Haradinaj: “Mirënjohje për ndihmën që ju keni dhënë për Kosovën!”

482
Sigal

Deçani i jep Kryebashkiakut Basha, medaljen e artë “Shkëlzen Haradinaj”

Pas titullit “Qytetar Nderi i Prishtinës”, Kryebashkiaku Lulzim Basha është nderuar edhe me “Medaljen e Artë” që mban emrin  e heroit të Kosovës “Shkëlzen Haradinaj”. Ky nderim i është bërë kreut të Bashkisë së Tiranës, pikërisht në kullën e Haradinajve, në Gllogjan të Deçanit. Kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, bashkë me Bacë Hilmi Haradinaj nderuan Kryebashkiakun Basha, për kontributin e tij për Kosovën.  “Ju falënderoj pa masë për këtë nder të veçantë. Ashtu siç e përmendi edhe z.Ambasador, sakrifica e familjes Haradinaj përbën një shembull frymëzimi për çdo shqiptar, do të vazhdojë të përbëjë një shembull frymëzimi për çdo të ri. Ajo shtrihet në disa shtresa, sakrifica sublime e  Shkëlzen dhe Luan Haradinaj, në rolin e jashtëzakonshëm që Ramushi ka luajtur në periudhën e pasluftës për konsolidimin dhe hedhjen e themeleve të pavarësisë dhe shtetit të Kosovës, në betejën vigane që ai bëri kundër paragjykimeve, padrejtësive që mundoheshin të vinin shenjën e barazimit midis kasapëve dhe xhelatëve të Ballkanit e luftëtarëve të lirisë, kthimin me nder me anë të së cilit na ngriti kokën të gjithë shqiptarëve dhe vulosi përgjithmonë faqen e historisë së botës, karakterin e drejtë të kësaj lufte e pa dyshim kontributi i tij vazhdon edhe sot dhe do vazhdojë edhe në të ardhmen. Unë jam shumë krenar dhe shumë fatlum që më jepni mundësinë që të mbaj këtë çmim me emrin e madh të Haradinajve”, – u shpreh z. Basha. Hilmi Haradinaj, babai i dy heronjve të Kosovës, Luanit e Shkëlzenit, që u vranë gjatë luftës për çlirimin e Kosovës dhe i ish – kryeministri, njëherësh kryetar i AAK, Ramush Haradinaj i ka shprehur zotit Basha, mirënjohjen për kontributin e tij dhe të kryeministrit Berisha për Kosovën. “U jam mirënjohës si familje, për ndihmën që keni dhënë ju dhe Kryeministri Sali Berisha.  Për ne, është një nder që as nuk guxon më u harru e as nuk guxon me u shu kurrë”, – u shpreh Hilmi Haradinaj.  Nga ana e tij, z. Basha theksoi: “Faleminderit Baca Hilmi ! Asgjë përveç detyrës së një shqiptari nuk kam bërë. Nderi dhe përulja me respekt është ndaj veprës suaj, familjes suaj, qëndresës që ju përfaqësoni dhe punës së mirë që jam i sigurt se Ramushi dhe gjithë djemtë e kësaj vatre do vazhdojnë të bëjnë për Kosovën.”. Kreu i Bashkisë Lulzim Basha ka vendosur kurora me lule dhe është përkulur me nderim dhe respekt, para sakrificës sublime të heronjve të Kosovës që prehen në varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan. “Nder mbi nder është për mua të jem këtu, në gjirin tuaj, në mesin tuaj dhe të ndaj me ju krenarinë, siç ndaj me ju dhe më të gjithë shqiptarët, të njëjtin gjak e të njëjtën histori! Ndajmë krenarinë për sakrificën sublime të Haradinajve, luftëtarëve, komandantëve të UÇK, këtu në Rrafshin e Dukagjinit, anembanë Kosovës të cilët bënë të mundur që ne sot të festojmë këto ditë me një Kosovë të pavarur, të lirë dhe të shikojmë me besim përpara drejt një të ardhmeje më të mirë për qytetarët tanë, për fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë” – u shpreh z. Basha.

Kryebashkiaku Lulzim Basha është ndalur edhe në Prekaz, ku ka bërë homazhe në varrin e heroit legjendar të Kosovës Adem Jashari dhe familjes Jashari, të cilët me flijimin e tyre, siç u shpreh Kryebashkiaku Basha, shënuan kthesën e madhe në historinë e kombit tonë.  Vizita e Kryebashkiakut Basha në Kosovë nisi me homazhet pranë varrit të arkitektit të pavarësisë së Kosovës, siç e cilësoi z. Basha, presidentit Ibrahim Rugova. Homazhet u pasuan me një vizitë në familjen Rugova. Në 14 vjetorin e çlirimit të Prishtinës, zoti Basha zhvilloi homazhe në varrezat e Dëshmorëve si dhe te busti i dëshmorit të kombit, Zahir Pajaziti.

