Xhaferri: ‘Ata që na krenohen me buxhetin e 2024, na renditën të tretët pas sirianëve si azilkërkues në BE në 2023!’

18
Sigal

Nga Besat Xhaferri

Buxheti i 2024 që u miratua në 7 minuta dhe që kalon miliona euro për koncensionet nën hetim dhe inceneratorët na u cilësua si arritje nga përfaqësuesit e mazhorancës në Parlament.

Ndërkohë shqiptarët edhe përgjatë 2023 nuk e ndalin eksodin masiv nga kjo mrekulli ekonomike e Rilindjes, ku sipas Eurostat, shqiptarët në 2023 renditen të tretët në Evropë pas sirianëve si azilkërkues.

Sipas Eurostat, në 2023 kanë qenë 9,145 shtetas shqiptarë që kanë aplikuar për azil në një nga shtetet e Bashkimit Europian, ose 331 aplikime për 100 mijë banorë, nga 17 aplikime për 100 mijë banorë, që është mesatarja e të gjithë aplikimeve në BE.

Në vend të parë është Siria, një shtet që prej vitesh po vuan pasojat e luftës civile. Ky shtet kishte 874 aplikime për 100 mijë banorë në vendet e BE-së në 2023, teksa në vend të dytë është Gjeorgjia një vend, që konkuron denjësisht Shqipërinë për korrupsion.

Nuk ndalet as fenomeni i braktisjes së fëmijëve të mitur nga shqiptarët në vendet e BE me shpresën për të fituar azil, si i vetmi mjet që u ka mbetur këtyre prindërve për t’i siguruar një të ardhme fëmijëve të tyre.

Ekonomia e Shqipërisë nuk do mund të lulëzojë pa u çliruar nga kthetrat e korrupsionit dhe injektimi i parave të krimit.