PD, Shehu: Qeveria urdhëron në fshehtësi testimin arbitrar të infermierëve

47
Deputeti demokrat, Tritan Shehu përmes një deklarate për mediat ka shprehur qëndrimin e Partisë Demokratike kundër testimit të infermierëve, të informuar së fundmi nga Ministria e Shëndetësisë. Gjatë fjalës së tij, Shehu ka akuzuar këtë dikaster dhe gjithë ekzekutivin se i kanë hartuar procedurat ligjore që parashikojnë testimin në fshehtësi të plotë, pa konsultuar askënd. 
“Për habinë e të gjithëve i ashtuquajturi “testim”, i iniciuar si një mjet seleksioni arbitrar e presioni mbi personelin shëndetësor, u rishfaq përsëri. Ministria e Shëndetësisë me një komunikim aspak transparent urdhëron drejtoritë e institucioneve shëndetësore që në periudhën 24 korrik- 2 gusht të kryejnë “testimin” e infermierëve të vendit. Sipas urdhrit në fjalë ky testim do të fillojë me 24 korrik me infermieret e spitaleve obstetrike-gjinekologjike të Tiranes dhe atij “Shefqet Ndroqi”.
Në tërësi në të gjithë këto veprime është mbajtur një regjim fshehtësie i plotë. Urdhri i Infermiereve, shërbimet universitare, fakultetet perkatese etj, nuk kanë asnjë njoftim dhe nuk kanë marrë pjesë në përgaditjen përkatëse. Nuk është bërë publik asnjë dokument shpjegues, platformë a pyetsor. Ky proces kërkohet të realizohet pa pritur opinionin e Gjykatës së Lartë ndaj ankesës së Urdhërit të Infermierëve për këtë inisiative. Dhe për me tepër, e gjithë kjo kërkon të kryhet pikërisht në këtë periudhë kulminante pushimesh, pra jashtë vëmëndjes së opinionit publik mjekësor !
Nga ana tjetër, kjo iniciativë po përsëritet në mënyrë krejt të njëanshme, në një kohë kur në Komisionin Parlamentar e Kuvend dominoi vullneti i përbashkët për ndryshimet e ligjit të edukimit të vazhduar. Kështu, tashmë në këtë ligj përfshihet i gjithë personeli shëndetësor, pra dhe infermieret. Në këtë mënyrë, ky vendim bie ndesh edhe me këto ndryshime ligjore, qe do të hyjnë ne fuqi mbas pak ditësh, pavarësisht vendimit të kaluar të “Gjykatës Aministrative”. Në këto kushte ne kërkojmë anullimin e këtij “testimi”, pritjen e hyrjes në fuqi të ndryshimeve të fundit ligjore, si dhe përcaktimin më tej të një procedure të qartë e të plotë për edukimin e vazhdueshëm të infermiereve, në baze të së cilës duhet te procedohet”, deklaroi Tritan Shehu.