Përplasjet Pozitë-Opozitë/ Pas ftesës së Ramës për dialog, Basha deklaron se nuk do ketë zgjedhje pa plotësuar kushtin e largimit të tij

512
Sigal

Kryeministri Rama i bën ftesë opozitës: Pro dialogut, por nuk negociohet shtyrja e zgjedhjeve lokale

Basha: Asnjë qeveri nuk i plotëson kushtet për zgjedhje të lira më 30 qershor

Kryeministri Rama dje, edhe një herë i bëri ftesë opozitës për dialog pa kushte, por, paraprakisht vendosi kushtet e veta ndaj dialogut. Së pari, kryeministri Rama nuk pranon të shtyhen zgjedhjet vendore të 30 qershorit, sepse ai pohoi që nuk mund të shkelë Kushtetutën. I menjëhershëm ishte përgjigja e kryetarit të PD-së, i cili deklaroi pak çaste më vonë, se në 30 qershor asnjë qeveri nuk mund të garantojë zgjedhje të lira, ndërsa Petrit Vasili, zëdhënësi i LSI-së i numëroi kryeministrit Rama të gjitha herët kur ai i ka shtyrë zgjedhjet, që nga 2007-a e deri ën 2017-n, për interesat e veta politike, duke e marrë nëpërkëmbë pikërisht Kushtetutën.

Kryeministri Rama: Negociata nuk ka!

Negociata nuk ka. Të jemi të qartë. Në kuptimin e një procesi negociatash që lidhen me 30 qershorin. Sepse nuk kemi asnjë mundësi të negociojmë kushtetutën e Shqipërisë. Zgjedhjet e 30 qershorit do të bëhen, më 30 qershor dhe në këtë pikë nuk kam asnjë mundësi reale për të fantazuar, sepse është Kushtetuta e Shqipërisë dhe kam nderin e madh të flas në emër të një shumice që është shumicë në parlament dhe në popull. Dhe ajo shumicë nuk negocion dot Kushtetutën.” “Për sa i përket dialogut [me opozitën] unë nuk kam nevojë as për gjermanë, as për amerikanë, francezë, anglezë, as për norvegjezë për t’u ulur dhe për të dialoguar. Dialogu është i patjetërsueshëm dhe i pazëvendësueshëm në procesin e bashkëjetesës në një vend normal. E kam kërkuar këtë gjë dhe kur nuk kishte kapsolla dhe kur mbase pala tjetër kishte më pak nevojë për dialog. Pala tjetër sot ka shumë nevojë për dialog dhe vendi ka nevojë për dialog, sepse nuk i kanë borxh shqiptarët politikanëve. Ata [PD dhe LSI] nuk duan as karrige, as pushtet, ata duan që Shqipëria të jetë më e mirë. Që Shqipëria të jetë më e mirë duhen bërë shumë gjëra, reforma të rëndësishme. Ata [PD dhe LSI] kanë shumë gjëra për sistemin zgjedhor, ne kemi idetë tona që të kemi zgjedhje shumë më të mira se ato që kemi pasur. Koha për të diskutuar për këto gjëra.“ “As me qëndrime dhe as me marshime nuk zëvendësohet dhe rrëzohet qeveria dhe aq më pak bombat molotov janë një program apo alternativë qeverisëse, por sigurisht përbëjnë një mjet për të plagosur fytyrën e Shqipërisë në sytë e botës dhe për të goditur ekonominë e vendit dhe atë familjare dhe atë të të gjithëve që jetojnë në këtë vend. E vetmja pjesë që nuk ndryshon dhe nuk ka shans që të preket nga kjo, është qeveria dhe shumica qeverisëse, gjithçka tjetër preket dhe ndryshon për keq. Qeveria nuk prodhohet me protesta dhe nuk zëvendësohet me dhunë.”

Basha: Asnjë qeveri nuk i plotëson kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme më 30 qershor

Është e qartë se me 30 qershor asnjë qeveri nuk plotëson kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Miliona karta identiteti janë të pavlefshme. Regjistri i zgjedhësve është, në pjesën më të madhe i vjetruar, dhe një pjesë tjetër i manipuluar. Dhjetëra aspekte të tjera teknike kërkojnë kohë të nevojshme, në mënyrë që të garantojnë edhe nga pikëpamja formale, një proces të rregullt zgjedhor. Pra, edhe nga pikëpamja formale, data 30 qershor është një datë e rrëzuar për një proces të rregullt zgjedhor. Nga pikëpamja politike, padyshim që është e rrëzuar. Procesi i zgjedhjeve të lira e të ndershme, përmes një qeverie tranzitore, mund dhe do të kalojë vetëm nga një qeveri pa Edi Ramën kryeministër. Zgjidhja politike është një dhe vetëm një: kryeministri i lidhur me krimin, që ka marrë peng zgjedhjet, që ka diktuar një parlament të krimit dhe një qeveri të krimit duhet dhe do të largohet. Një qeveri tranzitore, një dialog gjithëpartiak, publik dhe transparent, për të stabilizuar gjendjen e rëndë të rendit publik dhe kushtetues dhe për t’i hapur rrugë pastaj një dialogu edhe më të madh, me të gjithë faktorët shoqërorë dhe me të gjithë qytetarët shqiptarë, për një reformë të thellë, që njëherë e përgjithmonë t’u kthejë qytetarëve sendin më të shtrenjtë që u ka vjedhur ky pushtet, lirinë për të votuar, për të zgjedhur dhe shkarkuar ata që qeverisin fatin, pasuritë e shqiptarëve, pra për të rikthyer fatin e shqiptarëve në duart e shqiptarëve dhe jo në duart e oligarkëve dhe kriminelëve. Edi Rama nuk mund të jetë kryeministër i një procesi të ardhshëm zgjedhor. Vetëm një qeveri tranzitore, pa Edi Ramën, mund të çojë drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Kjo është e pa negociueshme. Arsyeja pse kemi ardhur këtu, është “kujdestaria” e Edi Ramës mbi zgjedhjet, është përdhunimi i zgjedhjeve nga Edi Rama. Pa larguar këtë shkak themelor të krizës, nuk mund të ketë zgjidhje të krizës.