Politikanëve shqiptarë u intereson kaosi dhe trazirat

531
Sigal

Shqipëria e humbi dy herë statusin e vendit kandidat  për në BE dhe në të dyja rastet politikanët akuzuan njëri –tjetrin  si shkaktarë të humbjes së trenit të radhës. Por fatkeqësisht asnjë nga politikanët dhe drejtuesit kryesorë të partive politike nuk mbajnë përgjegjësi dhe nuk u bënë përshtypje për zhgënjimin që shkaktuan tek shqiptarët, ëndrra e të cilëve në vitet ‘90 ishte: “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa” . Dhe tani që Europën e kishim më afër se kurrë, asaj iu mbyll dera, njëlloj sikurse ia mbylli për pesëdhjetë vjet diktatura komuniste. E çfarë diference kishte mes asaj kohe dhe kësaj që jemi tani. Pse Europa na duhet, kur kemi interesa sikurse ishte ajo e liberalizimit të vizave dhe tani që Europa ka vënë kushtet më minimale që kanë të bëjnë me liritë themelore dhe drejtësinë bëjmë një vesh shurdh dhe një sy qorr?! Ja pra, këta janë politikanët, të cilët elektorati i ka mandatuar dhe këta, për hir të interesave të tyre kërkojnë të na mbajnë peng të babëzisë së tyre, korrupsionit të tyre, lidhjes me krimin, kontrabandën, trafikun dhe shumë e shumë zullumeve të tjera. Pozita nga ana e saj kërkon të akuzojë opozitën, duke e etiketuar si shkaktaren e vërtetë të mbajtjes peng të integrimit pasi nuk dha votat për miratimin e 2 ligjeve dhe rregullores së Parlamentit. Shiko se çfarë paradoksi ka mbërthyer deputetët. Ata kanë kaq vite që nuk po mundin të miratojnë një rregullore për të normuar  punën e tyre në Kuvend, një rregullore, ku do vendosen disa  piketa  për mbarëvajtjen dhe respektimin e 140 deputetëve brenda shtëpisë së tyre që quhet PARLAMENT. E pra, kur këta nuk merren vesh me njëri- tjetrin si mundet të na krijojnë hapësira dhe kushte të barabarta ligjore që të merren veshë rreth 4 milionë banorë, turistë apo biznesmen vendas dhe të huaj. Bëhet fjalë për ligjet e Gjykatës së Lartë e Kushtetuese dhe atë administrative. Opozita në të vërtetë, edhe mund të mos e banalizonte kushtin e Qarkut të Fierit me integrimin e vendit pasi një Europë më afër dyerve të Presidencës, Parlamentit, Kryeministrisë, drejtësisë dhe medias do ishte në të mirën e vetë opozitës dhe shqiptarëve në zgjedhjet e 23 Qershorit. Ndërkombëtarët do shihnin nga afër zgjedhjet, drejtësinë e cenuar dhe të munguar dhe në këtë mënyrë do bindeshin se në vendin tonë trekëndëshi  Drejtësi – Zgjedhje – KQZ  nuk bashkëjeton. Po tani që shumicën e Fierit e mori e majta çfarë ka ndryshuar për vetë të majtën dhe shqiptarët? Asnjë gjë, përkundrazi pozita dhe Berisha arritën atë që donin, shumë tymnajë për integrimin dhe nga ana tjetër një KQZ tërësisht të politizuar,  ku në krye qëndron ish- shefja e zyrës Juridike të Jozefina Topallit, e cila ka ende çështjet në gjykatë nga koha kur pushonte njerëzit nga puna. Nga ana tjetër, pozita dhe Kryeministri Berisha me metoda aspak qytetare dhe të kundraligjshme kërkoi që verdiktin e sovranit ta “blejë”, duke krijuar maxhoranca fiktive, gjë që bie në kundërshtim të hapur me normat demokratike dhe respektimin e votës popullore, e cila delegohet sipas bindjeve tek përfaqësuesit e saj në pushtetin qendror dhe atë lokal. Është e pamoralshme që sot e djathta mbahet në pushtet me 5 votat e së majtës, të cilët u mandatuan pasi premtuan largimin e Berishës. Nga ana tjetër  këta deputetë  ishin pozicionuar në listat e sigurta të fituesit duke marrë dhe keqpërdorur edhe votat e atyre që ishin me poshtë në renditje. Kështu, Shpëtim Idrizi, Kastriot Islami, Asllan Dogjani, Gjovalin Kadeli nga PS-ja dhe Dritan Prifti nga LSI-ja kanë keqpërdorur votën popullore të mandatuar nga PS-ja dhe LSI-ja.  