull i jashtëzakonshëm i integrimit dhe multikulturalizmit në Itali”. Pothuaj të gjitha gazetat e rajonit të Kalabrisë dhe Jugut të Italisë i kanë kushtuar hapësira të mëdha vizitës së presidentit Meta dhe takimit me Presidentin italian. Ndërkohë televizionet kryesore italiane dhe sidomos ato të rajonit të Kalabrisë i kanë kushtuar këto ditë kronika dhe reportazhe të shumta takimi të dy krerëve të shtetit në komunitetin arbëreshë të Italisë.