Përfaqësuesit e BE-së: Ne presim të respektohen standartet për numërimin dhe pranimin e rezultatit përfundimtar

429
Sigal

Wollfarth takon ambasadorët për situatën zgjedhore

 Kreu i prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Eugen Wollfarth pak para se të përfundonte procesi i votimit në të gjithë qendrat e votimit e vendit mblodhi në një takim në “Hotel Sheraton” ambasadoret e BE-së të akredituar në Tiranë. Në qendër të takimit mësohet të ketë qenë situata zgjedhore si dhe ndjekja e përfundimit të procesit të votimit. Nga zyrat e shtypit të OSBE u mësua se takimi ka qenë informal dhe është bazuar vetën në mbarëvajtjen e procesit ndaj për këtë arsye nuk pati asnjë deklaratë nga ana e pjesëmarrësve. Ajo që u vu re ishte mungesa e ambasadorit Aleksandër Arvizu. I pari që është larguar nga takimi i zhvilluar nga ora 16:45 deri në 19:30 ka qenë ambasadori Sequi.

   Kukan takon Metën: Shpresojmë që procesi të mbyllet në mënyrën më të mirë!

  Ilir Meta zhvilloi një takim në selinë eLSI-së me ambasadorin e BE-së në vendin tonë, Ettore Sequi dhe kreun e delegacionit të PE-së për marrëdhëniet me Evropën Juglindore, Eduard Kukan. Pas takimit me dyer të mbyllura, zoti Kukan doli në një konferencë për shtyp nga selia eLSI-së, ku u shpreh se “ne shpresojmë dhe besojmë që Shqipëria të ecë shpejt drejtë rrugës së saj të integrimit europian. Ne presim që i gjithë procesi zgjedhor të jetë në përputhje me standardet më të mira europiane, si përsa i përket votimit, numërimit si dhe njohjes së rezultateve”.  Kukan shprehu besimin që edhe periudha pas zgjedhjeve të jenë ditë ku forcat politike të bashkëpunojnë për të mirën e zhvillimit të vendit. Ai tha se është një grup i madh vëzhguesish ndërkombëtarë, kanë ardhur të vëzhgojnë çdo detaj dhe pjesë të procesit të zgjedhjeve në mënyrë sa më objektive në të gjithë vendin. Kreu i delegacionit të PE-së për marrëdhëniet me Evropën Juglindore, Eduard Kukan, përfundoi duke shprehur besimin që “këto zgjedhje në pjesën e mbetur të tyre dhe pastaj, i gjithi si proces, të mbyllet në mënyrën më të mirë të mundshme dhe besojmë që edhe pas zgjedhjeve bashkëpunimi të jetë frymë kryesore e të gjitha reformave dhe zhvillimeve që do të ketë Shqipëria”.

  Pittela: PE shpreson në një proces normal zgjedhor në Shqipëri

Parlamenti Evropian shpreson në një proces normal zgjedhor në Shqipëri, deklaroi zëvendëspresidenti i PE-së, Gianni Pittela. ”Parlamenti Europian shpreson në një proces zgjedhor normal në Shqipëri”, theksoi Pittela. ”Urojmë që procesi i votimeve në Shqipëri të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe që episodi i dhunës i ndodhur mëngjesin e sotëm të mos kushtëzojë vijueshmërinë zgjedhore”, shtonte në një deklaratë Gianni Pittela. ”Populli shqiptar kishte të drejtën të zgjidhte në mënyrë demokratike përfaqësuesit e tij parlamentar dhe të vazhdonte në itinerarin e afrimit me Bashkimin Europian”, përfundoi zëvendëspresidenti i PE-së, Gianni Pittela.