Por le t’i kthehemi situatës më të fundit në vend. Dje Kryeministri Berisha ju përgjigj kërkesës së Ilir Metës, i cili luajti edhe rolin e moderatorit mes Ramës dhe Berishës për miratimin e tre ligjeve, të cilat do të  shërbenin si shkak për t’ju drejtuar BE-së për integrimin e vendit. Dhe më e veçanta e miratimit të këtyre tre ligjeve është se ato do hyjnë në fuqi pasi të mblidhet kuvendi i ri. Kjo është logjika më skandaloze dhe maskarada më e madhe që  politika po i bëhet këtij populli si dhe tallja më e madhe me shqiptarë. Po këto ligje përse duhet të hyjnë në fuqi në shtator apo tetor, kur të mblidhet Kuvendi, ndërkohë që, ato duhej të kishin hyrë në fuqi sipas kushteve të vëna nga BE-ja që para 2 vjetësh. Po përse do vazhdojnë të sorollaten bizneset në dyert e disa gjyqtarëve palaço që i shikojnë nga duart sa futen tek dera e gjyqtarit. Ja, kjo tregon se, ligjet më të rëndësishme politika i ka mbajtur peng për interesat e tyre të ngushta dhe jo për t’i shërbyer qytetarëve shqiptarë dhe atyre që zhvillojnë aktivitetet e tyre në vendin tonë. Hyrja në fuqi e ligjeve pas zgjedhjeve, ka treguar se politikanëve dhe krerëve të partive më shumë u intereson karrigia e tyre, sesa ligjet, të cilat kanë të bëjnë me drejtësinë, luftën kundër korrupsionit dhe  trafiqet.  Këto ditë do të mblidhet Kuvendi pikërisht për të votuar këto tre ligje, ndërkohë që, KQZ-ja është me 4 anëtarë për shkak të shkarkimit të anëtarit të LSI-së dhe dorëheqjes së 3 anëtarëve të tjerë të opozitës. Është e papranueshme dhe e patolerueshme që të mblidhet Kuvendi, në mënyrë të kundraligjshme, pasi mbledhja e tij  në bazë të në bazë të Nenit 65 pika 4 e Kushtetutës bëhet vetëm për raste të jashtëzakonshme. E këto ligje nuk përbëjnë ngjarje të jashtëzakonshme, ndaj e vetmja mundësi është që deputetët të mblidhen, të ndryshojnë Kushtetutën, duke shtuar edhe klauzola të tjera dhe pastaj të vendosin si të duan. Jo për gjë, por marrëveshjet Rama –Berisha e kanë ndryshuar dhe bërë çorape ligjin themeltar të shtetit ndaj  edhe mburoja e shtetit “Kushtetuta” është bërë si një kamerdare e shpuar që po mbushet me ujë, deri sa një ditë do të mbytet dhe shqiptarëve do t’u duhet të ribëjnë një Kushtetutë të re. Faktori ndërkombëtar dhe sidomos ai amerikan ka sinjalizuar se nuk do të tolerojë manipulimet në zgjedhje dhe se kërkon që Shqipëria të ankorohet në pjesën e vendeve demokratike. Çdolloj padrejtësie dhe shkatërrimi i procesit zgjedhor përbënë goditje të interesave strategjike të SHBA-ve. Rikonfirmimi dhe  vendosmëria  amerikane kanë detyruar shpeshherë ambasadorin Arvizu, Komitetin Amerikan të Helsinkit, senatorë  dhe kongresmenë të këshillojnë politikën shqiptare për më shumë maturi, qetësi  dhe zgjedhje të drejta. Madje, pritet që sot të mbërrijë në Tiranë edhe  Jonathan Moore,  Drejtor për Çështjet e Europës- Jugore dhe Qendrore në Departamentin amerikan të Shtetit, i cili gjatë vizitës së mëparshme në muajin prill, si dhe në takimin e 7 majit në Komisionin amerikan të Helsinkit për zgjedhjet në Shqipëri deklaroi se: “Këto zgjedhje janë testi i pjekurisë politike në Shqipëri”. E ndërkohë që, të gjithë i kanë sytë nga KQZ-ja, asnjë nga partitë apo treshja Rama-Berisha-Meta  nuk kujtohen për zgjidhjen e këtij ngërçi, por mendojnë për amnistinë fiskale, e cila edhe të duash ta bësh sot është si ‘kofini pas të vjelave’. Kjo për arsye se, shqiptarët që kanë vjedhur, abuzuar, apo fshehur tatimet i kanë pasur paratë në bankat austriake, Qipros, ishujt e paqësorit dhe shtetet e këtyre vendeve me arsyetime të ndryshme ua kanë konfiskuar shumicën dhe këta të fundit nuk ndihen nga frika e shtetit tonë. Le të bëhet, megjithëse, e vonuar amnistia, sepse në fund të fundit më mirë të kthehen paratë në Shqipëri sesa të na i grabisin ata që na bëjnë moralin e drejtësisë dhe sigurive financiare. Por tre ligjet e integrimit dhe ai i amnistisë fiskale janë shumë pak përpara plotësimit të KQZ-së dhe futjes së sajë mbi baza ligjore. Nëse KQZ-ja nuk plotësohet, vendi do të rrëshqasë në situatë jo të stabilizuar pas 24 Qershorit dhe një gjë e tillë do jetë me pasoja për vendin dhe një goditje për shqiptarët, të cilët nuk do ta kalojnë klasën e integrimit pasi kriteri numër një, aktualisht, që ka vënë BE-ja është zhvillimi i zgjedhjeve të drejta dhe ndershme. Fakti që në listat për zgjedhjet e 23 Qershorit si PS-ja edhe PD-ja  kanë vënë ish-kryetarët e KQZ-ve, tregon se, ky organ është përdorur si mashë për të krijuar tensione dhe trazira, sa herë preken apo rrezikohen interesat personale të politikanëve…