Basha:”Me mbështetjen e qeverisë do të ndërtohet e gjithë infrastruktura e njësisë bashkiake nr. 7″

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha inauguroi punimet për rikualifikimin urban të bllokut që kufizohet nga rrugët “Dritan Hoxha”, “Teodor Keko”, “Anesti Lubonja” dhe parku tek ish – Pista e Aviacionit, me sipërfaqe rreth 14.7 ha. Kryebashkiaku Basha është ndierë mirë, teksa kthehet në këtë zonë, e cila i dha edhe mandatin e parë si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, për të përmbushur edhe ato detyrime ndaj qytetarëve të kësaj njësie bashkiake, të cilat i përkisnin deri në 2011, Bashkisë. “Kam kënaqësinë e veçantë të ndodhem prapë sot këtu, në mes të këtij komuniteti qytetarësh të Tiranës, ndaj të cilëve kam një detyrim të dyfishtë, të parin si kryetar i Bashkisë, me çdo bashkëqytetar timin por kam një detyrim më të hershëm si ish-deputet i zonës dhe kam kënaqësinë e veçantë që të kthehem për të përmbushur një pjesë të nevojave e premtimeve të cilat nuk arritëm t’i realizonim pasi i përkisnin Bashkisë së Tiranës si detyra. Ne bëmë ujësjellësin, bëmë kanalizimet për këtë zonë por sot jemi kthyer për t’i dhënë kësaj zone parametrat e plotë urbanë që i meriton dhe që do shndërrojnë përgjithmonë cilësinë e jetesës së banorëve dhe vlerën e pronës së tyre”, – u shpreh z. Basha. Me një investim prej 16.5 milionë lekësh, Bashkia e Tiranës ka bërë të mundur ndërtimin e rrugës “Llambi Ziçishti”. Në këtë rrugë nuk ishte hedhur kurrë asfalt, edhe pse e populluar prej shume vitesh. Përgjatë kësaj rruge është ndërtuar sistemi i ujësjellësit, kanalizimet e ujërave të bardha dhe të zeza. Po kështu, përgjatë rrugës janë vendosur  14 shtylla ndriçimi dhe gjelbërim. Kryebashkiaku Basha është rikthyer në këtë rrugë me një premtim të mbajtur para banorëve të Tiranës, duke u mundësuar një standard të ri jetese, pavarësisht se ku jetojnë ata.

SOKOL OLLDASHI: “INFRASTRUKTURA DO TË ZHVILLOJË EDHE NJË BUJQËSI MODERNE”

Kryesuesi i listës së PD-së në Qarkun e Fierit ka vazhduar takimet dhe bashkëbisedimet edhe dje me fermerë dhe banorë të fshatrave Çlirim, Hamil dhe Sheq Marinëz. Fermerët dhe banorët e këtyre fshatrave dëgjuan me vëmendje zbardhjen e programit të PD-së për zhvillimin  e mëtejshëm të bujqësisë nga kandidati për deputet, ministri i Transporteve, Sokol Olldashi. Një nga prioritetet e Kryeministrit Berisha, tha kandidati Olldashi, ka qenë ndërtimi i një infrastrukture moderne për të krijuar të gjitha mundësitë e një zhvillimi bashkëkohor dhe modern edhe të bujqësisë, në mënyrë të atillë, që infrastruktura të afrojnë sa më afër të jetë e mundur, brenda një kohe sa më të shkurtët, prodhimin bujqësor me tregun. Gjithashtu, shtoi ministri Olldashi, qeveria do të vijojë edhe me politikat subvencionuese në ndihmë të fermerëve, duke ulur çmimin e naftës që përdoret në bujqësi, si edhe uljen e TVSH-së për farnat, racat përmirësuese, pesticidet,etj. Më tej, ministri Olldashi tha se në katërvjeçarin e tretë të qeverisjes Berisha, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe ndërtimit të një sistemi bashkëkohor të rrjetit ujitës, si edhe do të vazhdojnë edhe subvencionimet e shtetit për mbjelljen e pemëve frutorë e të produkteve blegtorale. Ministri Olldashi, theksoi, ndër të tjera, se vota e 23 Qershorit, do të përcaktojë edhe trajektoren e procesit të integrimit dhe duhet që të ndëshkojë edhe politikat bllokuese të PS-së dhe të Edi Ramës, të cilat mbajtën peng marrjen e statusit kandidat, vetëm e vetëm për të shërbyer interesave personale të kryetarit të PS-së, duke dënuar popullin, me heqjen e të drejtës së marrjes të investimeve dhe financimeve të projekteve të mëdha të BE-së, për zhvillimin e Shqipërisë. Banorët dhe fermerët e fshatrave Çlirim, Hamil dhe Sheq Marinëz e siguruan ministrin Olldashi se, e besojnë dhe do ta mbështetin me votën e tyre, programin e PD-së, për t’i dhënë një vazhdimësi qeverisjes së suksesshme të Kryeministrit Berisha.

EDUARD HALIMI SHPËRNDAN CERTIFIKATAT E PRONËSISË PËR BANORËT E CURRILAVE

Ministri i Drejtësisë  Eduard Halimi ka shpërndarë certifikatat e pronësisë për banorët e Currilave të vendosur në ish kabinat e pushuesve pas rënies së komunizmit në fillim të viteve ’90, ministri i Drejtësisë, i cili është edhe iniciator i procesit të privatizimit të ish kabinave të Plazhit dhe magazinave të ish agro- eksportit në Shkozet tha gjatë fjalës së tij se, deputetët e partisë Demokratike janë njerëz të fjalës së mbajtur dhe vijnë përpara qytetarëve me premtime të përmbushura. Certifikata e pronësisë i është dorëzuar të parit qytetarit Syrja Shabani, që është edhe një nga anëtarët e familjeve të persekutuara gjatë viteve të diktaturës të cilët u vendosën tek ish kabinat e Currilave në vitet ’90. Nga procesi i privatizimit të ish kabinave kanë përfituar deri tani 350 familje dhe pritet që procesi të finalizohet edhe për pjesën e tjetër të mbetur.